“Shpresojmë mos të ketë surpriza rrugës”, Presidenti Meta flet për Reformën Zgjedhore: Duhet një tryezë më e përgjegjshme!

Jan 21, 2020 | 17:01
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka komentuar tryezën e mbledhur për Reformën Zgjedhore, për të cilën shprehet se është një lajm i mirë, ndonëse duhej një tryezë më e përgjegjshme.

meta45

Presidenti e ka quajtur lajm të mirë pasi është një ndër pikat kyçe të Bundestagut Gjerman, por theksoi se shpresonte që rrugës të mos i dilnin surpriza.

Pjesë nga intervista për Abc News:

Gazetarja: Kemi një lajm të mirë që na ndodhi para pak ditësh. Na ndihmoni nëse mund ta lexojmë si të tillë! Retorikat politike të larta për shkak të krizës politike dhe institucionale, dhe pastaj një ditë të bukur, palët u ulën jo për t’u dakordësuar, por për të formalizuar një dakordësi që kishin bërë për reformën zgjedhore.

Ky është lajm i mirë? Lajm i keq, një “dezha vy” (ripërsëritje)? Kujtojmë që në 2017-n situata nuk ishte aq rozë, jo thjesht për Partinë Demokratike, por edhe për LSI-në që ju drejtonit atëhere?

Presidenti Meta: Jemi shumë vonë në raport me procesin e integrimit europian. Të dyja palët duhet të bashkëpunonin prej vitesh, për marrjen e përgjegjësive dhe për të vendosur një dialog të besueshëm e të mirëstrukturuar në interes të çështjeve më të mëdha që ka vendi.

Megjithatë e konsideroj një hap pozitiv, për arsye se përfundimi i reformës zgjedhore dhe miratimi i saj me konsensus, është një nga kërkesat e para të Bundestag-ut dhe të gjithë procesit të kushtëzuar për hapjen e mundshme të negociatave.

Le të shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë surprizë rrugës!

Por edhe sikur të vazhdojë në këtë mënyrë, është fare-fare pak, përveç se është tepër vonë, dhe kërkohet një tryezë tjetër mendoj unë, shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha këto detyrime, të cilat janë tashmë të qarta në rezolutën e Bundestag-ut.

Gazetarja: Ju thoni që të shkojë përtej reformës zgjedhore?

Presidenti Meta: Nuk është se reforma do të zgjidhë ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

Gazetarja: Duhet shkuar përtej?

Presidenti Meta: Ndoshta mund të ishte rruga më e thjeshtë për këtë dialogun që është vendosur. Por është mjaft vonë, dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit janë shumë të mëdha.

Në çdo rast besoj se duhet të ketë një angazhim më të besueshëm dhe më të thellë e më të sinqertë se sa diçka episodike.

Gazetarja: A i jep një dorë opozita në ndërtimin e kësaj fasade? Nëse nuk funksionon si duhet apo thjesht opozita niset për të realizuar diçka edhe rrugës, nëse mund ta kuptojmë? Si e lexoni ju?

Presidenti Meta: Nuk mund të flas në emër të opozitës. Opozita ka bërë disa veprime, në vlerësimin tim mjaft të gabuara, siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, pavarësisht se ka pasur të drejtë në kauzat e saj për ndëshkimin e autorëve të blerjes së votave, apo dosjeve zyrtare që flinin në prokurori prej 3-4 vitesh, si ato të Dibrës, të Durrësit, etj.

Rruga që opozita zgjodhi nuk mendoj se i shërbeu vendit, ashtu sikurse edhe mazhoranca, me shumë dëshirë, e shtyu opozitën në atë rrugë, duke dëmtuar rëndë edhe vetë legjitimitetin e saj, edhe të institucioneve kryesore të vendit, përfshirë edhe kuvendin.

Shpresojmë të ketë një reflektim nga të dy palët. Shqipëria është e të gjithëve dhe në këtë drejtim të gjithë duhet të kujdesen.

Shqetësimi kryesor për të gjithë duhet të jetë shpopullimi i vendit.

Përmasat e largimit janë të frikshme dhe të pakrahasueshme me vendet e tjera fqinje.

Kjo është mjaft e rëndë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura