“Shpresoj që…”, ja fjalët e vetme që tha dje në gjyq Redjan Rraja. Avokati zbulon detaje nga dita e atentatit

Nov 7, 2019 | 14:41
SHPËRNDAJE

1572963919_1572945794ndoja

Redjan Rraja u përfaqësua në seancën e djeshme gjyqësore tek Krimet e Rënda nga dy avokatët, Besnik Çerekja dhe Ilir Murati, të cilët kërkuan nga Gjykata caktimin e një mase më të butë sigurimi për të. Por Gjykata e la në burg.

Mbrojtja ka mohuar implikimin e Rrajës në ngjarje dhe ka pretenduar se në kërkesën e prokurorëve për caktimin e masës së sigurisë, nuk ka prova. Vetë i dyshuari nuk foli gjatë seancës së djeshme, ndërsa në deklarimet e dhëna para hetuesve ka mohuar se ka qenë i përfshirë në atentatin e 1 nëntorit dhe ka mohuar njohjen me persona të përfshirë.

Pas vendimit të Gjykatës për lënien në burg të Rrajës, për mediat foli njëri prej avokatëve, Besnik Çerekja, i cili përsëriti qëndrimin e klientit të tij në seancë, duke mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Redjan Rraja
Redjan Rraja

“Ai tha se nuk ka asnjë lidhje, nuk është i përfshirë në këtë histori. Të njëjtën gjë konfirmuam dhe ne, kontestuam provat që pretendojnë prokurorët, qoftë për ligjshmërinë e arrestimit, qoftë për caktimin e masës së sigurisë ‘Arrest në burg’. Prokuroria solli si prova gjurmë të gishtërinjve në një nga sendet që ndodheshin në makinën e gjetur të braktisur. Akuzohet për një sërë veprash penale, që nga ‘Vjedhja’ deri te ‘Vrasja e funksionarëve të lartë’ të mbetur në tentativë, tha avokati.

Më tej, ky i fundit mohoi që Rraja të ketë tentuar për t’u larguar nga vendi.

“Rraja ndodhej në Shqipëri në momentin e atentatit, nuk po tentonte që të largohej, ishte në mjetin e tij, me pasaportën e tij, normalisht”, shtoi ai.

Avokati mohoi të jenë gjetur gjurmë gishtash në ndonjë objekt tjetër të gjetur në makinë.

“Nuk janë gjetur shenja të gishtërinjve, përveçse në këtë objekt. Në seancë, Redjani deklaroi vetëm “Jam dakord me mbrojtjen dhe shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj”, përfundoi avokati.

ARRESTIMI 

Redjan Rraja u vu në pranga ditën e martë, ndërsa është ndaluar me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Që prej së premtes, Krimet e Rënda dhe Policia janë duke kryer hetime intensive për zbardhjen e atentatit, por ende nuk ka të ndaluar të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura