Shpirtin po ta ruajmë fort, i dashur Teodor

Oct 14, 2017 | 12:48
SHPËRNDAJE

 

arian starovaARIAN STAROVA

Në këto ditë kur largimi prej jetës i mikut tim të mirë, z. Teodor Laço, po mbush një vit, më lindi dëshira të ndaj me lexuesit e prirur ndaj vlerave, por edhe me shumë miq e dashamirës, disa ide dhe ndjenja me të cilat Teodori na kishte lidhur me një miqësi të rrallë të gjithëve pranë vetes.

Ajo e jona ka qenë përherë një miqësi e rrallë e vlerave njerëzore, një miqësi e ushqyer përherë me dëshirën për të bërë kudo dhe kurdo gjëra të mira, që prej fushës së tij të artit ku vlerat ai i ka lënë si vargmale në librat që shkroi deri te politika, e cila na lidhi gjatë edhe bashkë.

Për njerëz si Teodori, ikjet nga jeta janë gjithnjë të parakohshme, sepse në çdo ditë që jetonin, ata krijonin dhe shpërndanin vlera, në një vend që ka aq shumë nevojë për vlera, ku shumë, shumë njerëz i ka përpirë etja për para dhe jetesë materiale, e cila udhërrëfehet fatkeqësisht vetëm prej nevojave biologjike të trupit që nisin prej stomakut … Prandaj, e kujtojmë gjithnjë të dashurin Teodor, herë në heshtjen e vetmisë së nevojshme njerëzore, herë në bisedat e shumta miqësore ku ai është përherë i pranishëm dhe, madje, duke na dhënë ende këshilla me urtësinë që na ka lënë pas dhe që asnjëherë nuk i mungonte.

Duke kujtuar Teodorin, nuk e ndiej nevojën që të përpiqem për të bërë qoftë edhe një jetëshkrim fare të përmbledhur të jetës së tij, sepse ai ishte aq i njohur dhe i vlerësuar për të gjithë. Jeta dhe vepra e tij artistike dhe politike janë të përjetësuara tashmë në kujtesën historike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

E megjithatë, nja dy grimca prej urtësisë së tij do të doja t’i rikujtoj sot, kur të gjithëve na dhemb shpirti për një politikë ku vërejmë vetëm trupa, krahë, këmbë dhe gojë ndyrafolëse që përleshen mes tyre, në Kuvend dhe jashtë tij, por nuk shohim thuajse asnjë mendje të urtë që t’u tregojë shqiptarëve rrugën për të shkuar tek e ardhja që duan. Kur në një prej seancave kuvendore të fillimit të viteve 1990 ishte duke u zhvilluar një debat i ashpër me frymë patriotike dhe shumë folës po mundoheshin secili të tregonin me një gjuhë të tejfryrë se e donin Shqipërinë më shumë se të tjerët, Teodori e merr fjalën për t’i dhënë fund këtij “teatri”, duke thënë për folësin e radhës se “Zotëria X më duket sikur e ka marrë flamurin shqiptar dhe është mbështjellë i gjithi me të. Do t’i lutesha që të linte edhe për ne një copë prej atij flamuri …”. I tillë burrë i urtë ishte Teodori. Ai do të më kujtojë përherë se sa larg jemi ende prej kësaj mënyre të kulturuar të fjalëzimit politik parlamentar dhe joparlamentar të këtij vendi.

Njëherë tjetër, rreth viteve 2000-2001, ishim mbledhur disa anëtarë të kryesisë së liberaldemokratëve në zyrën e Teodorit, që ishte kryetar, dhe diskutonin për disa ide dhe mënyra të të bërit opozitë. Diskutimi po përplaste ide të ndryshme dhe po tejnxehej. Ndër ata që mbronin me pasion njërën prej ideve që diskutohej isha edhe unë, në atë kohë, nënkryetar i partisë. Ndërsa debati vazhdonte ndërmjet pjesëmarrësve me tone të ngritura, vetëm Teodori ruante qetësinë dhe vazhdonte diskutimin. Pak rëndësi ka se çfarë diskutohej dhe se si përfundoi diskutimi. Atë ditë unë mësova diçka shumë të rëndësishme prej Teodorit, se një drejtues nuk duhet të përfshihet asnjëherë në vorbullën e diskutimit me ndjenja të tepruara, sepse jo vetëm e shton kundërshtimin prej të tjerëve, por edhe se në fund të fundit asnjë ide nuk është e vërtetë absolute dhe prandaj duhet vështruar dhe mbrojtur pa teprim. Shumë njerëz mund ta dinin këtë gjë, por harronin që ta respektonin. Teodori sillej në mënyrë të tillë që disa të vërteta të bënte të mos i shpërfillje më. Mençuria dhe urtësia e Teodorit ishin të lidhura me një mirësi të tij të pafundme dhe respekt të pafundmë ndaj njerëzve. Ai nuk ngurronte asnjëherë të përpiqej për t’i ndihmuar njerëzit që i bënin kërkesa nga më të ndryshmet. Në këto përpjekje, nuk ndodhte kurrë që ai të linte ndonjë kërkesë pas dore, pa kthyer përgjigje po ose jo, sepse gënjeshtra ishte një prej armikeve të tij më të mëdha. Respekti për njerëzit dhe të vërtetat ishte pjesë e shpirtit të tij misionar si shkrimtar që u derdh me mjeshtëri edhe në politikë, sepse a nuk është ky synimi i çdo shkrimtari që të dojë dhe luftojë për idetë dhe njerëzit?! Ai e kreu këtë mision gjatë gjithë jetës së vet, si ndër të rrallët, dhe sot misioni i tij vazhdon nëpërmjet ideve dhe moralit që u ka lënë të afërmve, miqve, kolegëve dhe shumë dashamirësve.

I mbrujtur me mirësi të pafund, plot dashuri për të tjerët, respektues i thellë ndaj vlerave të të tjerëve, i tejduruar në çdo rrethanë, i mençur dhe orator, trim dhe i guximshëm kur e donte puna, përtej urtësisë dhe zërit të tij përherë të qetë që u provua më së miri në politikë.

Rrjedha e jetës bëri që një pjesë të mirë të jetës së tij Teodori ta kalojë përkrah Mirjanës, aktore e njohur e Teatrit të Korçës dhe e kinematografisë shqiptare, e cila mund të thuhet pa kurrfarë ngurrimi se ishte shpirti i tij binjak, një grua e përkushtuar dhe plot mirësi. Jeta rreth njëzetvjeçare me Mirjanën e shumëfishoi forcën e tipareve të figurës së Teodorit.

I dashur Teodor, ti sot na ke ikur përkohësisht larg, por shpirtin po ta ruajmë fort të gjithë ne, miqtë dhe të afërmit e tu.

Shpirti yt nuk na mungon asnjëherë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura