Shpëton teatri “Migjeni”, rrezik zjarri

Jun 16, 2015 | 23:09
SHPËRNDAJE

Dje në mbrëmje u prezantua në Shkodër projekti i ri për restaurimin e Teatrit “Migjeni”. Nga Ministria e Kulturës mësojmë se ky projekt, së bashku me Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, janë dy projekte restauruese, hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe mbështetur nga Fondi i Zhvillimit Rajonal.

Teatri “Migjeni” në Shkodër

Disa muaj më parë, drejtuesit e Teatrit “Migjeni” i dërguan një letër të hapur Ministrisë së Kulturës në lidhje me problemet infrastrukturore në këtë institucion.

Sipas drejtorit të Teatrit, Edmond Angoni, jeta e artistëve dhe gjithë stafit që punon aty është e rrezikuar seriozisht për shkak të rrjetit elektrik të amortizuar, i cili nuk mban më asnjë ngarkesë.

“Ndihet erë kauçuku i përcëlluar dhe i tejnxehur. Ju vëmë në dijeni se në gjithë raportimet verbale gjatë këtyre viteve dhe si pasojë e mungesës së investimeve për infrastrukturën e teatrit ‘Migjeni’, gjendja ka arritur në pikën e saj më kritike.

Sistemi kryesor elektrik është jashtë çdo kushti teknik, me pasojë rënien në rrymë të personelit dhe burim zjarri”, thuhej në deklaratën për shtyp drejtuar ministres Mirela Kumbaro. Nuk mungojnë problemet edhe në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, ku gjendja vazhdon të jetë si e para viteve ’90. Të dy këto institucione “Migjeni” dhe “A.Z.Çajupi”, janë dy nga teatrot më të rëndësishëm në vend, që u mbajtën gjallë edhe gjatë viteve të vështira të tranzicionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura