Shpëtim Moçka, zyrtarisht i lirë: Kam dy oferta nga Superiorja

Aug 9, 2018 | 15:13
SHPËRNDAJE

Shpëtim Moçka nuk është më futbollist i Teutës. Në fakt, portieri vlonjat kishte shkëputur prej javësh marrëdhëniet me klubin durrsak, por vetëm dy ditë më parë tërhoqi dokumentacionin. “Falënderoj klubin e Teutës për këto tre vite që bashkëpunuam. I uroj suksese”, theksoi Moçka për “Panorama Sport”.

Mocka

I pyetur në lidhje me skuadrën e re, vlonjati pranoi se ka pasur disa oferta, por ende diçka konkrete. “Së shpejti do të zyrtarizoj ekipin tim të ri. Të jem i sinqertë kam dy oferta nga klubet e Superiores. Nuk është etike të përmend emra për momentin, pasi akoma nuk e kemi arritur marrëveshjen. Gjithsesi, në ditët e ardhshme do të mbyll gjithçka”, ka saktësuar shtatlarti, i cili në sezonin e fundit nuk u bë protagonist vetëm me pritjet, por edhe me golat që shënoi, duke qenë vendimtar për Teutën.

Mocka

Moçka do të mbahet mend gjatë për atë gol kundër Partizanit në kampionat, të realizuar në kohën shtesë. Gjithashtu, ai u bë protagonist edhe në barazimin 3-3 ndaj Kamzës, teksa dha një asist në zonë, gjithashtu në minutat e fundit të takimit. Që prej pjesës së dytë të sezonit 2014-2015, portieri 28- vjeçar luajti për Teutën. Përveç Flamurtarit, në karrierën e tij ka qenë pjesë edhe e Apolonisë, Kastriotit dhe Laçit. Me fanellën e durrsakëve luajti 70 ndeshje në tre kampionatet e fundit. Aktualisht, në Superiore po kërkon portier klubi i Tiranës dhe nuk është çudi që vlonjati të firmosë për kryeqytetasit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura