Shpërthimi i tritolit në Tiranë, policia: Konflikt për motive pronësie, ndërtesa ishte konfiskuar nga banka

May 30, 2015 | 19:30
SHPËRNDAJE

Një shpërthim i fuqishëm tritoli në një pallat në ndërtim ka tronditur zonën pranë kryqëzimit “Vasil Shanto” mbrëmë në Tiranë. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndonëse ka ndodhur në një zonë nga më të populluarat në kryeqytet.

Vendi i ngjarjes

Pista kryesore në të cilën po heton policia për motivin e ngjarjes, është ajo e një konflikti pronësie. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 në rrugën “Bledar Shtylla”, vetëm 10 metra pasi kjo rrugë degëzohet nga bulevardi “Bajram Curri”. Sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur pranë njërës prej shtyllave të betonit të një pallati në ndërtim nga persona të paidentifikuar.

Nga fuqia shpërthyese e lëndës janë dëmtuar tri automjete, që gjendeshin të parkuara pranë trotuarit ku ndodhi shpërthimi. Vala e presionit ka dëmtuar edhe disa xhama të kateve të para të bizneseve në të njëjtën rrugë. Pas sinjalizimit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e Policisë së Komisariatit Nr.2 dhe njësia antieksploziv.

Punonjësit e Policisë kanë krijuar një perimetër sigurie për shkakun e të cilit u bllokua përkohësisht edhe qarkullimi i automjeteve në krahun e bulevardit “Bajram Curri”. Ekspertët kriminalistë kanë kryer një këqyrje të imët të vendit të shpërthimit për të mbledhur çdo provë, që mund të çojë në zbardhjen e mekanizmit të shpërthimit apo autorëve të ngjarjes.

Grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamjet filmike të një kamere të sigurisë në zonë. Njëra prej tyre fokusonte nga vendi i ngjarjes dhe ka shpresa të japë të dhëna të vlefshme në lidhje me autorët.

Vendi i Shperthimit tek “Vasil Shanto”

Nga hetimet paraprake dyshohet se motiv i ngjarjes është një konflikt pronësie për pallatin në ndërtim.

Sipas burimeve, kjo ndërtesë ka qenë në pronësi të shtetasit Arben Bardhi, deri në momentin që një bankë e nivelit të dytë ia ka konfiskuar për mosshlyerje detyrimesh të një kontrate të mëparshme. Pas konfiskimit nga pronari i parë, prona ishte blerë nga shtetasi Vasil Stavro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura