Atentati me tritol në makinë, rëndë biznesmeni. Policia: Hetim precedentëve të mëparshëm të 35-vjeçarit (VIDEO/FOTO)

Mar 5, 2015 | 8:12
SHPËRNDAJE

Një sasi e konsiderueshme eksplozivi shpërtheu mbrëmë në një makinë të parkuar në Tiranë, duke plagosur rëndë pronarin e mjetit.

Foto nga shperthimi i lendes plasese

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:40 në rrugicën pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Automjeti tip “Mercedes Benz” – Ml, me targa AA 948 AP, me pronar shtetasin Artan Gjin Prenga, 35 vjeç nga Mirdita, ka shpërthyer nga lënda eksplozive. Shpërthimi ka ndodhur në momentin kur pronari i makinës është afruar dhe ka qenë duke hapur derën e mjetit.

Si pasojë e shpërthimit, 35-vjeçari Artan Prenga ka marrë dëmtime serioze duke mbetur i rrëzuar përtokë 203 metra larg automjetit. Në momentin e ngjarjes, në trotuarin pranë vendit ku ishte parkuar fuoristrada, ka qenë duke kaluar edhe një vajzë, e cila ka marrë djegie të lehta dhe dëmtime nga ciflat e metalit. Sipas hetimeve paraprake të Policisë së kryeqytetit, mësohet se lënda plasëse e vendosur në makinë ka qenë të paktën 300 gramë eksploziv.

Menjëherë pas sinjalizimit për shpërthimin, forcat e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Mbërritja e forcave të rendit ka qenë e shpejtë, pasi një patrullë e Policisë është ndodhur me shërbim pranë vendit ku ndodhi krimi.

Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes ka thënë dje se shpërthimi ka qenë në dy faza, i pari që ka pasur krismë më të madhe duke shkatërruar makinën, ndërsa i dyti që ka shkaktuar flakët e mëdha. Pas shpërthimit të parë sipas dëshmitarit, pronari i makinës është parë i shtrirë përtokë 2-3 metra larg mjetit ndërsa dëgjoheshin britmat e tij.

PRONARI I MJETIT
Policia e kryeqytetit, e cila filloi hetimet në vendin e shpërthimit, e identifikoi pronarin e makinës së shkatërruar nga lënda plasëse me emrin Artan Prenga. Ai është dërguar me një ambulancë në spital në gjendje të rëndë, ndërsa në mesnatën e djeshme burimet nga Spitali i traumës thanë se 35-vjeçari ndodhej në sallën e operacionit duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për dëmtimet e rënda që ka marrë.

I plagosuri mësohet se është pronar i një lokali në zonën e Tiranës së Re, pranë vendit ku ishte parkuar makina në momentin e shpërthimit. Sipas Policisë, ai njihej edhe me emrin Roberto Prenga, përveç të dhënave zyrtare që konfirmoi Policia në lidhje me identitetin e 35-vjeçarit. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës kanë thënë se sektori i krimeve të rënda ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen.

“Sipas dëshmive paraprake, eksplozivi ka shpërthyer në momentin që pronari i mjetit Artan Prenga ka qenë duke hapur derën e mjetit në rrugën ‘Sulejman Delvina’, përballë zyrave të Autoritetit të Aviacionit Civil”, kanë thënë zyrtarët e Policisë.

Sipas tyre, zona ku ndodhi ngjarja ka kamera të shumta sigurie, të cilat janë sekuestruar mbrëmjen e djeshme për të verifikuar nëse ka pamje të momentit kur është vendosur eksplozivi në automjet. Policia tha se po heton edhe për motivin e ngjarjes, që dyshohet se ka lidhje me precedentë të mëparshëm të 35-vjeçarit që mbeti i plagosur rëndë.

Pamje nga vendi i ngjarjes

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura