Intervista/ Çipa: Emri im u shkul me dhunë nga gara për Bashkinë e Sarandës

Apr 25, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, denoncon procesin e përzgjedhjes së kandidates në këtë bashki përmes sondazheve, për të cilat shprehet se ka marrë mbështetjen e qytetarëve.  

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Çipa shprehet se rezultati i sondazheve është manipuluar, ndërsa e sheh largimin e tij nga rikandidimi si një luftë brenda llojit. Megjithatë, ai shprehet se do ta ndihmojë kandidaten e PS-së në këtë bashki, Floriana Kokën.

Stefan Çipa dhe deputeti i Sarandës Koço Kokëdhima

A ka pasur sondazhe për kandidatët për kryetar Bashkie të Sarandës?
Në dijeninë time ka pasur një proces sondazhi dhe telefonata të ndryshme nga të cilat unë kam marrë mbështetjen e shumë qytetarëve të Sarandës që më kanë thënë se i kishin marrë në telefon, i kishin pyetur se cili është kandidati më i pëlqyer për ju dhe ata kishin shprehur mbështetje për punën time në krye të Bashkisë. Por në fund rezultoi një shifër që nuk më përkiste mua dhe unë e kam marrë vesh këtë më vonë, se jam hequr nga gara për kryetarin e Bashkisë. Pasi është shpallur kandidatja e PS për këtë Bashki, unë kam marrë mesazhe dhe mirënjohje pa fund nga qytetarët e Sarandës dhe njëkohësisht keqardhje se përse nuk isha përzgjedhur unë pas preferencës dhe vlerësimit që ata kishin dhënë.

Ju po thoni se procesi i sondazhit është manipuluar rrugës duke nxjerrë një rezultat jo real… Për mua procesi nuk ishte transparent, sepse manipulativ mund të konsiderohet rezultati i dalë prej tij. Pra mua më kanë marrë qytetarët e Sarandës, por dhe jashtë saj që kanë dhënë mbështetjen për mua. Jam ndier i ligështuar përpara një falsifikimi të madh të rezultatit brenda dhe jashtë llojit të socialistëve, që ia doli të shkulë gati me dhunë emrin tim nga vendi fitues i garës që bëra për t’u konfirmuar unë sërish si kandidat për kreun e Bashkisë së Sarandës, nën siglën e PS.

Si keni dalë ju në këto sondazhe?
Nuk e di se kush e ka bërë sondazhin, por di që jam votuar në masë nga qytetarët, ndërsa në fund, unë nuk jam përzgjedhur. Ky është burimi i zhgënjimit të madh.

Keni pasur konsultime me Kryeministrin Rama apo me drejtues të tjerë të PS rreth kritereve që do të vendoseshin për kandidatët?
Ne me deputetin e zonës kemi pasur konsultime, kemi qenë pesë kandidatë që kemi shprehur ambicien tonë për të garuar nën siglën e Partisë Socialiste. Kemi shpalosur platformat tona në disa struktura të partisë dhe nga sa kam parë unë mbështetjen që kanë dhënë pjesëmarrësit brenda strukturave të PS-së, unë kam qenë kandidatura më e mbështetur në këto takime. Me Kryeministrin dhe me drejtues të lartë të PS-së jam konsultuar paraprakisht, para se të dilnin rezultatet dhe nuk kam asnjë rezervë apo pakënaqësi për Kryeministrin.

Ka qenë influenca e deputetit të zonës që ka vendosur në këtë përzgjedhje?
Unë uroj që të mos jetë kështu, por koha do ta tregojë përmes rezultatit. Mua personalisht nuk m’u komunikua rezultati i sondazhit. Nëse do të ishte transparente, do të kishte qenë më e sinqertë që kandidatët për kryetar bashkie të përzgjidheshin nga anëtarësia përmes parimit “një anëtar, një votë”. Edhe pse unë e kërkova këtë, kjo nuk u bë. Kjo ishte një zgjedhje fiktive dhe e paracaktuar, që i ka lënë pa fjalë dhe ka zënë në befasi opinionin e shëndetshëm qytetar, i cili priste rikandidimin tim dhe jo spostimin dhe largimin tim.

E prisnit një lloj ballafaqimi siç është bërë përzgjedhja e drejtorëve të arsimit, të cilët ballafaquan në publik platformat e tyre?
Unë kam qenë për këtë ballafaqim idesh dhe platformash për të ardhmen e qytetit, ashtu siç është bërë për drejtorët të cilët do të administrojnë një drejtori të kufizuar, ndërsa ne që do të administrojmë bashki më të mëdha, u seleksionuam përmes sondazheve që nuk e di njeri se si kanë dalë. Unë kam çfarë të them për punën që ka bërë i gjithë stafi i Bashkisë së Sarandës. Vetëm një fakt dua të sjell, gjatë këtyre katër viteve, Bashkia e Sarandës ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve, e kemi marrë Bashkinë me 350 mijë turistë në vit, ndërsa vitin e kaluar arritëm në shifrën e 600 mijë turistëve. Janë 250 mijë turistë më shumë. Këtë vit, falë punës së mirë që ka bërë Bashkia e Sarandës, pritet të kemi edhe më shumë turistë.

Si është pritur kandidatura e zonjës Koka nga strukturat e PS dhe nga qytetarët e Sarandës? Absolutisht mirë. Zonja Koka ka edhe mbështetjen time dhe ka filluar nga puna organizative e fushatës. Më pas do të jenë qytetarët që do të thonë fjalën e tyre me votë. Ne tani po punojmë të gjithë bashkërisht që Bashkinë e Sarandës ta fitojë Partia Socialiste.

Qëndrimi juaj në të ardhmen, mund të kemi ndonjë kandidim të pavarur tuajin apo të mbështetur nga ndonjë parti e majtë jashtë koalicionit të PS-së?
Jo, absolutisht, unë e përjashtoj këtë! Unë jam anëtar i strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, anëtar i Asamblesë Kombëtare. Reagimi im në Facebook ishte për mbështetjen që më kanë dhënë të gjithë ata qytetarë të Sarandës dhe të Shqipërisë, që me thënë të drejtën janë më të shumtë se sa ishin para 4 vjetësh kur mora detyrën si kryetar i Bashkisë së Sarandës. Por, unë do të jem i rreptë e i prerë deri në fund, së bashku me stafet e Bashkisë, në zbatim të ligjit e në kontrollin e territorit, duke mos i dhënë asnjë shans asnjë gaforreje të detit apo breshke të tokës të shkatërrojë në dy-tre muaj atë që bëmë, me shumë mundim e përkushtim, në 4 vjet qeverisje vendore në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve. Aristir Lumezi

 

Statusi i plotë i Stefan Çipës

Ju kam ndjerë kaq pranë këto ditë të zhgënjimit më të madh që mora nga rezultati i përmbysur i garës së zhvilluar brenda PS për kandidat të saj për kreun e Bashkisë së Sarandës. Qindra mesazhet dhe qindra telefonatat, që kam marrë prej jush në këto ditë, më kanë ndihmuar për të mos u ligshtuar përpara një falsifikimi të madh, që ia doli të shkulë gati me dhunë emrin tim nga vendi fitues i garës që bëra për t’u konfirmuar unë sërish si kandidat për kreun e Bashkisë së Sarandës, nën siglën e PS.

Ju jam shumë mirënjohës, që ndatë me mua peshën e këtij zhgënjimi dhe falsifikimi të pashembullt për fushata zgjedhore, brenda dhe jashtë llojit të socialistëve. Edhe pse ishin të shumta në numër, me respektin më të madh për secilin prej jush, i kam lexuar gërmë për gërmë të gjitha mesazhet tuaja. Po kështu, çdo bisedë gojore apo telefonike me ju, më ka lartësuar moralisht e psikologjikisht, përballë triumfit të së keqes, të atyre që i lexuan duke i kthyer përmbys punët dhe realizimet e këtyre 4 viteve të fundit në krye të Bashkisë së Sarandës.

U panë të përmbysura ato, megjithëse cfarë është bërë në 4 vjet për Sarandën tonë të dashur, i gjen në çdo hap e ngado që të hedhësh sytë. E bënë këtë, vetëm e vetëm për t’i shkuar deri në fund “humbjes” sime të paramenduar e të paracaktuar në mendjen e tyre. Për mua, për ju dhe për çdo qytetar që ka sy e sheh, arritjet që nuk mund të mohohen e as të anashkalohen, janë testi dhe sondazhi më i mirë, më i vërtetë e i pakundërshtueshëm.

Një detyrim të madh kam të falenderoj të gjitha stafet e bashkëpunëtorët e mi, që janë edhe bashkëautorë të këtyre punëve e realizimeve, të cilat i mbeten Sarandës. Me ta ndava çdo ide e projekt dhe çdo përpjekje e vështirësi për t’i realizuar ato. Sadisfaksioni i përbashkët që morëm, është se ia dolëm ta bëjmë Sarandën një qytet më të mirë për të jetuar dhe më të këndshëm për t’u vizituar e për të pushuar.

Kjo ka shumë rëndësi dhe kjo mbetet si gjurmë e mirë e punës së mirë, edhe për shumë e shumë vite pas ikjes sime nga drejtimi i Bashkisë së Sarandës. Unë nuk jam këtu për të hedhur rrënjë, por për të hedhur farën e punës së mirë, të punës me dashuri e përkushtim për qytetin e përbashkët dhe për të merituar të jem kryeshërbëtor i gjithë banorëve. Dhe jam krenar që këtë e bëmë.

Katër vite më kaluan duke punuar në staf sipas kësaj filozofie. Dhe bëra më shumë nga sa premtova, duke treguar në punë se unë jam nga ata që nuk premtoj atë që nuk bëj dhe bëj më shumë nga sa them. Kam mbetur i surprizuar, pasi sms të shumta kam marrë jo vetëm nga miq e shokë, nga bashkëpunëtorë e mbështetës, por edhe nga një masë e madhe njerëzish. Shumica e tyre kanë qenë e mbeten të panjohur për mua.

Në një mënyrë, këta njerëz më futën në borxh, pasi as më kanë kërkuar dhe as kam bërë për ta ndonjë nder apo favor të personalizuar. i vetmi nder që shkon edhe për ta, ka qenë rekordi turistik ku arritëm, infrastruktura më e mirë, qyteti më i pastër dhe plazhi që iu kthye qytetarit, ndricimi më i mirë publik, këndet e reja të lojërave për fëmijë, fushat e reja sportive për rininë, pishina natyrale e notit që rehabilituam, Limani i rivlerësuar, muzetë, Biblioteka dhe Galeria e Artit, kujdesi për shkolla e kopshtet dhe për moshën e tretë, nderimi që u bëmë vlerave qytetare, Saranda ku jetohet gjelbër etj., etj.

Mbështetjen e këtyre ditëve nga të gjithë ju, as që mund ta mendoja se do të ishte e tillë, jashtë kësaj situate. E kuptoj se shumë prej jush kjo zgjedhje fiktive dhe e paracaktuar, i ka lënë pa fjalë dhe ka zënë në befasi opinionin e shëndetshëm qytetar, i cili priste rikandidimin tim dhe jo spostimin e largimin tim. Komunikimi inkurajues i këtyre ditëve me ju, më ka ardhur si vlerësim i gjerë popullor për sa mundëm të bëjmë me bashkëqytetarët dhe për bashkëqytetarët e mi të respektuar, me biznesin lokal dhe partnerë të tjerë të vegjël e të mëdhenj, që na mbështetën për të bërë investime serioze, të rëndësishme e me impakt.

Të tilla që i mbeten Sarandës, si gurë kilometrikë, të cilët nuk mund të shkulen si nga qyteti ynë i dashur, ashtu edhe nga memorja kolektive e sarandiotëve. Ju më ndihmuat dhe më ndihmoni ta kaloj këtë situatë dhe këtë deformim vlerash, që së bashku krijuam dhe bëmë më të dallueshme. Me vlerësimet dhe konsideratat tuaja, ju të gjithë jeni bërë inkurajimi dhe motivimi im i madh, për të punuar me të njëjtin vullnet, qytetari dhe përkushtim, deri në ditën kur shiritin e kryebashkiakut do t’ia dorëzoj fituesit të garës zgjedhore të 21 qershorit.

Do të punoj njësoj si në ditën e parë të mandatit tim, deri ditën e konstituimit të Bashkisë së re, që do të dalë nga këto zgjedhje, duke qenë njësoj kërkues për evidentimin dhe shtimin e vlerave që bartin qytetari. Po aq i rreptë e i prerë do të jem deri në fund, së bashku me stafet e Bashkisë, në zbatim të ligjit e në kontrollin e territorit, duke mos i dhënë asnjë shans asnjë gaforreje të detit apo breshke të tokës, të shkatërrojnë në dy-tre muaj atë që bëmë, me shumë mundim e përkushtim, në 4 vjet qeverisje vendore në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve.

E kam shprehur edhe gjatë garimit tim dhe po e përsëris se do të dëshiroja shumë që Bashkia e mandatit 2015-2019 të vazhdonte të qeverisej nga të majtët, duke i dhënë vijimësi zbatimi strategjisë programore të Qeverisë Rama, vizioneve tona, që shohin më larg e janë më njerëzore dhe projekteve në proces, atyre që presin financim e të tjerave, që do të bëhen, për urbanizimin dhe modernizimin e mëtejshëm të qytetit dhe të gjitha pjesëve përbërëse të Bashkisë së re.

Me mirënjohje të thellë e të përjetshme, miku dhe vëllai juaj Stefan Çipa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura