Shpërthen Ilir Meta: Votat e LSI pro reformës, por jo votim me shantazh e me SMS

Jul 21, 2016 | 11:39
SHPËRNDAJE

Vetëm pak çaste pas nisjes së seancës plenare, kryeparlamentari Meta ka deklaruar mbylljen për disa momente të punimeve, në kërkim të një konsensusi final mes palëve për reformën në drejtësi.

meta

Ai ka deklaruar se nëse nuk ka konsensus, 20 votat e LSI janë pro reformës, por ai do të ikë nga drejtimi i Kuvendit, pasi nuk mund të pranojë një reformë votuar nën shantazh e me SMS, ndërkohë që duhet të votohej me bindje, për veten dhe partnerët e nderuar.

“I kam thënë edhe ambasadorit Lu, të mos dëgjojë lart e poshtë fjalët që thonë se Meta po bën lojë, nuk di të bëj Meta lojë, 20 votat e LSI janë për reformën, por duhet konsensus dhe e vetmja mënyrë është sipas Venecias dhe u kam kërkuar aktorëve, të mblidheshin në mënyrë që të jepnin zgjidhje dhe kjo reformë të ishte votuar.  Të mos shqetësohen amerikanët, asgjë nuk do ndodhë këtu, nuk jemi në ’97-n, unë besoj te përgjegjësia e Ramës ka qenë më konstruktivi në gjithë këtë cështje, ka qenë dakord me SHBA/BE, le të jetë kështu edhe përgjegjësia e Bashës”- tha Meta.

Sipas tij, nëse nuk i sqarojnë këtu cështjet, le ti sqarojnë në nivelet më të lartë të SHBA se SHBA,sipas tij,  duan të forcohet stabiliteti në Shqipëri.

“Nëse PD, Basha, Berisha, Topalli, pas sqarimit të këtyre momenteve nuk duan të votojnë reformën se kanë frikë nga reforma, ne do ta votojmë, unë do ta votoj, do iki nga kryetar Kuvendi, nuk rri nën një kuvend që voton nën shtantazh me SMS një reformë që duhet ta votojë me bindje, për veten dhe partnerët e nderuar”- tha Meta.

Në nisje të fjalës, me ton të ashpër, Meta theksoi se “Nuk kemi nevojë për deputetë patriotë, por për votim patriotik. Pse është kaq i rëndësishëm konsensusi patriotik? Sepse kjo është një kushtetutë re e Shqipërisë. Nuk votohet në mënyrë të njëanshme pavarësisht se do votohet në çdo lloj mënyre. Ka pasur problemet e veta. Duhet të përmbyllet me sukses. Kjo është e domosdoshme për vendin. Është për dekadat që vijnë. U bëj thirrje qytetarëve amerikanë dhe europianë të jenë të qetë. Ata që mendojnë se mund ta votojnë me 94 apo 95 duhet të kuptojnë që konsensusi është i rëndësishëm”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura