Shpërndarja dhe konsumi i hashashit në Tiranë, të rinjtë e fshehin në kuti shahu, picë, trup apo…

Oct 22, 2020 | 15:35
SHPËRNDAJE

hashash droge picat

Konsumi i hashashit po ndodh hapur në Tiranë. Kjo gjë mund të vërehet jo vetëm përmes shqisave në lagje apo në hyrje të pallateve, por edhe nëse flet e diskuton me grupe të rinjsh që të cilët janë të gatshëm të të sjellin me porosi një cigare hashash.

Por ndërkohë përditë aksionet e policisë kryesisht rutinore, zbulojnë adoleshentë dhe të rinj me doza hashashi të fshehura në trup, brenda këpucëve apo edhe në makinë.

Megjithatë dhe teknikat e shpërndarjes së drogës janë sofistikuar disi.

Siç deklaron zyrtarisht policia për gazetën “Si” gjatë këtij muaji S. J u arrestua pasi ju kapën doza hashashi. Por nuk janë dozat e hashashit dhe as mosha e tij që e bëjnë të veçantë prangosjen e tij. Por puna  që ai kryente. Sipas policisë, S.J punon si picier dhe shpërndarës picash dhe pikërisht profesionin e ka ndërthurur me shpërndarjen e hashashit. Njëri nga të rinjtë me inicialet K. A. që gjendej nën shoqërinë e tij konfirmoi për policinë se ishte së bashku me shoku i tij G. P kur aty iu është afruar bashkëmoshatari që ai e njeh si picier. Të njëjtën gjë i shpjegon policisë edhe i riu tjetër, ndërsa shpërndarësi i picave deklaron në polici vetëm këtë frazë “do flas në një moment të dytë”.

Aksioni i policisë sipas qëndrimit zyrtar të dhënë gazetës “Si” u zhvillua në rrugën “Sami Frashëri”, pasi në rrugë janë vërejtur së bashku tre persona të rinj në dukje të dyshimtë. Policia sqaron pas kontrollit të secilit “në çantën e shpinës së S.J u gjet një qese me material bimor, e dyshuar si lëndë narkotike canabis sativa. Më pas është shkuar në banesën e S.J ku gjatë kontrollit u gjetën edhe dy qese të tjera me të njëjtën lëndë të dyshuar”. Nga peshimi i sasisë së drogës, policia konfirmon se të gjitha dozat rëndonin 242 gramë që mendohet se shpërndarësi i picave do të shiste së bashku me picat që ofronte.

Hashash në stol

Dy adoleshentë qëndronin të ulur në stol dhe sapo patrulla këmbësore po lëvizte ata u shpërqendruan të shqetësuar. Kështu e përshkruan policia ndërhyrjen e patrullave në rrugën “Komuna e Parisit” ndaj dy minorenëve që nga humri me zë të lartë, u shfaqën të shqetësuar dhe me këtë gjest ata tërhoqën vëmendjen e policisë duke i bërë kuriozë. Më pas, njëri prej tyre flaku cigaren përtokë, që rezultoi se ishte hashash.

I dërguar në komisariat, i mituri D. D pranon “dola së bashku me shokun N. Stafa. U ulëm në një stol dhe unë doja të pija një cigare hashash. Isha duke e përgatitur, duke e grirë dhe në atë moment na erdhi policia për kontroll ku më gjeti një qese farmacie me hashash dhe grirësen e hashashit. Dua të them se e kam për përdorim vetjak dhe grirësen ndaj e mbaj, pasi jam përdorues i rregullt prej 3-4 vitesh. E bleva tek një person i panjohur në lagjen ku banoj”.

Hashash në kuti shahu

Në të njëjtën ditë kur tre të rinj u kapën në shkallët pranë Rektoratit duke pirë hashash dhe që më pas u justifikuan se e kishin gjetur përtokë, dy adoleshentë pranë në rrugën “Sami Frashëri” e mbyllën kutinë e shahut me nxitim sapo vërejtën Forcat Shqiponja. Ky gjest i ka shtyrë efektivët të ndalojnë dhe të thërrasin adoleshentët që të afrohen së bashku me kutinë e shahut. D. S tentoi të largohej, por secili nga policët u drejtua për t’i kapur, teksa kutia e shahut u flak në rrugë. Policia shkruan më pas në raport shërbimi “në kutinë plastike që përdorej për lojë shahu u konstatuan dy mbështjellje me canabis sattiva, por asnjëri nga të dyshuarit shtetasit D.S dhe L. T. nuk e pranon autorësinë dhe këmbëngulin se dolën për t’u ajrosur dhe për të luajtur shah”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura