“Shpërndarësi i picave” kapet mat duke vjedhur në një vilë, pronari e bën për spital! Çfarë ndodhi në afërsi të Kopshtit Botanik?

May 16, 2022 | 13:41
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Katër ditë më parë, Policia e Tiranës njoftoi se kishte arrestuar një super grabitës banesash në Tiranë. Në fakt, arrestimin e tij nuk e kishte kryer Policia, por i zoti i një banese, të cilit i ishte shënjestruar shtëpia prej Nezirit.

grabitja-policia

Të dhënat kanë dalë nga Prokuroria e Tiranës që ka nisur hetimet për të dokumentuar jo pak po një seri vjedhjesh dhe grabitjesh të shumta nëpër Tiranë, për të cilat akuzohet 39-vjecari, i kapur dhe i dhunuar nga një person në afërsi të Kopshtit Botanik.

Sipas të dhënave hetimore, bëhet me dije se Neziri trokiti në banesën e shtetasit B.B., me një picë në dorë, duke u sjellë si shpërndarës picash. Por kur pa se nuk po i përgjigjej kush nga brenda, ai hapi portën e jashtme dhe hyri në banesë.

Aty mësohet se kishte ndodhur një përleshje, që për fat nuk ka përfunduar në fatale për jetën e të zotit të shtëpisë dhe të një personi tjetër, kushëri i tij që kanë qenë brenda. Sipas të dhënave të dosjes, mësohet se “shpërndarësi i picave” kishte me vete thikë dhe mjete të forta me të cilën ka sulmuar dy burrat.

Por në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe dy shokë të tyre, të cilët e kanë neutralizuar Nezirin dhe më pas e kanë dhunuar. B.B ka njoftuar Policinë dhe e ka dorëzuar të “kapurin” në duart e postës policore të Farkës ku kanë dhënë edhe dëshmitë përkatëse.

HETIMET

Duke iu referuar të dhënave dhe materialeve të grumbulluara nga ana e Policisë, bëhet me dije se Prokuroria ka nisur hetimet me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” ndërsa ndaj tij, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Nga të njëjtat burime, bëhet me dije se 39- vjeçari po hetohet edhe për posedim të lëndëve narkotike, ndërkohë që në emrin e tij janë shënuar të paktën 10 akte vjedhjesh dhe grabitjesh nëpër banesa dhe dyqane të Tiranës.

Në fakt, Policia ende nuk ka bërë me dije se për cilat raste bëhet fjalë, por mësohet se Neziri gjendet ende në spital për shkak të dhunës që ka ushtruar i zoti i shtëpisë bashkë me tre personat e tjerë.

Por, duke parë gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhej grabitësi në momentin që ka nisur hetimet Prokuroria, kjo e fundit ka vendosur të nis hetime edhe për shtetasin B.B., për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë 39- vjeçari.

Organi hetimor po punon për identifikimin e të gjitha akteve që ka referuar Policia në emër të këtij personi si autor i disa vjedhjeve dhe grabitjeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura