Shpërdoroi ndaj Laçit, e ardhmja e sulmuesit të Kukësit në pikëpyetje

Aug 22, 2018 | 9:27
SHPËRNDAJE

E ardhmja e Haris Harbës vihet në dyshim. Sulmuesi, që erdhi me shumë bujë te verilindorët me kërkesë ekskluzive të ish-trajnerit Peter Pakult, nuk shihet si preferencë parësore nga trajneri aktual Armando Cungu. Përveç Rexhinaldos, ekipi nuk kanë alternativë tjetër, ndaj aktivizimi i Harbës ka qenë i detyruar. Gazeta mëson se qëndrimi i boshnjakut është vënë në pikëpyetje.

haris harba

Ai mund të rrijë në ekip vetëm nëse Kukësi nuk gjen dot një tjetër “pykë”. Goli i rrallë i Harbës i shënuar në Tbilisi ndaj Torpedos bindi disi drejtuesit, por nuk mjaftoi. Gjithsesi, koha do e tregojë nëse boshnjaku do largohet apo drejtuesit e Kukësit të detyruar do e mbajnë lojtarin shtatlartë. Performanca e Harbës ndaj Laçit dhe rastet e humbura të shënimit kanë bërë që drejtuesit të mendojnë largimin e tij.

Ai e ka nisur karrierën si profesionist në radhët e Olimpik Sarajevo, por ka luajtur edhe te çekët e Hradec Kralovë, sllovakët e Spartak Trnavës e Zlinit, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë edhe e turqve të Erzumsporit. Deri tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret ndaj tij, por ajo çka theksuam më lart lidhet vetëm me diskutimet e fundit që po bëhen te Kukësi për boshnjakun.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura