“Shpërblimi është buzëqeshja e tyre e bekuar”/ Programi i qeverisë “Rama 3”, kryeministri: Plan për një rritje domethënëse të pensioneve

Sep 17, 2021 | 8:13
SHPËRNDAJE

Edi Rama-parlament-Prezantimi-Programi-Qeveria-111

Kryeministri Rama premtoi dje për një rritje domethënëse të pensioneve gjatë mandatit të tretë. Kreu i qeverisë prezantoi dje në Kuvend përgjatë 90 minutave prioritetet e programit të tij qeverisës, ndërsa foli me fjalë zemre për pensionistët, të cilët janë mbi 600 mijë persona.

“Nuk kemi premtuar në fushatë asgjë domethënëse për pensionistët. Jo sepse nuk e dimë që ata e meritojnë të shpërblehen më shumë se gjithë të tjerët, madje, as sepse nuk e dëshirojmë me gjithë shpirt një rritje domethënëse të pensioneve përtej bonusit special që kemi vendosur në fund të vitit, por nuk kemi mundur dot dhe nuk mundemi akoma dot ta hedhim atë hap. Sepse honi kërcënues, i hapur për shumë e shumë vite nga skema e vjetër e pensioneve dhe nga administrimi me papërgjegjshmëri kriminale i sigurimeve shoqërore, përpara sesa ne të ndërmerrnim Reformën e Pensioneve e të vinim në vijë deri në njëfarë pike administrimin e sigurimeve, megjithëse, sot është ngushtuar duke u bërë i parrezikshëm për qëndrueshmërinë e financimit të pensioneve, akoma nuk është mbyllur në pikën që ne të hedhim një hap të guximshëm përpara, me një rritje domethënëse të pensioneve.

Unë dua t’u them sot, jo nga foltorja e fushatës, por nga foltorja e këtij Kuvendi, të gjithë gjysheve dhe gjyshërve, se një plan i varur nga ecuria e përgjithshme e reformave dhe e ekonomisë në gjysmën e parë të këtij mandati të ri është në tryezën tonë. Do të jetë pa diskutim dita më e bukur e jetës sime publike politike të marr dot shpërblim buzëqeshjen e tyre të bekuar, duke e vënë në veprim planin për një rritje domethënëse të pensioneve. Sot mund të jap vetëm fjalën që do ta mbaj çdo ditë në mendje, marrjen e atij shpërblimi të shenjtë dhe lus Zotin që t’ia dalim ta bëjmë realitet, por ju lutem, mos e quani premtim përpara Kuvendit, por vetëm një angazhim solemn këtu në Kuvend, për të bërë gjithçka është e mundur për këtë premtim të munguar. Nuk kisha pse i hapja punë vetes me një gjë kaq të madhe, nëse nuk do ta besoja deri në fund, që kjo është diçka për të cilën ia vlen të bëjmë maksimumin”, tha Rama.

PAGAT

Sipas tij, qeveria e re do t’i përmbahet programit që ka premtuar rritje të pagave të mësuesve me 40%, administratës publike me 30%. Ai u ndal dhe te paga e solistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilën u shpreh se do të dyfishohet duke u nisur nga viti i ardhshëm.

“I thashë grupit të programit që të merrnin programin e fushatës dhe ta miratojmë në Parlament. E vërteta është se jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve. Nuk kam parasysh politikanët që premtimet i kanë si pëllumbat që nxjerrin nga kapelet në skenë nga prestidigjitatorët. U ndeshëm me kthesa dhe ngecje të padëshiruara për aeroportin e Vlorës. Unë nuk premtoj diçka që e di se nuk bëhet, veç për të marrë duartrokitje. Të gjitha rritjet e pagave të premtuara, unë e konfirmoj përsëri sot, përpara Kuvendit, se kjo shumicë qeverisëse do të rrisë pagat e edukatoreve, mësuesve, mjekëve, infermierëve me 40%, paga mesataren në administratë në 85 mijë lekë, pagat e administratës publike me 30%. Pas një shfaqjeje kulmore mbrëmë të trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit, duke shkëlqyer pa asnjë dallim krahas dy yjeve botërore, paga e solistëve tanë do të dyfishohet që nga viti i ardhshëm”, tha Rama

OPOZITA

Kryeministri Rama i kërkoi opozitës bashkëpunim.

“Në këtë sallë të gjithë pas 2 vjetësh dhe pas një palë zgjedhjesh të fituar qartësisht nga një palë, e kontestuar. Përsëri një deja vu e këtyre dekadave që shpresoj të mos sjellë në skenë shfaqje ekstreme si ato të mandatit të shkuar. Ky institucion i pazëvendësueshëm. Ky adresim kaq i rëndësishëm për votëbesimin e qeverisë së re do të ishte krejt i mangët nëse përpara do të flas për investimet, taksat, nuk do të flisja për elefantin në këtë vend. Duam apo s’duam të rrimë bashkë, në një çati, për 4 vite.

Jo me kë na pëlqen të kemi përkrah, por dhe kë kemi përballë. Rritja e mirëqenies nuk varen vetëm nga të ardhurat e shpenzimet, por dhe institucionet, besimi i qytetarëve te kjo. Në radhë të parë këtu në institucionin më të lartë të përfaqësimit. Nuk jemi të detyruar të merremi vesh për gjithçka, madje mund të mos merremi vesh për asgjë. Por progresi nuk varet nga sa shpesh bie dakord qeveria me opozitën, por mënyra si e adresojnë. Tjetër të polemizosh, tjetër të shahesh e kërdisesh. Tjetër të votosh kundër, tjetër të grisësh fletën e votimit. Kur mos rënçim dakord, në fund vota vendos. Por s’mund të mos sillemi si njerëz, prindër fëmijësh e fëmijë prindërish. Që kjo sallë të mos zhytet në llucën e vulgaritetit. Por as kush bën më të fortin nuk del i fituar. Të gjithë nuk kemi shkëlqyer në sytë e qytetarëve. Shumë skena dhe fjalë për të cilat s’mund të jem krenar. Shumë sherr e shamata për të mos dalë asgjëkund nga kujtesa.

Shumë mundësi të humbura për të bërë më mirë. Kur dalim që këtu pasi lëmë nam, gjithmonë fajin s’e kemi ne, por gjithnjë ata, pala tjetër, si kalamajtë ‘e ka kush e ka’. S’dua të drejtoj gishtin te pala tjetër, por mbaj fajin tim, për aq sa na takon. Duhet të jetë më shumë se unë dhe ne nga sa na takon. Dora jonë është e shtrirë drejt PDsë, vijë mendimi, jo fjalë për të kaluar radhën. Të jemi të qartë, nuk duam lëshim nga ju, jemi gati të dialogojmë për çdo lëshim që ju doni. Nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që nuk e dëshironi, jemi gati për çfarë dëshironi për njerëzit e së ardhmes”, tha Rama.

RINDËRTIMI

Duke folur për pasojat e pandemisë dhe tërmetit, Rama shprehet se rritja ekonomike është një shenjë e mirë, ndaj ka në plan për të rritur investimet në prodhim.

“Kemi fituar të gjitha vendet e humbura të punës. Kemi rritje si asnjëherë të të ardhurave. Natyrisht që kjo është një periudhë rikthimi pas një periudhe tërheqjeje dramatike për shkak të pandemisë. Nuk duam që ky ritëm të bie deri në fund të katërvjeçarit nën dyshemenë e 4% rritje ekonomike vjetore. Duhet të risim kapacitetet e prodhimit.

Kemi programuar dy instrumente, një garanci sovrane 50 mln euro për kalimin në linja të reja prodhimi, dhe një program special, inovacion në manifakturë me një mekanizëm financiar për rimbursimin e kapitalit të kompanive. Jemi të vetëdijshëm se paga minimale është ende e ulët. Rritja e saj graduale çdo vit, deri në 40 mijë lekë të rinj në fund të mandatit. Është një objektiv i paralajmëruar që do ta fusim në rrugën e realizimit që me projektbuxhetin e vitit që vjen edhe normën e pagës minimale 32 mijë lekë. Nuk ka asgjë që është premtuar në fushatë dhe nuk është në program”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura