“Shpenzime për luks dhe PPP”/ PD: Buxheti 2021, dëshmi e dështimit të qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës

Oct 23, 2020 | 12:28
SHPËRNDAJE

Për Partinë Demokratike, buxheti i viti 2021 që u publikua dy ditë më parë është një buxhet luksi.

teliti

Në një dalje për mediat nga selia blu, drejtori i kabinetit në PD, Dorian Teliti tha se ky buxhet është dëshmi e dështimit të qeverisë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit.

“Projekt buxheti 2021 i publikuar dy ditë më parë mund të përmblidhet në pak fjalë, klientelizëm, luks, braktisje, dështim dhe paaftësi”, tha Teliti, teksa renditi edhe 5 problematikat kryesore të evidentuara në projektbuxhetin e fundit të kësaj qeverie.

 “Së pari, qeveria do të gllabëroj të gjithë vlerën e shtuar të ekonomisë me anë të huamarrjes, me anë të borxhit. Vetë qeveria parashikon që Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me 830 milionë euro gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që po vetë qeveria ka planifikuar deficitin 2021 në plot 890 milionë euro. E gjithë rritja ekonomike praktikisht do të konsumohet nga tafmaja qeveritare për shpenzime jo produktive.

 Së dyti, ligjërohet urdhëri “Kap ça të kapësh”.

Për të kryer sa më shumë tendera, për të kapur çdo qindarkë që ka mbetur ne arkën e shtetit, për të prerë shiritat elektorale, qeveria për herë të parë në historinë 30-vjecare, autorizon kryerjen që këtë vit të procedurave të prokurimeve publike të vitit tjetër ende pa u çelur buxheti në janarin e vitit të ardhshëm. Fondet ende nuk janë çelur, por institucionet të prokurojnë me urgjencë – urdhëron Rama.

 Së treti, ky nuk është buxheti që mbështet biznesin, asgjë për ta, përkundrazi, rriten me 25 milionë euro detyrimet e tyre për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

 Së katërti, ky nuk është buxheti i pensionistëve, pasi nuk parashikon rritje reale të pensioneve për mbi 650 mijë pensionistë, e jo më për bonusin e tyre për festat e fundvitit.

 Nuk është buxheti i familjeve me ndihmë ekonomike, pasi asnjë qindarkë shtesë nuk do të ketë për ta.

Nuk është buxheti i dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë, të harruar tashmë nga qeveria e premtimeve boshe, e cila për vitin e ardhshëm do të financojë vetëm 8 mln euro, tre herë më pak sesa viti 2013.

 Dhe së pesti, po jo më pak nga rëndësia, ky nuk është buxheti i njerëzve të thjeshtë, i të papunëve, i sipërmarrësve shqiptarë, por është buxheti i oligarkëve të PPP-ve dhe qeveritarëve të shpenzimeve luksoze”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura