Shpalljet “non grata” nga SHBA, kreu i SPAK: Do hetojmë çdo informacion! Arben Kraja pranon se…

Jun 15, 2021 | 8:14
SHPËRNDAJE

Seanca e djeshme e Kuvendit ku raportoi kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja, u shoqërua me debate dhe pyetje nga ana e ligjvënësve, kryesisht të opozitës.

Teksa kreu i SPAK referonte punën njëvjeçare të institucionit të drejton, deputetët e përqendruan vëmendjen e tyre në shpalljet “non grata” nga SHBA të zyrtarëve shqiptarë, luftën kundër korrupsionit dhe të kaluarën e kreut Kraja. Deputeti Ralf Gjoni kërkoi nga kreu i SPAK se a do të ndjekë dhe hetojë kjo strukturë personat që janë shpallur ose do të shpallen “non grata” nga SHBA. Kraja tha se SPAK është i hapur për çdo informacion që do të vijë nga partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe SHBA. Ai u shpreh i vendosur se do hetohet deri në fund. Ndërkohë që deputeti Myslim Murrizi u shpreh skeptik për punën e z. Kraja duke thënë se denoncimi i tij më i madh për korrupsion nuk ka marrë asnjë përgjigje. Nga ana tjetër, ai e sulmoi kreun e SPAK për të kaluar e tij, duke thënë se ai duhet ta pranojë që ka qenë hetues në kohën e komunizmit, por edhe kandidat për deputet në ’91-shin. Për Krajën kjo që është e deklaruar, ndërsa shtoi se u është nënshtruar kontrolleve dhe verifikimeve.

DISKUTIMET NË KUVEND

Ralf Gjoni: Shpresa më e madhe e shqiptarëve është që SPAK të fillojë të funksionojë. Kur mendoni se do të vijë kjo ditë, që shqiptarët të keni besim të plotë te SPAK? Kur do fillojnë të procedohen penalisht “peshqit”? A do të ketë hetime në 2-3 vitet e ardhshme ndaj përfaqësuesve të krimit, që sot ende bëjnë ligjin? Nga lista e personave “non grata”, Shqipëria është ndër të paktat vende ku këto persona nuk kanë pasur një procedim penal para se të shpalleshin “non grata”, a mund të kemi shpresë se çdo veprim “non grata” i SHBA do të ndiqet nga ana juaj?

Arben Kraja: Në lidhje me pyetje e parë, është një proces, do kohën e vet, se kur SPAK do të fillojë të ketë rezultate. Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi dhënë rezultatet e para, janë goditur grupet e para. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdhatë, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje. Ndërsa për pyetjen e dytë, lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penal se si shkohet deri te gjykata. Çdo indicie apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar hetimin deri në fund, çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Myslim Murrizi: Unë kam votuar çdo ligj që i ka përkitur Reformës në Drejtësi, me dëshirë të plotë dhe bindjen absolute për një drejtësi të re të pakapur prej gryke nga politika, për një drejtësi të re ashtu siç qytetarët shqiptarë e dëshirojnë dhe presin që përpara saj të jenë jo vetën subjektet ordinere të OFL-së së famshme, por subjektet e ngrehura e krekosura prej 30 vitesh në këtë sallë me jaka të bardha, me duar të pista, me zemër të vogël e shpirt të pangopshëm. Por kur shikoj drejtues në këto institucione që janë të zgjedhur nga politika, kur shikoj drejtuesin e SPAK që intimidohet nga e kaluara e tij, gufoset, nga një pyetje e drejtpërdrejtë ndaj zotit Kraja për të qartësuar veten dhe opinionin publik, ai i bën bisht. Një njeri që i trembet të kaluarës së tij, nuk besoj se është i denjë për drejtësinë e së ardhmes. E ka shkruar se ka qenë hetues në ‘87-‘92 thotë ai. Unë e pyeta a ka qenë deputet, po ke qenë ke qenë, me nja 6-7 nga ata që ka këtu dhe 8-9 të tjerë që do të jenë në shtator. Pse të vjen turp që ke qenë pjesë e levave të Ramiz Alisë me Bashkimin e Rinisë së Punës së Shqipërisë. Po mo po, ke qenë! Po pse nuk e thotë Partia Demokratike?! Po si ta thonë ata, kur kanë vetë 9 copë që do të vijnë në shtator këtu?! 9 komunistë që kapërcyen ylberin. Ishte strategji që ndiqej, ishe dhe hetues dhe deputet se ajo politikë ishte, edhe pohimi i asaj që ke kaluar është moral, jo vemje që belbëzojnë nëpër dhëmbë. Askush nuk mund ta blejë të kaluarën e tij, ajo që keni mbjellë do të korret gjithë jetën si macja që i ngel hala në fyt. Ç’është ky kompleks inferioriteti dhe pse unë them që të hetohen funksionarë të lartë të korruptuar dhe të vendoset drejtësi?! Si mund të na nxjerrë në dritë ky?! Keni 1 vit e gjysmë drejtues, e keni mandatin 3-vjeçar. Ndoshta ju ra barra e rëndë të ishit ju drejtues, pa hetues, pa paga, pa buxhetin e duhur e me radhë. Gjithsesi, pritshmëria ka qenë shumë e madhe nga SPAK. 588 hetimet që ju raportuat e 260 persona të pandehur, sa prej tyre i përkasin sferës së lartë, banorëve të kësaj salle, ish-të rreshtuarve pas kurrizit tënd dhe funksionarëve të bashkive, që unë jam i bindur se është objekti i punës tuaj. Çfarë ka pasur në fokus nga njerëzit në pushtet, sa prej tyre? Personalisht shoh sa herë del në deklaratë publike Gaz Bardhi, ju i përgjigjeni.

Unë jam Myslim Murrizi, të kam denoncuar një tender abuziv 27.3 milionë euro të uniformës së Policisë, janë vjedhur mbi 10 milionë euro. Kaq i rëndësishëm është Gaz Bardhi?! Në çfarë faze është hetimi, a ka filluar hetim a jo? Megjithëse është në raportin e vitit që vjen, ju takon juve. Krimet zgjedhore i përkasin SPAK, 108 kuti u hapën në Durrës, dolën se PD, PS e LSI kishin vjedhur, këta që kishin numërues. Çfarë pret SPAK?! Duhet deklaratë e Gazit?! Për dosjen 394 nuk e di sa jeni ndjerë mirë, unë nuk jam ndjerë mirë, shpallët urdhër-arresti për 3 që kishin vdekur. A është kjo mungesë serioziteti apo informimi për ata që janë marrë me këtë punë? Shoh sot një lajm që SPAK ka kërkuar sekuestrimin e 32 pronave të Ylli Ndroqit me një emër tjetër, se nuk justifikon 3 milionë euro. Ju inkurajoj, por besoj që Ylli mund të jetë bryma e fundit e kavallit që ka vënë dorë mbi taksat. Sa yje të tjera ka ky vend. A ka marrë ndonjë nismë SPAK, me dy çuna e të presin Murrizi e t’i thonë ku jeton, ke 3 muaj kohë të justifikosh këtë që ke 7 hale për macet. Në ‘87-‘91 keni qenë hetues. Dua të shuaj një kureshtje: a keni qenë kandidat për deputet në 31 mars 1991?

Arben Kraja: Për pyetjen e parë. Unë jam drejtues i SPAK. Në këtë cilësi kam detyrime ligjore, përparësore për të krijuar institucionin, jo se e krijoj unë, por për të krijuar kushte. Pjesë e punës sime ka qenë vënia sa më shumë në dispozicion. Kam bërë përpjekje të vazhdueshme, për plotësimin e boshllëqeve ligjore për pagat. Kam bërë komunikime të vazhdueshme, qoftë dhe asistencë të ngritjes së një institucioni. Fakti që është mandati 3 vjet është kushtetues. Brenda këtij mandati besoj do t’i bëj të gjitha dhe institucioni më pas të bëhet produktiv. Për Gaz Bardhin, prokurori apo unë s’kam bërë asnjë koment apo debat në media. Unë i përgjigjem atij që më sjell kërkesë zyrtare. Ju mund të na drejtoheni dhe ne ju kthejmë përgjigje. Unë do të them shkurt: SPAK është përfshirë vetëm për korrupsionin aktiv e pasiv në zgjedhje. Kemi nisur mbi 50 procedime penale, kur të ketë rezultate, do t’i japim. Për hetimet pasurore, SPAK është strukturë ligjore, s’mund të dalë në rrugë e t’i kërkojë dikujt sa e ke këtë shtëpi. Kemi filluar dhe hetimet pasurore për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Ato pak raste, nga pikëpamja e vlerës janë me shumë rëndësi. E kemi përparësi hetimin pasuror. Në çdo rast që marrim informacion, do të jetë objekt i ligjit. Kam qenë hetues, është e deklaruar. U jam nënshtruar kontrolleve e verifikimeve, kam marrë vendimin që mund të vazhdoj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura