Shpallja e garës për kryetar të ri të FRPD, Belind Këlliçi: Vendimi është përtej kompetencave të kryetarit të PD-së! Është e vërtetë që mandati im ka skaduar, por…

Nov 5, 2021 | 21:31
SHPËRNDAJE

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi është kundër vendimit të kryedemokratit, Lulzim Basha për zgjedhje të reja për kreun e FRPD.

Në një deklaratë për gazetarët, Këlliçi deklaroi se vendimi i Bashës është nul dhe i pabazuar në statutin e partisë.

belind kellici

Sipas tij FRPD-ja ka votuar në mënyrë unanime kundër vendimit të marrë nga Basha. Ai shtoi se Partia Demokratike ndodhet në një situatë të vështirë dhe se nuk është momenti për të pasur akoma më shumë përçarje brenda partisë.

“Vendimi i sotëm është i pabazuar qoftë në statutin e PD dhe është përtej kompetencave të kryetarit të PDSH-së, qoftë në statutin e FRPD-së.

Është e vërtetë që mandati im ka skaduar. Por ne jemi në të drejtën e ushtrimit të mandatit deri në zëvendësimin tonë përmes nje procesi zgjedhor, brenda forumit rinor, të organizuar mbi statutin e forumit rinor dhe deri ne dorëzimin tek trupa  e re që do të zgjidhet me një anëtar një votë.

Sot ka patur një vendimmarrje unanime të kryesisë së forumit rinor, 100 % e tyre janë shprehur kundër vendimit të kryetarit të PDSH-së”, tha Këlliçi.

Ky qëndrim u mbështet edhe nga sekretari i përgjithshëm i FRPD, i cili u shpreh se vendimi i Bashës u shpall pasi ai e mori vesh se Kreu i ketij forumi do te jete pjese e foltores se Berishes.

“Ky veprim vjen pas firmosjes nga delegatëve që vijnë nga forumi rinor i PD. Ky veprim vjen pasi është marrë  vesh pjesëmarrja e kreut të FRPD tek foltorja. E konsiderojmë nul dhe i bëjmë thirrje Bashës që nuk do lejojmë as tentativat për intimidim. Nuk do ta lejojmë që ai të shkelë statutin dhe dinjitetin tonë. I bëjmë thirrje të tërheqë lajmërimin që ka nxjerrë”, tha sekretari i përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Mucollari.

Sot zyrtarisht, zyra e shtypit të PD-së njoftoi se Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka nisur procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura