Shpallet fituesi për portin turistik, “Marina Vlorë” do kalojë te privati për një periudhë 35-vjeçare

Mar 30, 2021 | 10:20
SHPËRNDAJE

po-1

Shpallet kompania fituese e koncesionit “Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e një porti turistik në qytetin e Vlorës”.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k., “Marina Projects” ltd, “Brunes” sh.p.k. dhe “Ndregjoni” sh.p.k me vlerë investimi prej 22.8 milionë euro pa TVSH janë fituesit e koncesionit.

Sipas “Monitor”, bëhet fjalë për “Marina Vlorë”, i cili do të kalojë te privati për një periudhë 35-vjeçare.

Referuar njoftimit të MIE, bëhet me dije se në garë morën pjesë tri kompani ku dy të tjerat ishin shoqëria Albavia sh.p.k., që ofroi një vlerë investimi në zhvillimin e projektit prej 1.8 miliardë lekësh dhe Gjikuria sh.p.k., me një vlerë investimi 22.7 milionë euro.

TENDERI

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar dy kompanitë e fundit duke dhënë edhe argumentet.

“Shoqëria “Albavia” sh.p.k. është skualifikuar sepse nuk ka paraqitur sigurimin e ofertës sipas shtojcës nr. 3 të DPK, sipas kërkesës së germës a) pika 1 të pikës 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” të shtojcës nr.9 të DPK.

Gjithashtu, nuk është dorëzuar i gjithë dokumentacioni i kërkuar në shtojcën nr. 9 të Dokumenteve të Koncesionit/PPP.

Shoqëria “Gjikuria” sh.p.k. është skualifikuar sepse nuk ka paraqitur raportin e auditimit financiar të vitit ushtrimor 2018(përfshirë opinionin e auditorit), të certifikuara nga një subjekt i jashtëm i licencuar auditi; nuk ka plotësuar kriterin financiar nr. 2 “Kapitali i Vet (totali i aktivit minus totalin e detyrimeve) i vitit të fundit ushtrimor (2019) të jetë të paktën sa 40% (dyzet për qind) e vlerës së investimit të përgjithshëm (pa TVSH) të propozuar nga ofertuesi”; nuk ka paraqitur dokumente të lëshuara nga institucione financiare të besueshme, këto sipas kërkesës së nënpikës 1.2.

“Kapaciteti ekonomik dhe financiar” të pikës 2, “Kriteret e veçanta të kualifikimit” të shtojcës nr. 9 të DPK. Gjithashtu, nuk ka plotësuar kriterin kualifikues të zërit “Projektim”, pasi nuk ka dorëzuar një Licencë të vlefshme Profesionale, si dhe ofertuesi nuk ka paraqitur eksperiencë të provuar të dizejnimit dhe shpërndarjes së marinave të klasit botëror që i lejon ata të arrijnë njohjen e industrisë dhe akreditim ndërkombëtar, sipas kërkesës të pikës 3 të nënpikës 1.3. “Kapaciteti teknik” të pikës 2 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” të shtojcës nr. 9 të DPK” thuhet në sqarimin e MIE.

PORTI

MIE shpalli njoftimin për dhënien me koncesion te privati të një porti turistik në Vlorë në janar të këtij viti. Vendndodhja e parashikuar e objektit është në qendër te qytetit të Vlorës dhe konkretisht në portin aktual të këtij qyteti, i cili është në administrimin e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë.

”‘Marina Vlorë’ duhet të sigurojë një vend-ankorim të mbrojtur, të sigurt, funksional gjatë gjithë vitit për flotat moderne të jahteve. Marina duhet të jetë e aksesueshme gjatë gjithë stinëve dhe duhet të sigurojë një kanal hyrjeje të sigurt dhe të lundrueshëm përveç basenit të mbrojtur.

Marina duhet të akomodojë minimalisht 400 anije. Ankorimet e llojeve të ndryshme të anijeve duhet të reflektojnë flotën tipike moderne që pritet të lundrojë në detet Jon dhe Adriatik, duke u mbrojtur gjithashtu kundër ndryshimeve të mundshme në tregje dhe karakteristika të anijeve”, thuhet në projekt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura