Shpallen listat/ Fituesit e dytë në fakultete, shanset për të kapur një degë

Sep 27, 2019 | 20:26
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Tetë mijë maturantët që nuk arritën të fitonin degën e preferuar në shtatë fazat e raundit të parë, kanë një shans të dytë.

Studente-universiteti

Tashmë nuk u lejohet të gabojnë, qoftë duke ngelur pambarimisht në pritje për degën që dëshironin, apo edhe të nxitojnë në regjistrimin e së parës degë që i ngjyroset me të gjelbër. Çelësi i suksesit është gjetja e ekuilibrit dhe përputhja e meritës, pra, pikët që kanë me preferencën.

Gara për kuotat e mbetura bosh nis të hënën e javës që vjen, me pesë faza 48-orëshe regjistrimesh. Duke qenë se shumica e kuotave në profile të shumëkërkuara është minimaliste, të rinjtë do ta kenë më të vështirë se në raundin e parë të shkojnë drejt asaj që duan.

REGJISTRIMET

“Kanë aplikuar në raundin e parë mbi 23 mijë maturantë, nga të cilët 15 mijë janë regjistruar dhe tetë mijë nuk arritën dot të regjistroheshin, duke aplikuar për raundin e dytë”, thotë drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), Arjan Xhelaj. Nga data 30 shtator deri më 9 tetor do të kryhen regjistrimet, ku ndryshe nga i pari, do të ketë vetëm pesë faza. Zhvendosja e vizës së kuqe, pas çdo 48-orëshi duhet të monitorohet nga çdo kandidat, i cili përllogarit mundësitë e pranimit, duke parë edhe rendin e tij në tabelën e klasifikimeve (i sati në renditje për x kuota të lira).

kalendari

Një raund i tretë regjistrimesh, sipas tabelës që ka miratuar RASH, pritet të ezaurojë kuotat, të cilat edhe pas raundit të dytë kanë mbetur të paplotësuara. Ai pritet të zhvillohet nga data 21-26 tetor, gati dhjetë ditë pas startimit të vitit të ri akademik 2019-2020.

DEGËT PA STUDENTË

Rreth 500 programe studimi në universitetet publike dhe private presin nga 30 shtatori të regjistrojnë studentë të rinj. Rritja e notës mesatare (nga 7 në 7.5) me vendim qeverie për programet e edukimit, duket se ka varfëruar degët e mësuesisë në rrethe, e me gjasë mund t’i çojë drejt mbylljes, pasi numri aktual i studentëve të regjistruar numërohet vetëm me gishtat e njërës dorë.

Për studentët e paktë ka një zgjidhje. “Bazuar mbi kapacitetet e tyre pritëse, universitetet mund të rigrupojnë programet ose të fokusohen në programe të tjera. Në rastet kur numri i studentëve është i kufizuar dhe universiteti vendos të mos e hapë më atë si degë, studentët transferohen në degë të tjera brenda fakultetit”, sqaron Xhelaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura