Shpallen fituesit e koncesionit, do ndërtohet digë e re mbi Vjosë

May 3, 2016 | 16:46
SHPËRNDAJE

Në lumin e Vjosës do të ndërtohet një hidrocentral me fuqi të instaluar 99.5 megavat. Top Channel ka mësuar se Ministria e Energjisë ka përmbyllur procedurën e dhënies me koncesion të Hidroncentralit të Poçemit, duke shpallur fitues bashkimin e dy kompanive turke, “Ajen Enerji” dhe “Cinar San Turizm”.

river-in-albania-c1200x600

Gara është zhvilluar përmes një tenderi të hapur ndërkombëtar, por ajo e dy shoqërive turke ishte oferta e vetme pjesmarrëse në tender. Më parë, këto dy kompani ishin shpërblyer nga qeveria edhe me një bonus prej 8 përqind të pikëve si propozuesit e koncesionit të pakërkuar.

Hidrocentrali i Poçemit ka një vlerë investimi të  parashikuar mbi 100 milionë euro dhe pritet të prodhojë 305 milionë kilovat orë energji në vit. Sipas marrëveshjes paraprake, afati për ndërtimin e tij është 36 muaj pas marrjes së lejes së ndërtimit.

Ai i Poçemit është hidrocentrali i dytë që ndërtohet mbi lumin vjosë pas atij të Kalivaçit. Në korrik, kur qeveria shpalli shpërblimin me bonus të dy shoqërive turke, hasi në kundërshtimin e disa shoqatave të ambientalistëve, që kërkojnë pezullimin e planeve për ndërtim hidrocentralesh në këtë zonë.

I gjatë 270 kilometra, lumi Vjosës konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit e egër të Europës, që rrjedh në mënyrë të natyrshme nga burimet në Greqi deri në grykëderdhjen në detin Adriatik.

Planet për ndërtim hidrocentralesh në këtë zonë kanë shkaktuar kundërshtimin jo vetëm nga ambientalistët, por edhe Bashkimi Europian që i ka kërkuar qeverisë mbrojtjen e habitatit të Vjosës.

/ Top Channel /

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura