Shpallen fituesit e fundit, regjistrimet deri të premten

Oct 6, 2015 | 12:36
SHPËRNDAJE

Merr fund ankthi i kandidatëve që shpresuan të fitonin një degë me Formularin A3, nëpërmjet fazës së dytë të pranimeve.

Ministria e Arsimit publikoi dje fituesit për 3152 kuotat e mbetura bosh nga faza e parë. Këta të fundit kanë afat deri në fundjavë të kryejnë regjistrimin pranë fakulteteve, pasi në të kundërt, humbasin shansin e ndjekjes së studimeve në degën e fituar.

matura_2013_rezultatet
Ndërkaq, të hënën e javës që vjen ata do t’u drejtohen auditorëve për nisjen e vitit të ri akademik. Njësoj si në fazën e parë, dhe nga ky raund gare kanë mbetur kuota të lira, kryesisht në universitetet e rretheve. Sipas udhëzimit të Ministrisë, ky ishte shansi i fundit për pretendentët, e për kuotat që mbeten sërish bosh mësohet se nuk do të ketë më pranime.

REGJISTRIMI

Të gjithë ata që kanë fituar një degë me Formularin A3 duhet të shkojnë në sekretaritë mësimore të fakultetit ku janë shpallur fitues deri në datë 09.10.2015. Mësohet se dokumentacioni që nevojitet për këtë fazë është i njëjtë me atë të fazës së parë.

Udhëzimi i MAS nr.27 datë 19.08.2015 ka të përcaktuara qartë katër dokumentet që duhen: Një dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë); dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë dhe deklaratën, e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati fitues në prani të punonjëses së sekretares mësimore, dhe kundër firmoset nga kjo e fundit.

Sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë me dokumentacionin e të dhënat e kandidatëve fitues. Ky i fundit duhet të dorëzohet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve brenda datës 14 tetor, ndërsa lista përfundimtare me të gjithë kandidatët fitues në çdo fakultet të vendit i niset AKP-së një javë pas nisjes së vitit të ri akademik, më 21 tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura