Show mbi fetë, Mustafa Nano: Një manifestim kundër fanatizmit

May 26, 2015 | 14:34
SHPËRNDAJE

Gjithnjë, kurdo, ka gjëra për të thënë, që formatet në të cilat kornizohesh, nuk të lejojnë t’i thuash, apo të paktën t’i shtjellosh si do. Mustafa Nanos apo Much Nanos nuk është se i ka munguar ndonjëherë liria për t’u shprehur, por ndonjëherë lind nevoja e një komunikimi më të drejtpërdrejtë. Kjo është edhe një arsye pse gati një muaj më parë iu propozua publikut me show-n e tij “Dhe profetët dinë… të puthin”.

Mustafa Nano, gjatë show-t “Dhe profetët dinë të … puthin”

Me një stil të shpenguar, sportiv, duke përdorur ironinë dhe autoironinë, Mustafa Nano ndan me publikun në një sallë teatri ca mendime që i vërtiten në kokë mbi fenë, besimet fetare, por edhe mbi ca tema të “nxehta” që preken në librat e shenjtë. Bëhet fjalë për gratë, homoseksualitetin dhe patriotizmin. Mustafa Nano “nuk kursen” myslimanë e të krishterë, Bibël e Kuran, duke na treguar se sa pak tolerantë janë librat e shenjtë dhe se si shfrytëzohen ata prej mendjengushtë- sisë njerëzore. Për të gjithë ata që do të skandalizoheshin prej “blasfemive” të Much Nanos, që guxon të flasë edhe për Krishtin e Muhamedin, gazetari u thotë se jetët tona, përditshmëritë tona janë të mbushura me blasfemi të vogla e të mëdha…

Në rastin e show-t të Nanos, ato do të ishin të “falshme” nëse do të shërbenin për mendjehapjen e shoqërisë shqiptare, si dhe për nxitjen e një debati mbi bashkëjetesën fetare, por edhe mes besimtarëve e jobesimtarëve. Për kë nuk e ka ndjekur këtë “provokim” të gazetarit, “Dhe profetët dinë të… puthin”, rikthehet të enjten në sallën e Teatrit Kombëtar. 

E nisët si një mbrëmje të vetme, por shohim se po i riktheheni e riktheheni skenës… Pa dyshim është publiku që e kërkon këtë. E kishit pritur këtë sukses?
Nuk e kisha menduar këtë reagim të publikut. T’ju them të drejtën, kam pasur edhe dyshimet e pasiguritë e mia në këtë mes. Kisha besim se teksti do të bënte përshtypje, por kisha frikë se mos e katranosja fare rolin e personazhit të skenës, që kisha marrë përsipër të luaja.
Ju duket vetja pak aktor?
Tani, aktor jo. Absolutisht jo. Nuk më rren mendja deri në këtë pikë. Madje, as që do doja të ngjaja, apo të më ngatërronin me një aktor. Nuk është ky qëllimi i asaj që unë kam dashur të bëja. Ky show është konceptuar qysh në krye të herës (dhe unë kështu e shoh edhe sot e kësaj dite), si një zgjatim i asaj që Mustafa Nano ka bërë e bën publikisht. Jam pra në rolin tim të njohur, në rolin e intelektualit që ka gjetur një formë tjetër për t’i thënë gjërat e veta.

Ky është një show, sidoqoftë…
Në fakt, edhe unë vetë e kam pagëzuar me emrin ‘show’ këtë kuturisje timen, por nuk kemi të bëjmë me një show në kuptimin e vërtetë të fjalës. “Leksion publik”, kështu ma quajti dikush. Dhe nuk jam kundër. Mund të merret si një leksion publik. Por… e dini? Nuk jam shumë i shqetësuar lidhur me kategorizimin e shfaqjes. Mund ta quajmë si të duam. Për mua e rëndësishme është që është mirëpritur. Në të gjitha pikëpamjet.

Do të mjaftoheni me Tiranën, mendoni ta çoni show-n tuaj edhe në qytete të tjera?
Po, jam ende këtu. Të enjten kam show-n e katërt në Tiranë. Dhe këtë herë e kam në Teatrin Kombëtar. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do vinte puna të ngjitesha në skenën e këtij Teatri, por jeta është e çuditshme e plot befasira. Do doja të dilja nëpër rrethe dhe një lloj interesi është shfaqur, por nuk e di. Nuk e di nëse mund të vij vërdallë me një show të tillë, nuk di se sa mund të mirëpritet e se sa mund të kuptohet (synimi dhe motivimi im, të paktën) nga një publik i zakonshëm. Jam duke e menduar këtë gjë. Do kisha shumë dëshirë, megjithatë, të shkoja në Prishtinë, në Korçë, në Shkodër, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, etj. Mirëpo… me të parë, me të bërë.

Në fillim u mendua se Mustafa Nano po bënte “provokimin e radhës”, por nuk rezultoi të ishte kështu. Reagimet “negative” në shtypin e shkruar kanë qenë shumë të pakta… Mendoni se shfaqja juaj ka nxitur debatin që pritej?
Në shtypin e shkruar nuk ka pasur as shkrime pro, ç’është e vërteta. Por ka pasur një lloj diskutimi në rrjetet sociale. Dhe këtu më ka gëzuar fakti që reagimet pozitive kanë ardhur veç prej atyre që e kanë ndjekur show-n, ndërsa paragjykimet kanë ardhur prej atyre që s’e kanë idenë se për çfarë, dhe se si flas unë në këtë shfaqje. Përsëris: asnjë shkrim kritik nuk më është bërë prej atyre që më kanë ndjekur në tri shfaqjet e para. Agim Baçi, fjala vjen, që ka shkruar një artikull kritik për “Panoramën”, nuk e ka ndjekur show-n.

Mendoni se tanimë publiku shqiptar është gati të mirëpresë dhe të përtypë në mënyrë “qytetare”, mesazhet e show-t tuaj?
Nuk është se e kam vrarë mendjen për këtë gjë. Unë mendoj se ne duhet të mësohemi që në këtë vend ka vend për të gjithë, ka vend për besimtarë, myslimanë e të krishterë, por ka vend edhe për jofetarë. Ne jemi mësuar këto kohë me protagonizmin, në ndonjë rast të bujshëm, të njerëzve të besimit. Dhe unë personalisht nuk kam asgjë me këtë protagonizëm, për sa kohë që gjithçka mbetet në kufijtë ligjorë e në respekt të interesit publik e të kohezionit kombëtar. Por në të njëjtën kohë besimtarët duhet të mësohen të bashkëjetojnë edhe me jofetarët. Ne duhet të stërvitemi që ta respektojmë, por edhe “ta durojmë”, sho-shoqin. Ne duhet të bëjmë çmos që tolerancën mes besimtarëve të feve të ndryshme nga njëra anë, dhe mes besimtarëve e jobesimtarëve nga ana tjetër, ta shndërrojmë në një normë qytetare. Kjo tolerancë nuk është një optional (nëse duam që këtë komb ta mbajmë gjallë). Dhe unë këtë mesazh e përcjell më shumë se njëherë gjatë show-t tim. Më duhet të them se i gjithë show është një manifestim kundër fanatizmit.

A e kanë ndjekur show-n tuaj klerikë dhe a keni pasur ndonjë reagim prej tyre?
Jo, klerikë nuk kanë ardhur. Në dijeninë time, kuptohet. Do të ishte interesante të vinin dhe klerikë, mirëpo për këtë do të duhej që të ishin të hapur ndaj diskutimeve kulturore, ku vihen në diskutim dogmat e besimit të tyre. Dhe nuk e di se sa të hapur janë klerikët tanë në përgjithësi në këtë drejtim. Por nja dy miq të mitë, mes klerit katolik i njoh si njerëz të hapur për debate të tilla. Dhe ata bëjnë pjesë mes miqve të mi më të mirë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura