Shostakoviç: Tejqyrë për Dje dhe Sot

Jul 21, 2020 | 23:05
SHPËRNDAJE

Nga Atena BishkaAtena Bishka

Me kulturën totalitare të së kaluarës në mendje, më ka ngacmuar prej kohësh jeta dhe vepra e Dmitri Shostakoviçit, pikërisht për shkak të dyzimit ku përsillet ekzistenca e kësaj figure. Dyzimi natyrisht është dukuri e rëndomtë, sidomos mes artistëve ose njerëzve me kreativitet të spikatur.

Të marrim, për shembull, Çaikovskin. Muzikën e tij, ndryshe nga ajo e Shostakoviçit, e dua ta kem gjithnjë me vete. Strehohem aty shpesh me ëndje, që s’ka të vjetëruar. Edhe ai ka qenë i dyzuar dhe neurotik i pashembullt, por problemi i tij nuk ishte politik. Ai gëzoi lavdi e nderim brenda dhe jashë vendit, e zhvilloi lirisht artin, bëri qejf e prishi pará si deshi, edhe s’hoqi keq as për mbështetje financiare, sidomos prej mikes e patrones së artit Nadezhda Von Meck. Por, jetoi me frikë gjithë jetën (përfshirë këtu edhe ankthin e dështimit, “A mos do të ma nxjerrë bojën e të më bëjë gazin e botës kjo që po bëj?”) dhe në fund u detyrua të vetëvritej, duke vuajtur vdekjen e lemerisshme me arsenik (jo ngase e zuri kolera, sepse piu ujë të infektuar siç thuhet rëndom dhe siç e paraqet filmi kitsch The Music Lovers) për t’i shpëtuar skandalit publik e vrasjes së karakterit, që do t’i sillte nxjerrja jashtë e sekretit të pashëlbueshëm të homoseksualitetit të tij.

Kurse, një tjetër rus i spikatur, Solzhenjitsijn, ky ishte një hero shqytar terresh gulagu, me paepshmëri gize e vullnet hekuri, që mbase e kish të pamundur të jetonte i dyzuar, si vdektar i rëndomtë, sidomos pasi i doli për zot syzimit të përimët të ndërgjegjes vetiake, në ferrin e qelisë. Për atë kishte një dhe vetëm një nga dy mundësitë: o e vërteta, o gënjeshtra—por jo të dyja bashkë. Shostakoviç s’ish i tillë. Ai s’e provoi burgun e trupit dhe shpirtit brenda qelisë, por provoi dhe pagoi burgun e shpirtit jashtë qelisë. Ishte shpirt i cfilitur e tragjik, i pazoti për t’i thënë “jo” autoritetit e tiranit, zemërgjerë e i ëmbël, mendjemprehtë e me talent të spikatur, i aftë për të shquar të mirën nga e keqja, që ndërkallte brenda vetes njëherazi heroin, oportunistin dhe burracakun. Tek lexon për jetën e tij, pa të cilën e kotë të rrekesh t’ia kuptosh veprën, njeriu sikur gjen sadopak ngushëllim—atë lloj ngushëllimi dhe identifikimi që zakonisht e gjejmë në botën e filmave a në krahët e letërsisë fiksionale—për mungesën e trimërisë, të metat, caqet dhe mangësitë vetiake.

Dmitri Shostakoviç lindi në 1906 dhe vdiq në 1975. Pra, jeta dhe karriera e tij artistike praktikisht përkojnë me regjimin socialist të BRSS, 1917-1991. E nisi jetën me Leninin. Përjetoi spastrimet dhe dëbimet e Stalinit në vitet 30-të, të cilat u ndoqën sakaq me tmerret e nazizmit dhe Luftën e Dytë Botërore në vitet 40-të. Dhe, natyrisht, kalvari vijoi me vargun e radhës të spastrimeve dhe krimeve të Stalinit prej 1948-ës në 1952-in.

Shostakoviçi e njohu Stalinin personalisht dhe mënd u asgjësua prej tij, një herë në 1936-ën, kur ky e quajti operan Lady Macbeth i Mtsensk-ut, “paçavure dhe jo muzikë”, dhe një herë në 1948-ën për stilin e qortueshëm muzikor, siç vëren Edward Rothstein. Më pas, njohu dhe u grind edhe me Hrushovin. Në fund provoi edhe pushtetin e Brezhnjevit. Dhe pastaj vdiq me zemër e mushkëri të krimbura, ndërsa regjimi i kalbur sovjetik do të mbahej ende në këmbë, po aq i handakosur, edhe për një dekadë e gjysëm. Jo aq me fat sa Kadareja ynë, që të paktën e ka shijuar jetën e lirë në zenit të famës, që prej 30 vjetësh, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.

Më ka grishur kjo baule historike e Shostakoviçit, që mban artistin, krijuesin dhe njeriun brenda kohës, që ia ka shënuar veprën dhe karakterin, si të ishte daltë e pamëshirshme mbi objekt. Sipas dokumentacionit dhe rrëfimeve të tij, mbi të gjitha ishte frika ajo që ia farkoi personalitetin, jetën dhe muzikën, që e bëri të torturohej prej ndjenjës së fajit dhe vetë-përbuzjes. Ishte frika reale që diktonte periudha 1920-1970; ishte e njëjta frikë që përjetonte qytetari i thjeshtë në BRSS (ku viktimat shkuan në mbi 60 milion, krahasuar me rreth 20 milion që korri nazizmi); ishte po ajo frikë që përjetonte edhe qytetari shqiptar i Shqipërisë së vogël (ku numri i viktimave mbase ende hamendësohet, paçka se mendohet se 1 ndër çdo 3 individë ishte informator që kallëzonte deri edhe bashkëshortin a bashkëshorten). Disa herë përjetoi dhimbjen dhe tmerrin që i shkaktuan vrasjet dhe internimet e miqve dhe bashkëpunëtorëve. Disa herë u ndodh pothuaj ballazi me gijotinën politike, ashtu siç provoi edhe depresionin dhe pragun e vetëvrasjes. Sipas rrëfimeve të veta dhe familjarëve, ishte një periudhë kur Shostakoviç, i torturuar psikologjikisht dhe vesveseli pas pastërtisë dhe rregullit, mbante pranë jastëkut një valixhe të vogël me furçën e dhëmbëve, një kallëp sapuni dhe do tesha e sende te domosdoshme brenda, në rast se e ngrinin prej shtrati në mes të natës për ta burgosur e internuar.

Në një peizazh të tillë, jeta dhe veprimtaria krijuese e Shostakoviçit zor të mos ishin edhe  funksion por edhe një fiksion, siç vëren muzikologu Robert Greenberg, i vijës së Partisë Komuniste dhe agjit-propit sovjetik. Donte s’donte, qe stacionuar brenda një loje të detyruar, rregullat e hatashme të së cilës prodhuan tek e fundit edhe artin që e bëjnë Shostakoviçin—të pëlqen ose jo—të pavdekshëm. Dhe, kushedi, pa ato shtrëngesa ose rregulla arti i tij s’do ta kish arritur dot lartësinë ku u ngjit, njëlloj si edhe Kadareja ynë, që ndoshta s’do të ishte bërë ai që është, nëse s’do të luante me kujdes e për të fituar, një lojë pothuaj të pamundur, hiq këtu ndonjë ndërhyrje në trajtë Zeusi shpëtimtar të dikatorit. Paradoksalisht, një lojë pa rregulla, sidomos rregulla të rrepta, ose loja e dizenjuar si liri pa cak, kushedi e ka zor të prodhojë më shumë se kapsllëk artistik e intelektual, banalitet dhe plogështi sado të mbështetura me aradhe ndjekësish (ose varrmihësish, sipas rastit) mediash sociale.

Në librin Dëshmia, Kujtimet e Dmitri Shostakoviç, që u fut fshehurazi në perëndim dhe u prit me polemika e kontroversialitet që kur u botua në SHBA në vitin 1979 e deri ditët e sotme, muzikologu Solomon Volkov, dokumenton kujtimet që Shostakoviç ia rrëfeu në mirëbesim me gojën e tij, prej shtëpisë së vet, kur s’i kish mbetur shumë për të jetuar, ashtu si edhe Bashkimit Sovjetik vetë. Edhe pse historianët dhe kritikët ndahen sa i përket rigorozitetit, motiveve të Volkovit dhe Shostakoviçit, gjasave që të ketë stisje dhe mungesë autenticiteti—që ndoshta s’kanë për t’u shkoqitur ndonjëherë—thelbi mbetet se Shostakoviçi ishte një kompozitor që Stalini dhe regjimi i tij edhe e afronte dhe ia kish nevojën, edhe e kërcënonte dhe e mbante në terror, gjithnjë duke e akuzuar për “formalizëm” dhe ndikime të “modernizmit borgjez”, për “individualizëm të sëmurë” dhe “pesimizëm artistik”, “për frymë negative, këndvështrim dëshpërues dhe mosbesues” (terma këto familjare për shumëkënd që ka jetuar në Shqipërinë e po të njejtit model të para 90-ës). Ishte, pra, një lavjerrës që endej prej njerit cep ekstrem në tjetrin, sipas humorit totalitar stalinist, pa mundur të prehej diku pranë mesit më të paqëm. Kapërcente nga pozicioni “armik i popullit” ose “i degjeneruar” me operën Lady Macbeth në 1936 në “hero i popullit” dhe fitues i çmimit të Stalinit për Quintetin ne G minor në vitin 1941. Po kujt s’do t’i luanin burgjitë vendit?

E shumëpërfolura Simfoni e Shtatë u shkrua në vitin 1941 pas invazionit gjerman dhe u kremtua, si në lindje dhe perëndim, si një vepër kundër gjermanëve, paçka se në një mbrëmje dhjetori të atij viti, Shostakoviç, sipas Flora Litvinovës, fqinjës dhe mikeshës së gruas së tij, thoshte nën zë, dhe jo pa kaluar çaste ngurrimi para se t’i shqiptonte fjalët, se ajo simfoni “nuk ishte për nazizmin, por për sistemin, për totalitarizmin në përgjithësi”. Sipas fjalëve të Shostakoviçit te Dëshmia, Simfonia e Shtatë ose Simfonia e Leningradit, “s’është për Leningradin në rrethim; është për Leningradin që Stalini e shkatërroi dhe Hitleri e përfundoi”. Dukej se lufta shërbeu si pretekst, pa të cilin ndoshta nuk do të kishte Simfoni të Shtatë, ngaqë pikëllimi dhe dëshpërimi që e përshkojnë, s’mund të gjenin dot shprehje në kohë paqeje, kur kanonet e socializmit kërkonin nota e ritme që të shprehnin veç optimizëm e shend.

Simfonia e Shtatë, e cila, pavarësisht sa i kënaq apo jo të gjithë veshët muzikorë sot, e pavarësisht se disa muzikologë e kritikojnë si vulgare dhe derivative, pati sukses të menjëhershëm. Kompozitori finlandez Esa-Pekka Salonen, majde e ka quajtur “të mërzitshme e pa shije” dhe shprehet se merita e mirëfilltë artistike s’mund të gjykohet, as të përligjet me faktorë rrethanorë e kontekstualë, jashtë muzikorë. Mbase kjo është arsyeja që zor të ketë sot shumë njerëz që dëgjojnë Simfoninë e Shtatë të Shostakoviçit prej kufjeve, kur dalin shëtitje. Tema e invazionit që të duket se s’ka të sosur, është e pabukur, por edhe invazioni, lufta e shkatërrimi ashtu janë. Pra, kushedi suksesi vinte për arsye jo artistike, ose mbase atëhere zemrat dhe veshët ishin më të stërvitur për ta pranuar një muzikë të tillë, ngaqë ende ishte herët për t’u engledisur me përpunimet moderne elektronike e DJ të Simfonisë së Pestë së Beethovenit, ase me shumëllojshmërinë e kudogjendur të Katër Stinëve të Vivaldit, që tani kanë hyrë deri në hapësira çfarëdo reklamash dhe publiciteti. Aq i madh qe suksesi i Simfonisë së Shtatë, saqë portreti i Shostakoviçit me helmetë zjarrfikësi në kokë u përshfaq në ballinën e revistës Time.

Time

Tingujt buçitës dëgjoheshin përmes amplifikatorëve në të katër anët e Leningradit të uritur e të rraskapitur të vitit 1942, duke arritur doemos edhe te ushtarët gjermanë në vijën e frontit. Ajo u shndërrua në simbol kulturor të heroizmit dhe qëndresës si në Lindje dhe Perëndim.

Produkt i rrethanave historike, si asnjë kompozitor tjetër, Shostakoviç qe i dënuar të mbijetonte si artist e si njeri përmes dyzimit: tjetër gjë shprehte publikisht e tjetër gjë privatisht, përfshirë këtu krye-ultësinë me të cilën vendoste firmën e tij pa një pa dy, për të shprehur çfarë i diktohej nga lart, për të marrë pjesë në veprimtari partiake, për t’u vetë-kritikuar e për të qortuar veprën e vet. Por, me të afërm e miq Shostakoviçi të tjera gjëra shprehte. Po, sot e gjithë ditën, a s’shohim e bëjmë të njetën gjë? Kam frikë se ndërsa shkruaj, dikush është duke kërkuar të falur, duke denoncuar një sjellje të vetën ose të së tjerëve, duke nxituar të firmosë një peticion, duke ngritur një grusht lart, duke anulluar një ligjëratë!

Siç shkruan E. Rothstain: “Tirani diktonte, tundonte, detyronte, lajkatonte dhe manipulonte. Artisti nënshtrohej, rebelohej, kundërshtonte, fshihej nën rrogoz dhe manipulonte.”. Që të mbijetonte, në një kohë që edhe vetë St. Peterburgut hijerëndë, qyteti i lindjes, ia ndryshuan dy herë emrin, Petrograd (1914-1924) dhe Leningrad (1924-1991), një nga armët mbrojtëse të Shostakoviçit, që në këtë sagë emrash Leningradin zuri ta quajë nën zë St. Leninburg, ishte përvetësimi i rolit “yurodivy” (që do të thotë roli i lolos, a shejtan budallait të shenjtë), sepse fundja vetëm një lolo e ka luksin dhe mundësinë të thotë të vërtetën e të ngjajë si idiot i pafajshëm e i pandëshkueshëm. I duhej, pra, të zotëronte një sërë rolesh: lolon, shtinjakun, krijuesin, dokumentuesin. Dhe shpesh ia doli që, “përmes muzikës, pa shqiptuar asnjë fjalë, të shprehte gjithçka” sikurse Ilia Ehrenburg shkroi duke iu referuar Simfonisë së Tetë.

Jeta e dyzuar, natyrisht, ka kosto dhe Shostakoviçi s’kish si të mos e paguante shtrenjtë në rrafsh psiqik, emocional dhe etik. Duke fjetur në shtrat edhe me artin edhe me politikën, në kontekstin shqiptar, të kujton sidomos dualitetin e marrëdhënies së Kadaresë me Hoxhën e regjimin e tij, por edhe dualitetin e shqiptarëve të thjeshtë që ndryshe flisnin privatisht (shpesh duke e paguar rëndë) e ndryshe flisnin e vepronin në shkollë, në punë, në publik. Shostakoviç, si edhe Kadareja, të dy janë edhe dëshmi parale që na tregojnë gjëra të ngjashme për të dy vendet.

Natyrisht ka nga ata, që janë shprehur dhe do të shprehen se artisti njëlloj (si edhe Kadareja ynë) u përpoq, synonte dhe ia doli ta milte sistemin e të nxirrte përfitime, duke u shpërblyer materialisht, duke shfrytëzuar avantazhe, e duke fituar prestigj social. Fundi, ishte “djali i artë” i muzikës sovjetike, nyjëtoi gjuhën e partisë, u thuri himne fshatit e jetës socialiste, u bë anëtar partie në vitin 1960 dhe nënshkroi një letër kundër Sakharov-it në vitin 1973.

Me çfarë kemi të bëjmë këtu me hipokrizi apo përpjekje për të mbijetuar? Po të mos besosh te vizatimi bardhë e zi, engjëj dhe djaj, me duket se e dyta është padyshim përgjigje më e saktë. Është pyetje e vjetër, por edhe e re, kjo, që ka të bëjë me çdo individ në të të gjitha kohërat, e pavarësisht sa publik apo privat qoftë, i shquar apo i çfarëdoshëm. Dhe është pyetje e vështirë. Sidomos po t’ia bësh vetes duke e pritur përgjigjen prej vetes.

Vlen të bëhet sot, dhe jo vetëm në një vend si Bashkimi Sovjetik që është djepi i socializmit të aplikuar, jo vetëm në Shqipëri me figurat tona publike për të cilat s’biem që s’biem dot dakord në varësi të istikamit ideologjik, por deri te vendet që konsiderohen pararoja të demokracisë e lirisë, sikurse Kanadaja apo Shtetet e Bashkuara. Në këto vende, ndoshta një figurë publike s’ka pse të shkojë deri aty sa, sikurse Shostakoviçi, të mbajë pranë shtratit një torbë me sapun, furçë e pastë dhëmbësh nga frika se mos e kapin në mes të natës prej pizhamash për ta rrasur në ndonjë zis që përfundon në gulag.

Por, ama, sot kur kultura e debatit dhe argumentit, e lirisë së fjalës dhe shprehjes së lirë të ideve, mbi të cilën themelohen sistemet demokratike, ndodhet nën trysninë e censurës dhe auto-censurës, e mungesës së kurajos intelektuale dhe e përkuljes nën peshën e ideologjisë së anullimit, mbylljes së mikrofonave, zhurmimit të dialogut, rrëzimit të statujave e monumenteve, njëlloj tutet si Shostakoviç dikur, se mos shndërrohet në gjah për ringun e turmave dixhitale, se mos humbasë miqtë e vendin e punës, se mos mbetet i vetëm e fillikat në rrugë të madhe, se mos dëmtojë të ardhmen e vet dhe të atyre që ka pranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura