Shoqnia ‘Bashkimi’…fjalori që ribotohet pas 110 vitesh e selia që po rrënohet

Nov 9, 2018 | 17:19
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI/ Frano KulliDyzet vjet më parë, atëherë kur në Prishtinë kryeqendrën e Kosovës, aso kohe krahinë autonome socialiste e Republikës Federative të Jugosllavisë, do të ribotohej i transkriptuar fjalori i “Bashkimit” (FIALUER i Rii i Shcypés. Perbâam Préie Shocniiét t’Bashkimit, shtypur në Shkodër më 1908 dhe që njihet shkurt si Fjalori i Bashkimit), dikush në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë , në Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë iu kujtoi si nën zë e me drojë shefave të vet se është mirë të mendojmë për ta botuar edhe ne Fjalorin e Shoqnisë “Bashkimi”. Dhe bashkëlidhur me sugjerimin, leksikografi , një punëtor i mirë i gjuhës në atë Institut solli argumente mjaft bindëse sipas tij, se pse duhej ribotuar Fjalori i “Bashkimit”.

Fjalori ishte vepra më e rëndësishme e Shoqnisë “Bashkimi”, atij grupi njerëzish që me aq sa dije e kulturë, po aq e më shumë dashni për Shqipërinë, i dhuruan shqipes po në atë vit, nëpërmjet një kongresi historik, alfabetin e gjuhës. Ai është fjalori më i plotë i shqipes deri atëherë pas Fjalorit të Frang Bardhit (1635) dhe të K. Kristoforidhit (botuar më 1904) vepra më e rëndësishme e leksikografisë shqiptare deri në mesin e shek. XX – kumton në parathënien e botimit anastatik, që sapo ka dalë nga shtypi, prof. Xhevat Lloshi.

Dhe teksa leksikografi s’mënonte së sjelli argumente përreth vlerës që kishte fjalori dhe nevojës shkencore po dhe idenditare që ai kishte për gjuhën e shkruar shqipe, shefi atëherë ia pret shkurt, ndonëse me ton “dashamirës”: Jo, jo, mbylle atë bisedë, është punë priftërinjsh ajo punë…Dhe me të vërtetë, gjithë ajo punë , e cila kishte qenë puna më e vlertë e Shoqnisë “Bashkimi” dhe ndër punët më të dobishme për të shërbyer çështjen kombëtare, “punë priftërinjsh qe”…

Në takimin themelues të Shoqërisë “Bashkimi”, më 1899 në Shkodër ishin: imzot Preng Doçi, imzot Lazer Mjeda, Dom Jak Sarreqi, at Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, at Pashk Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët Mati Logoreci, Gaper Beltoja, Ndue Paluca etj.. Ajo u krijua në aso rrethanash historike, kur Porta e Lartë, Perandoria osmane, ndër lëshimet që kish qenë e detyruar të bënte , në lëngatën e fundit të saj qe lejimi i ushtrimit të shqipes në shkollat katolike si detyrim i traktatit me Perandorinë AustroHungareze, i cili merrte në mbrojtje popullatën e besimit katolik në vendet e Ballkanit…

Fjalori me germa latine, prej 538 faqesh dhe me afro 13614 fjalë (sipas Shefkije Islamaj), ishte një udhërrëfyes i pazëvendësueshëm për ngjarjen e ndodhur në Kongresin e Manastirit, më 14-22 nëntor 1908, kur me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të komisionit u vendos që populli shqiptar, pas shumë shekujve të kishte alfabetin e vet unik… Dhe një fjalori të tillë, me vlera të certifikuara shkencërisht si pasuri e madhe e gjuhës shqipe…i vjen radha të ribotohet pas 110 vjetësh. Sapo ka dalë nga shtypi. Sigurisht, si një sipërmarrje private.

Ndërsa shtëpia që ka shërbyer si Seli e Shoqnisë “Bashkimi” në Shkodër është ende në këmbë ngjitur me oborrin e Katedrales. Atë e pati ndërtuar Abati i Mirditës, imzot Prend Doçi. Ka përfunduar në vitin 1893 dhe ka shërbyer prej fillimit si qendër e veprimit atdhetar të prelatëve të klerit, po edhe veprimtarë e të tjerë atdhetarë. Aty janë bërë takimet e Shoqnisë “Bashkimi”, aty janë përgatitur e botuar rreth 30 vepra të shkruara në gjuhën shqipe. Njëherësh, ajo qe edhe selia më e rëndësishme diplomatike shqiptare e kohës, ku bëheshin takimet me përfaqësuesit e huaj, jo vetëm austro-hungarezë, por edhe të vendeve të tjera të Europës që kishin selitë e tyre diplomatike në Shkodër…

Fasada e saj, ndonëse e rrënuar dallon për stilin neoklasik orientuar nga Europa, që kishin filluar të shfaqeshin si risi aso kohe në Shkodër. Ajo flet për një trashëgimi të vlertë kulturore tonën, status të cilin e ka “fituar” zyrtarisht vetëm tani së fundi, para një viti. Falë përpjekjeve të papërkulura të një prifti punëtor kulture si dom Nikë Ukgjini, i cili nuk e ndal përpjekjen e vet me burokracinë e zyrave të kulturës shqiptare. Po burokracia e atyre zyrave dergjet si një ulok i pamundur të bëjë thuajse asgjë për trashëgiminë kulturore. A s’e thonë këtë edhe shtëpitë e Kutelit, të Lasgushit, të Fishtës e Gurakuqit “rrëzuem për dhé?”

Dom Nika s’i ka reshtur përpjekjet jo vetëm me ministreshën e Kulturës, së cilës tani së fundi kanë filluar t’i rrjedhin deklaratat si në zhanrin letrar të “përroit psikik”… Por edhe vetë zotit Kryeministër i ka paraqitur një platformë sesi mund të zgjidhet ngërçi pronësor që kjo shtëpi-seli me vlera të rralla historike e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare të mund të kthehej në misionin e vet. Dhe deri tash, asgja nuk ka lëvizë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura