Shoqëria e denoncuar

Nov 22, 2015 | 12:44
SHPËRNDAJE

agim-baciAGIM BAÇI

A mund të jemi të sigurt se mund të jemi në rrugën e duhur në ndërtimin e shoqërisë së vlerave, kur na mungon guximi për të lexuar atë që ka ndodhur me ne, me prindërit tanë, me gjyshërit tanë, në një sistem ku “syri i partisë” vigjilonte mbi gjithçka? A ka fajtorë të posaçëm apo mund të identifikojmë disa si pjesë e asaj mynxyre nën diktaturë? Cila është përgjegjësia e atyre që nuk kanë folur për atë katrahurë të gjithanshme shpirtërore?

Teksa shfletoja librin “Kadare i denoncuar” të Dashnor Kaloçit, botuar së fundmi nga UET, dhe ndeshja me emra pa fund, që jo vetë atëherë, por edhe në këto 25 vite ndryshimesh politike kanë qenë protagonistë në politikë, në media, në kulturë, në biznes, nuk mund të mos pyesja: Pse shumica e tyre nuk kanë folur kurrë për atë jetë e shpirt të humbur në atë sistem? Përse kjo heshtje për atë që kanë kaluar në jetët e tyre?

Çfarë i bën ata burra e gra që kanë folur e flasin për gjithçka të sotme, që të heshtin për atë ferr që i zhyti aq thellë në humnerën e hiçit, atje ku fytyra e njeriut ishte vështirë të njihej, sepse nuk e linin parullat, nuk e linte frika, nuk e linte hija e së keqes? Heshtja ndaj asaj që kanë parë me sytë e vet, mosdëshmimi për atë trysni, ku njeriu humbte ditë pas dite vetitë e tij dhe kthehej në një makinë pa dinjitet, pa emër, pa kurrfarë kuraje, na ka sjellë në këto vite vijimin e butë të mentalitetit nën diktaturë, duke kontribuar kështu në konsolidimin e një shoqërie që nuk kërkon shumë e dorëzon çdo ditë nga liria e vet, e që vetëm duartroket, por nuk proteston për atë që i takon.

“Njerëzit pranojnë të poshtërohen gjithë njëlloj, por nuk pranojnë kurrë të respektohen njëlloj”, shprehet profesori i Filozofisë Politike në Universitetin e Masaçustes, Glen Tinder, në librin e tij “Mendimi politik”. Një shpjegim i asaj që ka shkuar, e që ndoshta na fut disi edhe në kuptimin e heshtjes totale të atyre njerëzve që, edhe pse kanë jetuar një hap larg ferrit apo brenda tij, nuk kanë mundur ta përçojnë atë. Heshtja e tyre duket sikur thërret për të lexuar faktin e trishtë se ka rënë veçse sistemi, por jo komunizmi.

Për këtë mjafton të shohësh se, 25 vite pas ndryshimeve politike, shumica e ish-pronarëve dhe ishtë përndjekurve nuk kanë arritur dot të gjejnë zgjidhje për atë çfarë u takon, për atë që ai sistem u ka vjedhur e dhunuar. Ndaj shumicës së atyre që kanë pasur mundësi të thonë diçka, ka vijuar një presion, të cilën ata e kanë pranuar pak nga pak, duke çuar drejt harresës dëshminë që na nevojitet, për të ditur ta lexojmë të djeshmen. Edhe librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Visar Zhitit, Spartak Ngjelës, Fatos Lubonjës, Agim Mustës, Lek Previzit, që kanë përshkruar torturat çnjerëzore në qeli e jashtë qelive të asaj kohe, janë diskutuar më shumë në këto vite si libra artistikë, a thua se ishin në kuadër të trillit artistik.

Në fakt, heshtja e derisotme mund të ndikojë që pas disa vitesh ato dëshmi të mbeten pjesë e trillit. Për këtë ka kontribuar edhe moskthimi në vende pelegrinazhi të vendeve si Spaçi e Qafë-Bari, ku fëmijët e sotëm të shihnin me sytë e tyre vendet ku njeriu torturohej si në Mesjetën e errët. Dhe shumica e atyre personazheve që përmenden në një dëshmi komunikimesh për gati 20 vite (1962-1982), edhe pse ka qenë në dijeni të asaj që ka ndodhur me ta dhe miqtë e tyre, madje edhe pse shpesh mund ta ketë kundërshtuar nën zë atë sistem, tashmë ka pranuar të qëndrojë në perandorinë e heshtjes.

Një heshtje që na ka çuar në atë që konsiderohet “Politika e sikur-it” dhe që rrezikon të kthejë në një mashtrim hapat tanë në sistemin demokratik. Por për çfarë do të na duhej dëshmia e atyre për të shkuarën?- mund të pyesë një i ri sot. Madje edhe një që ka jetuar atë kohë. Më së paku, do të kishim një dëshmi. Por jo vetëm kaq. Do të ishte një rrugëtim i mirë për t’u ndarë nga ajo e shkuar si mentalitet, si mendësi. Mosdhënia e kësaj dëshmie, mosdistancimi i qartë nga ai sistem që kthente në kukulla të partisë çdo individi, rrezikon të mbajë ende në fuqi hapin drejt një shoqërie dinjitoze.

Kjo heshtje u ka dhënë kurajën shumë ish-përfaqësuesve të makinës çnjerëzore, që të mbrojnë të shkuarën e tyre, duke mbajtur jo pak herë nën presion për të shkuarën shumë nga ata që i kanë kërcënuar edhe nën diktaturë. Kjo heshtje ka mbajtur në këmbë një makineri që u ka dhënë kurajën ishxhelatëve të ndihen krenarë për të shkuarën e tyre. Dhe të humburit mbetemi ne, të gjithë bashkë, që me një të shkuar të pandriçuar, hedhim ende hapa në errësirë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura