“Shok”, ngjarje të vërteta që sollën sukses. Flet producenti Eshref Durmishi

Jan 17, 2016 | 14:26
SHPËRNDAJE

“Shok”, një film me metrazh të shkurtër, bazuar në histori të vërteta marrë nga ngjarjet e luftës në Kosovë është shpallur zyrtarisht pak dite më parë si një prej kandidatëve për çmimin Oscar në kategorinë e “Filmit të shkurtër live-aksion më të mirë” duke shënuar kështu një moment historik për kinematografinë tonë.
intv.al sjell një intervistë me Eshref Durmishin, producentin dhe në të njëjtën kohë një prej aktorëve të filmit një pjesë e ngjarjeve të së cilit lidhen ngushtë me jetën e tij. Në këtë intervistë ai flet për të gjithë rrugëtimin deri në momentin e nominimit, lidhjes me personazhet dhe se cilat janë pritshmëritë e tij për filmin që deri tani numëron 11 çmime ndërkombëtare.

filmi shok producenti

– Kush është Dragani ne filmin “Shok” dhe cila është marrëdhënia e tij me personazhet në film?
Dragani është një ushtar serb i cili bën tregëti të vogël me Petritin, një prej dy fëmijëve në film. Petriti shpesh herë merr me vete edhe shokun e tij Oki derisa këto takime fillojnë të bëhen të rrezikshme edhe për vetë shoqërinë mes Petriti dhe Okit e cila vihet në rrezik. Në njërën nga skenat Dragani rreh Petritin, ngjarje kjo që mua më ka ndodhur në jetën time reale në kohën e luftës në Kosovë. Jam rrahur nga një polic vetëm sepse po shkoja në shkollë dhe nuk dija të flisja serbisht, pasi siç dihet në ate periudhë e kemi patur të ndaluar shkollimin në gjuhën shqipe!

– Si producent, ju keni qënë që në hapat e para të krijimit të kastit të aktorëve, si u përzgjodhën ato?
Pasi Jamie, regjisori i filmit, kishte përfunduar skenarin nisëm punën që ti bënim bashkë njërezit me të cilët do e realizonim këtë film. Në fillmim u zhvilluan audicionet vetëm për rolet e fëmijëve dhe jemi shumë të lumtur që gjetëm Lumin dhe Andin. Më pas, për rolet e tjera, i kam bërë propozimet regjisorit dhe kemi zgjedhur aktorët më të mirë dhe më të përshtatshëm për këto role!

– Sa e gjatë dhe e vështirë është rruga për të arritur deri në kandidim për çmimin Oscar?
Për të bërë një film është rrugë vërtë e gjatë dhe e mundimshme, sidomos në vendin tonë ku buxheti për filmat asnjëherë nuk është i mjaftueshëm. Por me përkushtimin edhe dashurinë e madhe që secili ka dhënë në këtë film, kemi arritur deri këtu ku jemi.

– A ishin këto pritshmëritë tuaja nga filmi?
Filmi ka patur një rrugëtim të mirë në festivale, ka marrë shumë çmime dhe vërtetë është pëlqyer shumë.

– Falë kujt erdhi ky sukses?
Suksesi erdhi falë punës së pa lodhshme të të gjithë atyre që ishin pjesë e filmit dhe nuk kursyen asgjë për realizimin e tij.

– Çfarë mendon për filmat e tjerë kandidat në kategorinë tuaj?
Filmat e tjerë nuk i kam parë dhe nuk mund të flas shumë, por vetë fakti që në këtë finale janë vetëm pesë nga e gjithë bota është vertetë një konkurencë shumë shumë e madhe!!

– Çfarë do të ndodhë nëse ju fitoni?
Nëse do të fitojmë? Hmmm…. nuk e di se cfarë do të ndodhë! Shpresoj se do mund të qëndroj në këmbë…hahaha /intv.al/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura