“Shok” në Oscars, kritika nxjerr fitues filmin kosovar

Feb 26, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

Parashikimet e nxjerrin fitues, aq më tepër pas shfaqjes në Los Angeles. “Një film që do t’ju trondisë”, shprehen kritikët.

Filmi “Shok”, me regji të Jamie Donoughue, i cili është në garë për Çmimin “Oscar” në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër, është shfaqur në Akademinë e Çmimeve “Oscars” në mbrëmjen e së martës bashkë me filmat e tjerë konkurrues.

Pasi të gjithë filmat janë shfaqur para anëtarëve të Akademisë së Çmimeve “Oscars”, është mbyllur zyrtarisht votimi. Filmi, që përfaqëson Kosovën në garën e madhe të filmit, konkurron me “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay” dhe “Stutterer”.

Nga filmi i nominuar për “Oscar”, “Shokët”
Nga filmi i nominuar për “Oscar”, “Shokët”

“Shok” është një histori miqësie në kohë lufte, copë- za ngjarjesh të bëra bashkë, që rrëfejnë për një nga periudhat më të vështira që ka kaluar populli i Kosovës. Pasi është shfaqur në LA, filmi ka mbledhur reagime shumë pozitive, duke qenë shumë pranë trofeut, por mjafton fakti që ai është një ndër kandidatët për të qenë fitues.

Realizuesit e filmit “Shok” dhe aktorët kryesorë të tij tashmë ndodhen në Los Angeles dhe vetëm dy ditë i ndajnë nga nata e madhe. Ata shprehen të kënaqur për pritjen e publikut dhe atmosferën e krijuar edhe në panelet e diskutimit që janë zhvilluar pas shfaqjes së filmit. Eshref Durmishi, producent i filmit “Shok” për Kosovën, tregon për gazetën kosovare “Zëri” se filmi nga Kosova është pritur shumë mirë.

“Ka pasur duartrokitje kur e kanë marrë vesh se një pjesë e ekipit nga Kosova ishin prezentë në sallë”, ka thënë producenti Durmishi, teksa shton se filmi cilësohet si favorit, por kjo varet nga votat e anëtarëve të Akademisë. “I kam parë edhe filmat e tjerë dhe konkurrenca është shumë e madhe”, shtoi Durmishi. “Të jesh në mesin e pesë filmave më të mirë në botë është vërtet shumë”, tha ai. Aktori Lum Veseli, i cili luan rolin e Petrit te “Shok”, ka treguar si u prit filmi nga anëtarët e Akademisë.

“Kemi qenë prezentë kur kemi dëgjuar frikën e publikut në momente të ndryshme të filmit”, ka thënë ai. “Edhe filmat e tjerë ishin të mrekullueshëm, të linin pa fjalë, pra, konkurrenca është shumë, shumë e madhe”, ka treguar Veseli. Për Arben Zharkun, drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, arritja e filmit “Shok” në “Oscars” tanimë ka hapur shumë dyer, si për regjisorin dhe për producentët e filmit, ashtu edhe për Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe filmin kosovar.

“Tashmë ky film konkurron në mesin e filmave më të mirë të vitit që lamë pas dhe do të jetë pjesë e Akademisë më të madhe të filmit që shikohet nga e gjithë bota”, është shprehur drejtori i QKK-së. Dhe në të vërtetë, kjo është arritja më e madhe e kinematografisë shqiptare përfshirë Kosovën e Shqipërinë.

U bënë vite tashmë që Shqipëria i çon kandidatët e saj në kategorinë e filmit të huaj më të mirë, por asnjëherë nuk i është qasur listës së shkurtër të kandidatëve. Thuajse është kthyer në një rutinë. Të hysh në listën e gjatë të kandidatëve është thjesht një ambicie personale dhe një pikë më shumë me CV-të e regjisorëve e producentëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura