Shkurtaj hero në Greqi, shënon dhe Edmond Kapllani

Dec 8, 2014 | 14:39
SHPËRNDAJE

Vasil Shkurtaj është absolutisht heroi i Niki Volos. Sulmuesi shqiptar, i cili deri para një viti luante edhe për Shpresat e Shqipërisë ka shënuar dy gola në fitoren e djeshme të skuadrës së tij 2-0 ndaj Kalonit.
Ishte një trepikësh që pritej prej gati dy muajsh te kjo skuadër, e cila lundron gjithsesi në vendet e fundit të tabelës. Niki Volos ka vetëm 7 pikë në 12 javë kampionat, duke marrë vetëm dy fitore. E fundit ishte ajo e 18 tetorit të këtij viti 1-0 ndaj Panthrakikos. Ndërsa dje, ndaj Kalonit në plan të parë doli pikërisht Shkurtaj. Sulmuesi shqiptar shënoi fillimisht në minutën e 46-të të pjesës së dytë, pas një gabimi të portierit i cili tentoi të kapë topin, por i rrëshqiti nga duart dhe Shkurtaj nga fare pranë e dërgoi në rrjetë. Më pas sulmuesi shënoi edhe në minutën e 77-të, kur sërish protagonist u bë mbrojtja mike. Një gafë e një mbrojtësi u ndoq si duhet nga sulmuesi Martins, i cili pasoi në hyrje të zonës për Shkurtajn. Ky i fundit përballë portierit e dërgoi topin në trekëndësh, duke i dhënë kështu fitoren skuadrës së tij. Shkurtaj është golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre me tre gola, nga 6 në total që ka shënuar në 12 javë kampionat Niki Volos. Po në Greqi, PAOK-u i Ergys Kaçes ka humbur 4-2 në fushën e Skoda Ksanthi, teksa mesfushori shqiptar ka luajtur si titullar, duke u ndëshkuar edhe me një karton të verdhë në minutën e 52-të. Për të vijuar me kampionatin gjerman, ku Edmond Kapllani ka shënuar një tjetër gol për FSV Frankfurtin, por kjo nuk e ka ndihmuar këtë skuadër që të merrte të paktën një pikë në përballjen në transfertë ndaj Union Berlin, të humbur 2-1. Kapllani e nisi ndeshjen si zëvendësues dhe u hodh në fushë vetëm në pjesën e dytë në 65′, në vend të Omarit. Në minutën e 90-të Kapllani u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrjeje të gabuar, ndërsa në shtesë, ai shfrytëzoi më së miri një krosim nga e djathta dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Pas kësaj humbjeje, FSV Frankfurti mban vendin e 13-të me 18 pikë. Ky ishte goli i pestë sezonal i Kapllanit, pas dopietës së shënuar në FSV Frankfurt-Karlsruhe 2-3 dhe dy golave në ndeshjet: Sandhausen-FSV Frankfurt 0-3 dhe FSV Frankfurt-Bokum 1-5. Në takimin e djeshëm nuk ishte i grumbulluar për shkak dëmtimi Odise Roshi.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura