Shkrimtarja spanjolle: “As unë dhe as letërsia ime nuk njohim kufij kombëtarë”

Apr 27, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Sado të përpiqet të qëndrojë jashtë, të vendosë kufij, shkrimtari do të jetë gjithnjë brenda krijimeve të tij. Edhe në mos qoftë ai vetë, janë ngjarjet që jeton, miqtë, bisedat, udhëtimet e tij. Të gjitha këto mund t’i tregojë vetëm si frymëzime, ama kush mund ta vërë kufirin, në mos ai vetë?!

3481634w-640x640x80

Shkrimtarja spanjolle Raquel Martinez Gomez, së cilës sapo i është përkthyer në shqip nga “Toena” romani “Hije të Njëbrirëshit”, për këto shkruan “Më frymëzojnë njerëzit me të cilët flas dhe ndërtoj nga pak shqetësimet, ankthet e tyre. Pra, lënda e parë është realiteti, ajo çka na ndodh si qenie njerëzore, edhe pse më pas pa dyshim ka një proces krijimtarie, trillimi”. Edhe romani i saj i fundit, ai për të cilin është ftuar në Tiranë, është shumë realist dhe bazuar pikërisht në realitet fton për të kuptuar se çfarë ndodh brenda nesh.

Gomez sapo ka fituar Çmimin Europian të Letërsisë dhe ky roman është shtrirë ndërkombëtarisht, duke u përkthyer në 7 gjuhë të botës. Thuajse të gjitha këto vende i ka shkelur, sepse ajo atë bën, udhëton. Ka jetuar në disa shtete të Amerikës Latine, ndërsa tani është vendosur në Uruguai. “Në fillim do të doja të thosha se jam një njeri që nuk u kushton shumë rëndësi kufijve kombëtarë.

Kështu ndiej shpesh se në të njëjtin vend gjithçka është e ndryshme dhe nëse përgjithësoj, edhe pse ndajmë të njëjtën gjuhë, ka këndvështrime të ndryshme dhe e ndiej të nevojshme që të përzihen, të infektohen nga njëri-tjetri. Kam pasur fatin të vizitoj shtete ku ka pasur realitete shumë dukshëm të egër, ku kam mësuar shumë sepse edhe në këtë realitet të egër që të përplaset në fytyrë ka mrekulli dhe gjëra të bukura, dhe njerëz që përpiqen çdo ditë ta ndryshojnë këtë realitet.

DSC_8970

Me këtë nuk dua të them se Europa është më e mirë se vendet e Amerikës Latine, por në Meksikë, për shembull, pabarazia është shumë e qartë, e dukshme. Megjithëse edhe Europa ka ende shumë punë për të bërë për të ndryshuar pabarazinë. Tani jetoj në Uruguai, që është një vend shumë i këndshëm, i cili më pëlqen dhe gjej shumë ngjashmëri me Shqipërinë. Ende ka shumë natyrë të virgjër dhe se është në një moment ku ende mund të merren vendime në favor të një modeli zhvillimi me tipare njerëzore”.

Edhe protagonistja e romanit të saj këtë bën, udhëton. Vetëm se Klaudia ka bërë të kundërtën. Fillimin e ri e kërkon pasi lë Argjentinën për të udhëtuar drejt Spanjës. “Besoj se të në të gjithë personazhet gjendet pak shkrimtarja. Përpiqem të mos shfaqem, por gjithmonë me del një gjurmë. Është e vërtetë që po përpiqet të nisë një jetë të re, por është e vetëdijshme se është e pamundur t’ia nisësh nga zeroja.

Ka vraga në trup që e kujtojnë, një shenjë në parakrah që e kujton mbi përpjekjen për vetëvrasje dhe sa herë sheh shollën e këpucës së saj ka ende baltë të kuqe të xhunglës së Misiones ku ka jetuar, të cilën nuk mund ta heqë”. Një tjetër anë e shkrimtares që s’mund ta mbajë larg të shkruarit është gazetaria. Ata që do të lexojnë romanin, do ta ndiejnë punën investiguese të shkrimtares, sado që aty vjen e ndërthurur me elemente “fiction”.

 

Raquel-Martinez-768x512

“Është përzierje, te libri i fundit në fakt kam bërë mjaft investigim dhe ka një këndvështrim të kureshtjes së gazetares. Por arrij të dalloj se ka dy lloj gazetarie; gazetaria që bën analizën dhe ajo e raportimit. Një gazetari që për përkohshmërinë e jetës apo kohën e paktë që disponon, por edhe për përpjekjet për manipulim që i bëhen gazetarisë apo servilizmit dhe shkon pak kundër me atë çka më kanë mësuar në fakultet.

Mund të bëhet njëkohësisht edhe kritikë në gazetari. Është një autor kilian i përkthyer edhe në shqip, Robert Bolanjo, dhe një prej librave të tij është një nga gjërat më të mira të shkruara në spanjisht vitet e fundit, është ‘2666’ dhe ka shumë kritikë ndaj gazetarisë servile dhe gazetarin e quan Çuço, që në spanjisht do të thotë një lloj qeni i vogël, por në të njëjtën kohë në këtë roman shfaqen gazetarë të tjerë që janë heronjtë sepse nxjerrin të vërtetën, edhe pse e dinë se në një vend si Meksika po të flasësh për pabarazitë dhe të drejtat e njeriut, mund të të kushtojë jetën.

Mendoj se në mënyrë të pavullnetshme dhe po e kuptoj vetëm tani se në librin tim të fundit dalin në pah këto dy anë të gazetarisë”. Shkrimtarja spanjolle Raquel Martinez Gomes erdhi në Tiranë e ftuar nga shtëpia botuese “Toena” dhe Ambasada Spanjolle. Aktualisht, sapo ka përfunduar së shkruari një tjetër roman që shpreson se do të vijë edhe në Shqipëri, “Hiri i Ombus”.

Ndërkaq, ka në dorë edhe disa tregime, ngjarjet e të cilëve ndodhin në vende të ndryshme të botës, një- soj siç ajo ka zgjedhur ta mendojë jetën, pa kufij kombëtarë.

“Hije të Njëbrirëshit”

Klaudia, një gazetare e lindur në Oviedo por rritur në Argjentinë kthehet në Spanjë me qëllim për të filluar një jetë të re. Vendoset në Madrid dhe fillon të punojë te “Njëbrirëshi”. Aty njihet me Edgarin, një meksikan nga një shtresë e lartë sociale, i cili kërkon gjithashtu të largohet nga një e kaluar e trazuar. Ashtu si ajo qenia e trilluar që banon në imagjinatën dhe dëshirat tona, edhe protagonistët e këtij romani kalojnë përmes të njëjtit dualitet dhe jetojnë midis asaj që dëshirojnë të jenë dhe asaj që janë në të vërtetë. ”Hije të Njëbrirëshit”, një roman mbi kuptimin e jetës, edhe nëse duhet ta nisësh atë nga e para.

“Ngjyra e Llavës” është një vepër që e kam shkruar kur ende nuk i kisha mbushur 30 vjeç. Ndaj ka diçka rreth kërkimit, sepse në dhjetëvjeçarin 20-30 jemi gjithnjë në kërkim të diçkaje. Ndërsa dy romanet e fundit ”Boshllëqet e Kujtesës” dhe ”Hiri i Ombus” i konsideroj romane më të pjekur, ku mendoj se kam grumbulluar të gjithën njohuritë dhe përvojën time.

“Boshllëqet e Kujtesës” është një roman që flet për mërgimin e brendshëm të një gruaje, që ka jetuar në diktaturën e Frankos në Spanjë. Një grua, e cila ka si qëllim të mërgojë edhe gjeografikisht nga vendi, por nuk mundet sepse është grua dhe nënë, por edhe për shkak të kushteve që e rrethojnë; një sistem maçist dhe diktatorial në natyrë që pengonte lirinë. Ndërsa në romanin e fundit “Hiri i Ombus” kam përfshirë atë që i quaj katër mallkimet e kohës moderne; Shkatërrimi i mjedisit, Patriarkalizmi, Fundamentalizmi kulturor dhe Kapitalizmi i egër apo Neoliberalizmi.

Këto janë katër temat e lidhura edhe me shfrytëzimin e jashtëligjshëm të minierave dhe me pastrimin e parave, diçka aktuale që lidhet me skandalin e Panamasë dhe si një temë në sfond, por që ndihet, është harresa që u kemi bërë emigrantëve të luftës së Sirisë, sepse po ndodh jo shumë larg nesh, por shumë pak bëjmë për ta ndryshuar këtë realitet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura