Shkrimtarja gjermane: Një personazh shqiptar do të jetë në krijimet e mia

Oct 30, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Darka e saj e fundit në Shqipëri ishte te “Hemingway Bar” për të lexuar edhe njëherë copëza tregimesh. Shkrimtarja gjermane Karen Köhler sapo mbylli muajin e qëndrimit në Rezidencën e Shkrimtarit dhe Përkthyesit Letrar “Tirana in Between”. Ardhja e saj në rezidencën letrare ishte pjesë e programeve “Tetori gjerman”, realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me projektin “POETEKA”.

Karen Kohler
Karen Kohler

Prej pak ditësh është rikthyer në vendin e saj, por me Shqipërinë në mendje; vendin që deri dje nuk e njihte nga asgjë tjetër përveç emigrantëve që donin të zhvendoseshin në vendin e saj. Ndërsa sot, Shqipëria që njohu, njerëzit që e mirëpritën, mund të jenë pjesë e krijimeve të së ardhmes. “Kur më ftuan të qëndroja këtu mendova: “Është interesante që një prej personazheve të romanit mund të jetë nga Shqipëria”.

Erdha dhe po kërkoja si ta vendosja në këtë shoqëri. Tani po mendoj se mbase nuk është nga Shqipëria, sepse nuk dija asgjë për këtë vend më parë. E vetmja gjë për të cilën kisha dëgjuar, ishin refugjatët që vinin nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Zbulova gjithë këto gjëra dhe u njoha me kulturën dhe më vjen pak turp se sa pak dija dhe sa paragjykuese isha. Mendova se ishte një vend i pazhvilluar dhe i varfër, dhe vij këtu dhe shoh gjithë këtë urbanizëm që pulson dhe artistë e krijues të rinj. Jam shumë e befasuar dhe mund të shoh gjithashtu se ka njerëz të varfër që jetojnë dhe e kuptoj pse duan të largohen dhe të provojnë fatin diku tjetër.

E kuptoj edhe se situata politika nuk është shumë e lehtë. I shoh të gjitha vështirësitë, por tani e kam idenë dhe po kërkoj mënyrën se si ky personazh mund të implantohet në këtë shoqëri. Mendoj se nga dita kur kam ardhur këtu kam mësuar diçka, kam krijuar kontakte, kam folur me njerëz normalë dhe mendoj edhe të kthehem për ta njohur më mirë këtë kulturë”, thotë Karen.

Këtë muaj nuk e ka kaluar vetëm në Tiranë. Përveçse në Shkodër, qytet që përfshihej në programin e aktiviteteve, ka udhëtuar nga Berati e deri në Himarë. Por nuk është vetëm ajo që do të njohë Shqipërinë. Edhe lexuesi shqiptar do të njihet më shumë me të.

Karen KÖHLER, me kostum popullor shqiptar, foto të realizuara nga Roland Tasho
Karen KÖHLER, me kostum popullor shqiptar, foto të realizuara nga Roland Tasho

KRIJIMTARIA
“Ne kemi kapur raketa me grep” është përmbledhja me tregime të shkurtra e Karen Köhler, me 50 mijë kopje të shitura në vendet gjermanishtfolëse, duke i dhënë edhe disa çmime të rëndësishme letrare shkrimtares, të cilën kritika nuk është menduar gjatë për ta quajtur “yll në ngjitje” i letërsisë gjermane. Pasi është përkthyer në gjuhën holandeze, libri vjen edhe në shqip me përkthimin e Sokol Micit, botuar nga “Dudaj”. Përveçse përmes letërsisë, Karen tërhoqi vëmendjen edhe me një fotografi, që në fakt ishte pjesë e një seti të realizuara nga Roland Tasho, pjesë e pjesë e koleksionit të shkrimtarëve rezidentë “From Tirana with Love”.

Kjo e fundit duket si një kartolinë e bukur, e ndryshme nga temat e tregimeve të saj që i kanë këmbët të shtrira në tokë. “Nuk mund të shkruaj për jetën e lumtur dhe fatlume, sepse jetët tona nuk janë të tilla. Nën sipërfaqet e lëkurës ka plagë në jetën e gjithsecilit. Zakonisht i fshehim, nuk duam t’i shfaqim, por ato janë aty. Kjo na bën njerëzorë dhe kjo është arsye pse i zgjedh këto tema”. E meqenëse tema ka peshën e saj, autorja e lehtëson me stilin. Nuk mund të tregosh diçka të rëndë me një stil të rëndë, pohon vetë. Si për të rënduar realitetin, meqenëse ato mund të jenë më të prekurat, të gjitha protagonistet e tregimeve të shkurtra të autores gjermane janë femra.

Kjo nuk do të thotë që janë të dobëta, përkundrazi, janë krenare e të forta. Nëse ju duket dramatik krijimi i saj, është pikërisht sepse mund të ketë lindur brenda një drame. Karen Köhler ka studiuar për Aktrim dhe ka punuar jo pak, por 12 vjet në profesionin e saj. Shkrimet e saj të para kanë qenë pjesët teatrore, dialogët e teatrit, prandaj edhe këta të fundit gjenden pa kursim në tregimet e saj. Se çdo të ketë në tregimin a romanin e radhës, nuk e dimë ende, ajo që dimë me siguri është që në të do të ketë një personazh shqiptar që do të udhëtojë nëpër imagjinatën gjermane.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura