Shkrimtarja amerikane Siri Hustvedt: Gratë i detyrojnë të jenë të reja, secili zgjedh vetë se si të plaket

Jun 10, 2013 | 15:26
SHPËRNDAJE

Shkrimtarja amerikane, që nuk e fsheh se është feministe, sjell në shqip një roman kushtuar grave. Jeta e një femre, nga lindja në vdekje, mes dhimbjes, auto-ironisë dhe humorit.

Siri Hustvedt na sugjeron një “Verë pa burra”. Kështu titullohet romani i autores amerikane, që vjen në shqip përmes shtëpisë botuese “Pegi”. Të duket një libër rozë, por nuk është aspak i tillë. Hustvedt përpiqet të zbulojë botën femërore, që në fëmijërinë e hershme, kur luan me shokët imagjinarë, te plakja e ikja nga kjo jetë me ca të fshehta, që s’ke mundur dot t’i thuash me zë të lartë. Në qendër është Mia, një poete, që ka prekur fundin për shkak të ndarjes me të shoqin. Rreth saj vërtiten gra të vogla e të mëdha, secila me historinë e vet në marrëdhënie me burrat, me prindërit, me fëmijët e mbi të gjitha, me veten. Në përpjekje për t’i shpëtuar çmendisë e për të gjetur veten Mia bëhet secila prej nesh. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, shkrimtarja Siri Hustvedt na tregon se si mund të jetë “Një verë pa burra”.

Kjo është hera e parë që një nga veprat tuaja përkthehet në shqip. Çfarë menduat kur e mësuat këtë gjë?
Isha shumë e lumtur kur zbulova se një nga librat e mi ishte përkthyer në shqip. Ishte një nder.
Si lindi “Një verë pa burra”?
Dy romanet pararendëse të “Një verë pa burra” – “What I loved” dhe “The sorrows of an American” -kishin të dy narratorë meshkuj. M’u deshën dhjetë vjet që t’i shkruaja dhe e gjeta veten me një dëshirë të madhe për t’iu kthyer një zëri femëror. Në fakt, doja të shkruaja një libër për vajzat dhe gratë, në të cilin burrat nuk figuronin përveçse në e-mail-e, mendime ose në distancë. Gjithashtu doja edhe të shkruaja një komedi, diçka që nuk e kisha bërë më parë. Fillova të dëgjoj një zë në kokën time, kaustik, ironik, të gjallë. Ky i përkiste Mias, dhe ja që më erdhi fjalia e parë. Jo nuk është një histori nga jeta ime, por kam njohur njerëz të braktisur papritur nga një bashkëshort, dhe kam dëgjuar shumë histori të ngjashme me atë që tregoj në libër. Në fakt, është një histori banale. Por, nuk është banale mënyra se si Mia e tregon.
Mia, personazhi kryesor i libri, është kaq e çuditshme… Sa jeni ju ajo?
Ju duket e çuditshme? Mua më pëlqen shumë. Unë jam një romanciere, eseiste dhe intelektuale. Me siguri ka diçka nga vetja ime te Mia, por zëri i saj është shumë ndryshe nga i imi, për shembull nga ai që unë përdor kur shkruaj ese. Jam shumë më e kujdesshme në tonet e mia, më pak e egër, por më pëlqeu të jetoja tërbimin dhe ironinë e Mias. Ishte një kënaqësi e mirëfilltë, por ajo është një personazh që shpika, jo një pasqyrë.
Përveç Borisit, i cili nuk është edhe aq aktiv, të gjitha personazhet e tjera në libër janë femra që krijojnë lidhje me njëra-tjetrën. Pse donit të shkruanit specifikisht mbi lidhjet midis grave?
Siç e thashë më parë, doja të tregoja për gratë dhe t’i mbaja burrat në sfond. Megjithëse dy romanet e mia të para ishin për gratë e reja, doja që personazhet e këtij libri të radhiteshin nga një moshë e shumë e re e deri te një moshë shumë e vjetër. Nëna ime, tashmë 90 vjeçe dhe e ve, jeton në një kompleks për njerëz të moshuar. E kam vizituar shpesh. Disa nga shoqet e saj më frymëzuan për gratë e moshuara në libër, megjithëse asnjë personazh nuk është marrë drejtpërdrejt nga jeta. I vetmi personazh mashkull që paraqitet i tëri (nëse mund ta themi këtë) është foshnja Simon, ende pa fjalë dhe tërësisht i varur te e ëma. Kjo ishte e qëllimshme. Foshnja jeton në botën e grave.
Në Shtetet e Bashkuara, gratë fituan të drejtën e votës në 1920, në të njëjtin vit me Shqipërinë. Nuk kanë kaluar as njëqind vjet – vetëm një brez më parë – dhe është jetësore që të kujtojmë se sa vonë gratë u bënë qytetare të mirëfillta të shumë shteteve dhe që ka ende shumë vende të tjera ku të drejtat e tyre janë të kufizuara. Seksizmi gjendej gjithandej, megjithatë vajzat dhe gratë janë thellësisht të prekura nga ndikimi i tij gërryes. Secila nga personazhet e mia është e prekur nga ide mbi femërinë e saj, ide kulturore që i japin formë perceptimit të vetvetes. Është parësore që të analizojmë paragjykimet tona, shumë nga të cilat gjenden në nëndije dhe ndikojnë gratë po aq sa burrat. Përndryshe do të përjetësojmë idetë e liga të trashëguara.  
Ka një erë të fortë feminizmi në librin tuaj – do ta përkufizonit veten si feministe? Pse, ose pse jo?
Për mua ky roman është një komedi feministe. Unë jam një feministe e bindur. Ka diçka të trishtë në lidhje me gratë që ngurojnë ta identifikojnë veten e tyre si feministe. Unë mendoj se kjo mosrehati vjen nga fakti që gratë janë dënuar kur kanë qenë agresive, me pikëpamje të forta, kur kanë insistuar te të drejtat e tyre. Shoqëria pret që gratë të jenë “të këndshme” në mënyra që nuk i pret kurrë nga burrat.
I gjithë romani rrotullohet mbi çështjen e “njëjësisë” dhe “dallimit”, duke filluar që nga epigrafi që mora nga filmi hollivudian “The Awful truth” e deri te diskutimi i Mias mbi problemin e lashtë filozofik të ndryshimit (kur një gjë kthehet në një tjetër dhe si mund t’i dallojmë ato); deri te shakatë e saj mbi “Republikën” e Platonit dhe debatin e tij nëse gratë duhen lejuar në qeverisjen e shoqërisë së tij ideale; deri te shakatë e vazhdueshme të Mias mbi seksizmin në shkencën e kaluar apo në neurobiologjinë e sotme; deri te interpretimi historik i dallimeve seksuale; deri te ironia mbi organet gjenitale; deri te historia e Alisas, vajza që dëbohet nga grupi i vajzave pasi është “ndryshe”, deri te fakti që librat që shkruhen nga gratë merren me më pak “seriozitet” se librat e shkruar nga burrat. Unë jam me gjithë zemër dakord me këtë thënie të Mias: “Nuk është se midis burrave dhe grave nuk ka dallime; puna është se sa ndryshime sjellin këto dallime dhe se ç’formë zgjedhim t’u japim atyre”. Ajo gjithashtu shkruan më pas në libër. “Ka tragjedi, por ka edhe komedi, apo jo? Dhe shpesh ato janë më shumë të njëjta, sesa të ndryshme, sikurse burrat dhe gratë, po të më pyesni mua. Një komedi varet nga ndalimi i historisë pikërisht në momentin e duhur.” Unë e ndaloj historinë në momentin e duhur. Gjithashtu duhet thënë se fjalët e fundit janë marrë nga kinemaja: ERRËSIM. Ky libër është shumë i vetëdijshëm që është një vepër arti.
Njerëzit rriten dhe plaken dhe gratë në librin tuaj janë shumë të vetëdijshme për këtë fakt të jetës. Cili është qëndrimi juaj rreth moshës? Çfarë mendoni mbi teknikat gjithmonë e më të sofistikuara të fshehjes së moshës së dikujt?
Unë jam 58 vjeçe dhe jam shumë e ndërgjegjshme për faktin se jeta ime do të mbarojë. Shpresoj të plakem dhe të qëndroj shëndoshë dhe me mendje të qartë. Kam shumë libra të tjerë për të shkruar. Nuk i gjykoj njerëzit që ndryshojnë fytyrat ose trupat e tyre për t’u dukur më të rinj. Jam e bindur që tradicionalisht është ushtruar më shumë presion te gratë për të qenë të reja dhe tërheqëse, dhe që ta ndërtosh identitetin tënd mbi rininë ose pamjen e jashtme është e gabuar. Por, përveç këtyre, çdo person duhet të vendosë vetë se si të plaket.
Në librin tuaj ka një listë të gjatë shkrimtarësh dhe poetësh: kush është i parapëlqyeri juaj dhe kush ju ka ndikuar më shumë? Cili është libri juaj i parapëlqyer?
Unë kam qenë një lexuese fanatike që në fëmijëri. Lexoj tre deri në katër orë çdo pasdite, pasi kam shkruar për rreth gjashtë orë. Filloj të shkruaj në mëngjes. Lexoj letërsi, filozofi dhe shumë shkencë. E kam shumë të vështirë të zgjedh një të vetëm. Ka kaq shumë shkrimtarë që dua. Emily Brontë dhe Dickens ishin vërtet të rëndësishëm për mua kur isha shumë e re dhe kanë ngelur të tillë, po aq sa ishin poetët Emily Dickinson dhe William Blake, të cilin e lexova për herë të parë kur isha njëmbëdhjetë vjeçe. Henry James, George Eliot, Fyodor Dostoyevsky, Franz Kafka, por edhe shkrimtarë më të errët, si Djuna Barnes, kanë lënë shenjat e tyre mbi mua…
Ju keni një histori personale me migrena dhe një tërheqje të gjatë për psikoanalizën dhe veprën e Freud-it. Në Shqipëri ekziston ende një tabu shoqërore e madhe mbi të shkuarit te një psikoanalist. Nëse duhet të na bindnit ta hiqnim këtë tabelën “e ndaluar”, çfarë do të thoshit?
Do të thosha që “kura e fjalëve” funksionon. Do të thosha që psikoanaliza është një lloj dialogu me një tjetër person që na e bën të mundur të shohim se si jemi të formuar nga zakone dhe trajta të nëndijshme. Kur këto trajte bëhen të vetëdijshme, atëherë ndryshimi është i mundur. Doktoresha S. (së cilës, meqë ra fjala, i fillon emri me S si mua) e ndihmon Mian në libër.
Cilat do të ishin këshillat tuaja për shkrimtarët e rinj që shpresojnë të zbulohen/botohen?
Gjëja e parë, do të thosha: lexoni. Nuk mund të shkruani nëse nuk lexoni. E dyta, mos shkruani nga jashtë-brenda. Shkruani nga brenda-jashtë. Me këtë dua të them që një shkrim i mirë është gjithmonë urgjent dhe i nevojshëm. Nuk ka të bëjë me konventat. Nuk ka rregulla kur shkruhet letërsi. E treta: qetësohuni. Tensioni është armiku i artit. Tensioni krijon bllokime. Druaj se nuk kam këshilla të tjera. Çdo shkrimtar është ndryshe nga një tjetër shkrimtar, që do të thotë se udha e secilit është e veçantë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura