Shkrimtari i rikthehet debatit: U kërcënova me jetë për filmat e komunizmit

Nov 21, 2017 | 14:28
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Shkrimtari Agron Tufa, njëkohësisht drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, deklaron se ka marrë kërcënime me jetë për nismën që ndërmori disa muaj më parë për ndalimin e filmave të komunizmit.

tufa

Në fjalën e mbajtur në konferencën “Ditët e Kujtesës”, Tufa pranoi se vijon t’i qëndrojë kërkesës së bërë pak muaj më parë, duke theksuar se këta filma penalizojnë njerëz që kushtetuta e Shqipërisë i jep liri dhe të drejta të barabarta me të tjerët.

“Kemi ngritur çështje për të ndërhyrë në ligj për trashëgiminë e komunizmit në kulturë që vazhdon. Ajo trashëgimi kriminale të riciklohet dhe të ripenalizojë, të rivrasë, të ridënojë të njëjtën klasë që dikur ka qenë në kampet me telat me gjemba në burgje dhe janë pushkatuar. E kam fjalën më konkretisht për debatin e nxehtë për filmat kriminalë të komunizmit që qarkullojnë non stop sot e gjithë ditën në ekrane. Filma që penalizojnë përsëri njerëzit që në bazë të Kushtetutës së sotme u garantohen liritë dhe të drejtat. Nuk ka pasur asnjë reagim shtetëror për këtë. Madje jam kërcënuar me jetë publikisht. Këto gjëra ne i bëjmë me zemër, me ndjeshmëri dhe duke respektuar ligjin”, deklaroi Tufa.

Për shkrimtarin e njohur, ndonëse regjimi komunist ra formalisht në vitin 1991, marrëdhëniet me të vijojnë të mbeten të hapura. Tufa kujton gjyqin qesharak të bërë ndaj ishanëtarëve të Komitetit Qendror, të cilët u gjykuan nga ishvartësit e tyre.

“Ligji për krimet kundër njerëzimin nxori në pah një sërë kallëzimesh penale dhe gjyqesh që ndodhën në ’95-’96 me përgjegjësit më kryesorë të stalinizmit shqiptar, me Komitetin Qendror, me ishudhëheqësin e asaj kohe, Ramiz Alia, me vejushën e ish-diktatorit, Nexhmije Hoxha. Por sesi përfundoi, ishte karikatura se kush do t’i gjykonte këto krime dhe kriminelë. Sistemi i drejtësisë ishte në dorën e po këtyre prokurorëve të regjimit enverist. Ata do të gjykonin zotërinjtë e tyre. Pra, u mbyll kjo histori e sikletshme dhe e trishtueshme. Në mos gaboj, akuza që u ngrit ndaj tyre ishte ‘Për tejkalim të shpenzimeve për pritje dhe kafe’-tha Tufa.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura