Shkrimi në media, Mark Frroku u dënua nga gjykata belge me 10 vjet për vrasjen e një shqiptari në 1999. Përplasja me SMS me Topallin në Kuvend

Mar 28, 2015 | 8:22
SHPËRNDAJE

Mediat belge publikuan rreth një vit më parë një lajm të një vrasje që ishte bërë në vitin 1999, ku një shqiptar ishte vrarë nga katër persona.

Faksimile e artikullit të publikuar nga portali belg “Nord Eclair.Be”

Sipas gazetës “La Meuse”, njëri prej autorëve të ngjarjes sot zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe për shkak të imunitetit që ka, mund të mos vuajë dënimin në Belgjkë.

9 janar 2014

Në fillim të vitit të kaluar mediat belge shkruan se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku është dënuar me 10 vjet burg në mungesë në vitin 2010.

Ai është dënuar për vrasje dhe prostitucion. Dënimi i katër personave, mes të cilëve edhe Mark Frroku, ka ardhur për vrasjen e një shoku, Aleksandër Kurti, i vrarë me thikë dhjetë vjet më parë, në 5 mars të vitit 1999 në  Midi.

Në bazë të denoncimeve anonime katër shqiptarë, njëri prej tyre Besnik Morina, i njohur si Mark Frroku, 41 vjeç dhe Arjan Bytyçi, 36 vjeç, tutorë, janë liruar nga autoritetet belge para se të përfundonte gjykimi i tyre nga gjykata në Bruksel në janar 2010.

“Që prej këtij momenti, shtrohet pyetja nëse Frroku gëzon apo jo imunitet parlamentar? Sigurisht jo në Belgjikë, ku teorikisht ai mund t’i nënshtrohet gjykimit, meqë faktet, fajësimi dhe rikthimi i procesit në gjykatë kanë ndodhur para zgjedhjes së tij deputet. Asgjë s’na pengon, thotë një njohës i jurisprudencës. Po Shqipëria, do ta ekstradonte gjithsesi njërin prej deputetëve të saj? Asgjë nuk është më e sigurtë.”- shkruan gazeta La Meuse.

10 janar 2014

Deputeti Mark Frroku reagoi pas lajmit të publikuar fillimisht nga mediat belge dhe më pas edhe ato shqiptare. Frroku e cilëson lajmin të pavërtetë dhe të nxitur politikisht. Sipas deputetit të parlamentit shqiptar, ndaj tij nuk ka asnjë dënim penal në asnjë vend të botës.

“Deklaroj me pergjegjesi të plotë se si qytetar shqiptar, njekohesisht edhe qytetar amerikan, nuk kam asnje kundra-vajtje apo denim penal ne asnje vend te botes. Jam zgjedhur deputet me votat e popullit te nderuar te Shkodres dhe te Pukes, dhe i garantoj te gjithe votuesit e mi dhe Partise Kristian Demokrate, se deputeti Mark Frroku nuk ka asnje problem me drejtesinë. Lidhur me akuzen apo denimin e trilluar sot nga media, drejtesia e vendit ne fjale nuk ka asnje akuze apo denim ndaj meje. Media ti riferohet institucioneve zyrtare belge dhe te mos perhape te paverteta dhe shpifje kaq absurde.”- shkruan Frroku ne reagimin e tij.

30 janar 2014 (ora 12:00)

Pas publikimit të lajmit në mediat belge, ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mbajti një fjalim në Parlament ku tha se një deputet i akuzuar në Belgjikë sot gjendet në sallën e Kuvendit.

“Para disa ditësh, një gazetë belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit, që akuzohej për vepra të rënda penale, trafiqe etj. Unë nuk di cili do jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë Kryeministrit: Fol e shpjego. Quhet Mark Frroku për të gjithë ata që kanë frikë t’ia përmendin emrin. Ku do shkojë Shqipëria nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tillë emra e probleme. Nëse është i pafajshëm, pse nuk i del zot Kryeministri”, theksoi Topalli në atë kohë.

30 janar 2014 (ora 16.36)

Pas deklaratës së Topallit në Kuvend, rreth 4 orë më vonë, Mark Frroku i ka dërguar një mesazh deputetes së PD-së. “Jozi, më informuan për sulmin tënd në Parlament sot. Më erdhi keq që pikërisht ti e bën këtë gjë. Më ke akoma borxhe nga fushatat që kam bërë për ty dhe me vjen keq që gjithë ata burra s’kanë guxim dhe fshihen pas fustanit tënd. Unë s’merrem më gra të përdorura. Mark Frroku”, thuhet në mesazhin e kreut të PKD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura