Përgjigjet BE: Ligji i Teatrit nuk shkel MSA. Por të garojnë dhe të tjerë nëse kanë interes

Sep 10, 2018 | 17:27
SHPËRNDAJE

Komisioni Europian vlerëson se ligji për Teatrin Kombëtar nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por i sugjeron qeverisë që ligji të amendohet nga Parlamenti, duke hapur garën dhe duke ftuar aktorë të tjerë të interesuar.

Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, i ka dërguar një letër qeverisë, pas ekzertizës së kërkuar nga Komisioni Europian për ligjin, që është miratuar në Parlament nga mazhoranca, por u kthye për dekretim nga Presidenti.

WhatsApp Image 2018-09-10 at 12.08.19

teatri1

LETRA

I nderuar sekretar i përgjithshëm Engjëll Agaçi

Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Tiranë Shqipëri

Faleminderit shumë për përgjigjen tuaj ndaj letrës sonë në lidhje me ankesat drejtuar Komisionit për ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar'” (ligji i posaçëm), diskutimet e mbajtura me ekspertë dhe informacionin e ofruar për mënyrë se si ju mendoni të ndryshoni ligjin e posaçëm. Ne duam të qartësojmë, para së gjithash, se Komisioni nuk ka kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit të Posaçëm me kuadrin ligjor shqiptar në fuqi. Vlerësimi ynë ka të bëjë me përputhshmërinë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (dhe kuadri ligjor relevant) në fushën e ndihmës shtetërore/ konkurrencës ashtu si edhe prokurimit publik. Përsa i përket rregullave të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, është vërejtur që Ligji i Posaçëm vetëm përcakton procedurën për vlerësimin dhe negocimin e kontratës me kompaninë e përzgjedhur, ndërsa përfshirja e ndihmës shtetërore (veçanërisht kriteri i avantazhit selektiv), do të varet nga kushtet e veçanta e kontratës. Për rrjedhojë, bazuar në informacionin aktual të disponueshëm, nuk është e mundur në këtë fazë për të konfirmuar ose përjashtuar nëse ndihma shtetërore do të përfshihet në transaksionet e parashikuara me kontraktorin e përzgjedhur. Megjithatë, duke qenë se elementi i ndihmës shtetërore nuk mund të përjashtohet, është e rëndësishme që ky projekt duhet kontrolluar dhe vlerësuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Në këtë aspekt, ju lutem vëreni që Artikulli 71 (2) i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit bën një referencë të qartë për vlerësimin në bazë të kritereve që rrjedhin nga zbatimi i rregullave të konkurrencës së aplikueshme në Bashkimin Europian. Përsa i përket pajtueshmërisë së Ligjit të Posaçëm me rregullat e prokurimit publik, të përcaktuara në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, është e njohur se Artikulli 74 (3) i MSAsë i referohet garantimit të aksesit të barabartë të kompanive komunitare për procedurat e dhënies së kontratave në Shqipëri në pajtim me ligjin shqiptar për prokurimet publike dhe jo të drejtën e BE-së. Megjithatë, Artikulli 74 (3) bën një reference tek objektivi i dëshirueshëm i palëve për çeljen e procedurave të dhënies së kontratave, në bazë të mosdiskriminimit dhe reciprocitetit. Në këtë kontekst, Ligji i Posaçëm siç është adoptuar, i cili ka parashikuar parazgjedhjen e një kontraktori pa një tender të hapur, ka ngritur shqetësime sa i përket respektimit të parimeve të lartpërmendura, të mosdiskriminimit dhe parimeve të tjera europiane të prokurimit publik, d.m.th. trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë. Prandaj, edhe pse në këtë fazë nuk mund të konstatohet dhunim i MSA-së, shërbimet e Komisionit nxisin autoritetet shqiptare të ndjekin përputhshmërinë me parimet europiane të prokurimit publik dhe të garantojnë akses tregtar jodiskriminues. Në këtë aspekt, shërbimet e Komisionit e mirëpresin angazhimin e autoriteteve shqiptare për amendimin e Ligjit të Posaçëm me qëllim hapjen e një thirrjeje publike për implementimin e projektit zhvillimor të Teatrit Kombëtar, përmes së cilës çdo subjekt privat mund të paraqesë një propozim për projektin. Njëkohësisht, shërbimet e Komisionit duan të theksojnë rëndësinë e përcaktimit të kritereve të qarta, transparente dhe jodiskriminuese për përzgjedhjen e një ofertuesi të suksesshëm në implementimin e Ligjit të Posaçëm. Jemi të gatshëm për çdo shpjegim të mëtejshëm në lidhje me vlerësimin dhe udhëzimin e mësipërm.

Michaela Matuella

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura