Shkreli: Pallati nuk hapet në këtë gjendje kritike

Apr 14, 2015 | 16:52
SHPËRNDAJE

“Pallati nuk mund të hapet, nëse nuk restaurohet më parë”. Kështu thotë arkitekti Artan Shkreli në lidhje me hapjen për publikun të ish-Pallatit Mbretëror. Me biletë apo pa biletë, e gjithë hapësira apo një pjesë e saj, kjo nuk ka shumë rëndësi. Sipas Shkrelit, ndërtesa rezulton të jetë në një gjendje kritike, çka kërkon ndë- rhyrje të menjëhershme, por edhe shumë të kushtueshme, plot 500 mijë euro, vetëm për fazën e parë.

Arkitekti Artan Shkreli

Ekspertët italianë thonë se kjo punë, që të bëhet mirë, kërkon pikërisht këtë faturë. “Alarmi për gjendjen kritike të Pallatit të Brigadave u ngrit kur u hodh ideja që ai të hapet për publikun. Por ishin ekspertët ata që thanë jo. Ky pallat nuk mund të bëhet i vizitueshëm pa u bërë rivlerësimi i tij më parë, pa shmangur rrezikshmërinë”, thotë ai.

Gjendja është bërë edhe më e qartë pas diagnostikimit të gjendjes, e megjithatë sipas tij nuk është hera e parë që kjo ndërtesë u nënshtrohet sondazheve mbi rrezikshmërinë që ajo paraqet.

“Diagnostikimi ka ndodhur dhe para disa vitesh, falë një bashkëpunimi të specialistëve shqiptarë me ata italianë dhe materialet janë depozituar pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, por e reja e këtij diagnostikimi qëndron te metodat më të fundit që janë përdorur”, tregon Shkreli. Duket se Pallati i Brigadave paraqet një listë të gjatë problemesh, por më themelori duket ai i lagështirës.

“E para gjë që duhet bërë në Pallat, duhet shmangur lagështira, sepse degradimi i tij ka ardhur pikërisht si rezultat i saj. Nëse ka një shkallë rëndimi nga 1 deri në 10, Pallati e ka 9,7 prej lagështirës. Efekte të tjera janë dobësimi i strukturave apo rrëshqitja e tokës. Ndërhyrja e parë që duhet bërë, është shmangia e infiltrimeve të ujërave nëntokësore, si dhe hidroizolimet nga lart”, shton arkitekti, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje të thjeshta, pasi nuk kryhen me metoda tradicionale, por në mënyrë të tillë që të mos dëmtojnë tipologjinë unike të këtij Pallati. Një tjetër problem është edhe amortizimi i sistemit elektrik, që sipas Shkrelit është një rrezik i vazhdueshëm zjarri.

“Në Pallat nuk punojnë dritat. Ambientet janë gjysmë të errëta, sepse rrjeti elektrik nuk mban ngarkesë më tepër. Sot që është kjo konferencë dhe ne kemi ndezur dritat e katit përdhe, janë ulur të gjitha automatet e katit lart, sepse nuk i mban të dyja. Dhe pikërisht në rrezikun ndaj ujit, zjarrit dhe qëndrueshmërisë së strukturave është mbështetur edhe diagnostikimi i godinës. Përtej asaj që duket, gjendja këtu është kritike”, thotë Shkreli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura