Shkolla shqiptare dhe zhdukja altertekstit

May 14, 2015 | 14:39
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKA

    Në emër të procesit mësimor, nga dikasteri i arsimit, në arsimin parauniversitar, ndërmerret edhe reforma e ndërprerjes së altertekstit. Kjo zhurmë e madhe mbi altertekstin vjen pas disa aktesh, kinse reformuese, që duket sikur kanë pasur në thelb goditjen e reformave të mëparshme. Edhe ato nuk kanë pasur të meta dhe mangësi, në shumë aspekte, por në sipërmarrje të tilla vështrohet ekuilibri i kaheve të shkollimit në botë, ku trendi është zgjerimi i hapësirave të altertekstit. Madje, vihet re jo pa shqetësim se situata nga ana e politikës qeverisëse është kaq serioze, sa dërgohet deri në Parlament, megjithëse bëhet sikur flitet në emër të komunitetit. Për reformën e teksteve, vetëkuptohet se përfaqësia e komunitetit është tepër e gjerë, sepse në të përfshihet komuniteti i mësuesve, nxënësve dhe prindërve, që janë palët e interesuara, po kaq sa Ministria e Arsimit, që me sa duket urdhrat i trajton si diskutim i lirë.
Pra, reforma për altertekstin është politizuar deri në skaj, dhe me këto akte zhurmuese dhe asgjësuese, më tepër merr goditje politike, sesa analizohet si proces, madje lihet të kuptohet se është fajtori i vetëm nivelit të shkollimit, kur ka me qindra të tjerë, që nuk janë vënë në qendër të vëmendjes së dikasterit. Nga ana tjetër, me të njëjtën optikë formale të fetishizimit, teksti unik shpallet si shpëtimtar, nga dëshira që të bëhet ndryshim për ndryshim. Reforma për tekstin unik, që duket se do ta largojë altertekstin, tashmë të shpallur si “armik”, më tepër bëhet në emër të reformës politike, sesa të reformimit real të teksteve mësimore. Duket sikur për të gjitha dështimet e shkollës shqiptare e ka fajin alterteksti, e këtë situatë të vështirë si me magji do ta zgjidhë teksti unik. Teksti unik dhe alterteksti janë dy praktika, dy modele, dy metodika të politikës së hartimit të teksteve, e prandaj asnjëri prej tyre nuk ka arsye që të fetishizohet, as të keqpërdoret politikisht, sepse asnjëri prej tyre nuk bart magjinë e zgjidhjes së problemeve të arsimit. Me tekstin unik, pra të një modelimi të njëjtësuar që vjen nga mendësia monobotëkuptimore, bëmë ca përpjekje që të ndaheshim pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Nga ana tjetër, alterteksti në thelbin e vetë bart mentalitetin e pluralitetit, të mënyrës së funksionimit të njeriut në një shoqëri demokratike, që e ka në thelbin e vet pluralitetin.
Megjithatë, asnjëra prej praktikave të tekstbërjes nuk ka imunitet, nuk e shpëton sistemin arsimor nga korruptimi. Asnjëri prej tyre nuk është i përsosur dhe shpëtimtar, përkundrazi, korrupsioni i shpërndarë në disa duar, në praktikën e altertekstit, tashmë me tekstin unik, centralizohet në një dorë të vetme, jo se ia zë kokën më dhogë brejtësit të jetës shqiptare. Zhdukja e altertekstit është një hap serioz prapa, që e rikthen shkollën shqiptare në udhëkryq ekzistencial. Është një hapa prapa se braktis rrugëtimin e bërë deri më tani. Se del nga binarët e procesit mësimor të shoqërive të lira, që komuniteti trajtohet vetëm si objekt, kur është edhe një subjekt.
Është hapa prapa, sepse politika arsimore nuk i përket një qeverie, por përçon shenjën e një politike kombëtare, sepse ndërsa nënshkruhen marrëveshje për unifikim të programeve mësimore me Kosovën, ndërmerret një reformë parandaluese e kaheve të modernitetit të shkollës në botë. Më e bukura është se thuhet dhe propagandohet, tanimë me fanfara alarmi, se ky rikthim po ndërmerret në emër të ecjes përpara të arsimit. Të paktën të mos i vëmë syze opinionit publik. Heqja dorë nga alterteksti, në përqasje me atë që ngjet në botën moderne, është hap mbrapa.
Nëse teksti alternativ hiqet për të bërë ndryshim nga qeverisja e mëparshme, jemi më tepër në një akt kundërvënës ndaj politikës. Reforma arsimore preku edhe altertekstin, duke u kthyer hapa mbrapa në reformën arsimore. Jo se tekstet e prezantuara si altertekst në shkencat shoqërore apo natyrore ishin në rregull. Kishin një mori gabimesh, gafash nga më të hatashmet. Jo se e kishte fajin alterteksti, si model dhe strukturë, por mënyra se si u konceptua dhe u zbatua në praktikë, se u bë thelbësor korruptimi. Po tekstet unike kush do t’i realizojë? Apo hartuesit e alterteksteve do veshin kominoshet e unifikimit dhe puna u krye?! Arsimi dhe kultura nuk ecin me logjikën e ndryshimeve të vazhdueshme për ndryshim programor qeverisës, por me ritmin e hapave të bërë në botë, e mbi të gjitha me sinergjitë kombëtare.
Fryma që bart alterteksti, për mendimin ndryshe, për alternativën e mendimit kritik, është humbja me e madhe në fushën e arsimit… Shkollën nuk e rregullon teksti unik, as nuk e prish teksti alternativ. Mbi të gjitha, duhet hequr dorë nga politika arsimore e përkohshme e secilës qeveri apo parti që vjen në pushtet, sepse kështu vijon eksperimenti për shkatërrimin përfundimtar të shkollës shqiptare…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura