Shkolla elitë e teknologjisë “Holberton”, me seli në Silicon Valley, hap kampusin e ri në Tiranë

Sep 13, 2021 | 11:43
SHPËRNDAJE

Një shkollë e re elitare në fushën e teknologjisë,  “Holberton School” e cila sot operon në 20 vende të ndryshme të botës, vjen edhe në Tiranë me një kampus të ri nga janari 2022.

veliaj

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti kryetarin e Bordit të “Holberton School”, Grant Van Cleve, i cili tha se studentët do pajisen me aftësitë bashkëkohore që kërkohen për të konkurruar me sukses në tregjet lokale, rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Nëpërmjet rrjetit global të Shkollave Holberton dhe në bashkëpunim të ndërsjelltë mes tyre, çdo student bëhet pjesë integrale e një komuniteti mbarëbotëror zhvilluesish dhe punëdhënësish.

“Kërkesa në tregun shqiptar për inxhinierë softueri është dyfishuar gjatë vitit të fundit. Shto këtu edhe nevojën e madhe për profesionistë nga tregu Evropian. Holberton ka platformën e përkryer për të përshkallëzuar me shpejtësi trajnimin e zhvilluesve të softuerit dhe për të prodhuar talente të aftë për të hyrë në tregun e punës në nivel më të lartë se çdo trajnim afatshkurtër apo programe tradicionale universitare”, tha Grant Van Cleve, kryetari i Bordit. “Njerëzit e motivuar, pavarësisht edukimit paraprak, mund të trajnohen në gjysmën e kohës që kërkohet për të ndjekur një program universitar, si dhe do të kenë shanse reale për t’u punësuar me një pagë dyfish nga ajo që ofron tregu tani, të dyja këto aspekte të mbështetura në modelin e Holberton. Një ndryshim i vërtetë ky, për Shqipërinë dhe më pas edhe rajonin”, shtoi ai.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se nëse “Tumo Center” fokusohet në moshat 12-18 vjeç, në shkollën e re “Holberton” mund të regjistrohen moshat mbi 18 vjeç.

“Kjo shkollë është për profesionistët e ardhshëm, që garanton punët më të mirëpaguara sot në botë për teknologjinë e informacionit. Më vjen shumë mirë që skuadra themeluese amerikano-gjermano-shqiptare është në Tiranë dhe ka vendosur që ta hapë këtu kampusin e ri të rrjetit “Holberton School”. Mezi pres që, nga data 1 janar, kur Tirana nis rrugëtimin e saj si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, ta hapim zyrtarisht shkollën ‘Holberton Tirana’”, tha Veliaj.

 

Që prej vitit 2016, kur hapi dyert e saj në San Francisco, Holberton School është shtrirë në 27 qytete, 20 vende, dhe në 5 kontinente. Të diplomuarit nga Holberton kanë gjetur punë në kompani si LinkedIn, Google, Tesla, Docker, Apple, Dropbox, Facebook, Pinterest, NASA, Genentech, Nvidia, Cisco, IBM dhe shumë të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura