“Shkoi për puçërr, u zgjua pa apendicit”, reagon kirurgu, burri i deputetes së PS: Mirëkuptoj shqetësimin e pacientit, por…

Sep 24, 2018 | 10:51
SHPËRNDAJE

ALBI LALA/ Mjeku kirurg, Gazmend Xhembulla, i vene ne qender te akuzave, per pacientin qe shkoi te hiqte nje pucerr dhe u zgjua nga narkoza pa apendicit, në një reagim përmes rrjetit social “Facebook” shprehet se, gjithçka është një sulm politik që bëhet nga ish-profesori i tij në Fakultetin e Mjekësisë, Sali Berisha.

Mjeku kirurg, Gazmend Xhembulla
Mjeku kirurg, Gazmend Xhembulla

“Ndjehem thellësisht i keqardhur nga disa informacione të pavërteta që janë përhapur gjatë ditës së sotme. Në respekt të familjarëve dhe opinionit publik, ndiej detyrimin të jap këtë sqarim: Si mjek kirurg, me një eksperiencë mbi 20- vjeçare, deklaroj nën përgjegjësinë time të plotë, morale dhe profesionale, se ndaj pacientit E.S. janë zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat dhe procedurat, sipas protokollit mjekësor në fuqi. Jam gati të mirëkuptoj shqetësimin e pacientit dhe familjarëve, por ndiej keqardhje të thellë kur shoh që një akuzë e pavend dhe aspak profesionale, është bërë sot nga një ish-mjek dhe ish-profesor i imi”, shprehet Xhembulla.

Më tej, bashkëshorti i deputetes së PS-së shton se i kërkon Policisë dhe Prokurorisë që të kryejnë verifikimet për rastin e denoncuar.

“Që nga dita e parë e punës sime si mjek, u kam shërbyer dhe u shërbej qytetarëve me profesionalizëm dhe devotshmëri, për këtë dëshmitarët më të mirë janë kolegët e nderuar dhe ata mijëra bashkëqytetarë të mi. Po kaq e padrejtë dhe dashakeqe është lidhja që i bëhet rastit në fjalë me punën e bashkëshortes sime. Unë punoj përditë për ta luftuar sëmundjen, më vjen keq që dikush sot ka zgjedhur të bëjë politikë me të. Në çdo rast, jam i hapur dhe u kërkoj strukturave përgjegjëse që të bëjnë të gjitha verifikimet e nevojshme për t’i shkuar deri në fund së vërtetës”, përfundon mjeku i Spitalit të Peshkopisë.

Çfarë ndodhi

Një mjek kirurg i Spitalit Rajonal të Peshkopisë është denoncuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha se ka kryer një ndërhyrje të panevojshme kirurgjikale. Ngjarja ka ndodhur më 20 shtator, ku një i ri ishte paraqitur për të kryer heqjen e një puçrre. Por, në vend të heqjes së saj, 22-vjeçari është zgjuar pa apendicit.

Mjeku kirurg i akuzuar, Gazmend Xhembulla, është bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës, Almira Xhembulla. Vetë doktor Xhembulla, në një reagim përmes rrjeteve sociale, nuk e përgënjeshtron ndërhyrjen për heqjen e apendicitit, por thekson se u është përmbajtur rregullave dhe procedurave. Ndërsa ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një mesazh që i ka dërguar një prej familjarëve të 22- vjeçarit.

“Në Spitalin e Peshkopisë, me dt. 20.9.2018, është paraqitur në një djalë rreth 20 vjeç, të cilit i kishte dalë një puçërr pas shpine. Pasi e kontrollon kirurgu Gazmir Xhembulla, i cili është dhe burri i deputetes së PS, Almira Zebi, Xhembulla i thotë që do të operohesh. Pasi e fut në sallën e operimit, në vend që t’i heqë puçrrën, i ka hequr apendicitin. Kur djalit i ka dalë narkoza, ka parë plagën në bark dhe ka kërkuar shpjegime se çfarë ka ndodhur me të. Mjeku i ka thënë të hoqëm apendicitin se ti me the për atë.

Ka plasur sherri me familjarët e djalit dhe familja ka vajtur në komisariat për kallëzim, po e kanë mbajtur të fshehur këtë rast të mjekëve tanë. Drejtoria e Spitalit është në dijeni dhe gjithë Peshkopia e di këtë budallallëk. Ju lutem, publikojeni se po mbahet e fshehtë kjo maskaradë, pasi kirurgu është burri i deputetes së PS-së dhe rri tapë me alkool”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha. Ndërkohë, zyrtarisht nga Policia, thuhet se deri tani nuk ka asnjë kallëzim për pakujdesi ndaj mjekut të Spitalit të Peshkopisë, Gazmend Xhembulla.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura