Shkodrani godet me gur turistin francez, i bëri komplimente të dashurës së tij

Aug 4, 2015 | 19:10
SHPËRNDAJE

I ngacmoi të dashurën, i riu shkodran plagos me gurë turistin francez. Ngjarja ndodhi në një kamp veror në Dhërmi, kur të rinjtë kanë qenë duke pirë në një disko verore, e cila ishte e mbushur plot me pushues e turistë. Ata ishin vendosur në një kamp treditor që ishte organizuar, dhe mësohet se kishte më së shumti turistë të huaj, francezë e polakë.

dhermi
Në të njëjtin kamp ishte vendosur edhe i riu nga Shkodra, shtetasi Tedi Neziri. Sipas Policisë, 31- vjeçari është shpallur në kërkim pasi për motive të dobëta ai ka plagosur një 26- vjeçar francez. “Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Tedi Neziri, 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale ‘plagosje të lehtë me dashje’.

Ky shtetas, ditën e djeshme (e diel), rreth orës 06:30 të mëngjesit, në fshatin Dhërmi, ka plagosur për motive të dobëta me mjete te forta (gurë), një shtetas francez, me iniciale J.M., 26 vjeç, banues në Paris, i cili ka marrë dëmtime të lehta në fytyrë dhe është dërguar në Spitalin e Vlorës për mjekim”.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se i riu, i ardhur nga Parisi për të vizituar vendin tonë dhe për të kaluar disa ditë në bregdetin e Dhërmiut, ka qenë duke pirë me disa miq të tij. Ai në një moment është afruar dhe ka komplimentuar të dashurën e të riut shkodran, i cili kishte ardhur gjithashtu që të kalonte disa ditë pushime në Jug të vendit. Por komplimenti i ka kushtuar rëndë të riut parisien, pasi 31- vjeçari e ka sulmuar atë me një gur që ka gjetur në rërë.

Për shkak të plagës së marrë në kokë, ai është dërguar menjëherë në spitalin e Vlorës nga ku mësohet se ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe nuk kishte rrezik për jetën. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, policia është vënë në lëvizje për arrestimin e 31-vjeçarit Tedi Neziri, por ai ndërkohë ishte larguar.

Blutë kanë marrë në pyetje dëshmitarët që kanë qenë të shumtë në atë moment, të cilët kanë pohuar se gjithçka ka nisur pas një ngacmimi që turisti i huaj i kishte bërë vajzës me të cilën shoqërohej Neziri.

Ky i fundit nuk e ka duruar dot këtë fakt dhe e ka sulmuar turistin duke i shkaktuar atij plagë. Fatmirësisht, ndërhyrja ka qenë në kohë nga personat që kanë qenë në vend duke evituar ndonjë ngjarje që mund të precipitonte me pasoja më të rënda. Dyshohet se 31-vjeçari është larguar në Shkodër, ndaj kërkimet po kryhen më së shumti në këtë qytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura