Shkodra si “Aventino” për opozitën

Sep 5, 2018 | 16:39
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ/

gjekmarkaj11Aventino është një nga shtatë kodrat, mbi të cilat shtrihet Roma. Dikur në antikitet ajo popullohej nga plebenjtë, të cilët pas shumë betejash fituan të drejta politike si patricët. Sa herë që atyre tentohej t’u hiqeshin këto apo të merreshin masa represive ata vetëpërjashtoheshin nga jeta politike dhe ekonomike e qytetit dhe izoloheshin në kodrën e tyre derisa vinin lajme se institucionet ishin tërhequr. Po kështu në vitin 1924 opozita italiane braktisi Parlamentin në shenjë proteste kundër vrasjes së deputetit socialist Meteoti nga skuadrat fashiste. Të grupuar në një sallë tjetër të Monteçitorios (pallati i Parlamentit), deputetët e opozitës e quajtën lëvizjen e tyre tërheqje në Aventino, sipas fjalimit të liderit socialist Filipo Turati. Opozitës italiane nuk i shkoi mirë dhe u konsiderua gabim sepse i dha dorë Musolinit të vendoste diktaturën në emër të stabilitetit, qetësisë e plot të tjera justifikime.

Me këtë parantezë nuk dua të krahasoj Edi Ramën me Musolinin dhe as Lulzim Bashën me Filipo Turatin. Do zgërdhihej i madh e i vogël me një guxim të tillë. Por të hënën një paralele modeste u hoq mes Shkodrës dhe “Aventinos”. Opozita mungoi në hapjen e sesionit të ri parlamentar dhe mirë bëri. Ajo e bashkuar u mblodh në Shkodër për të dhënë një mesazh, duke bërë aktin e duhur. Nuk ka rëndësi sa e pritën dhe kush e priti Lulzim Bashën. Atje, me gjasë, nuk ka shkuar për miting apo për testuar mbështetjen e tij, por për të sensibilizuar opinionin publik për gjendjen e kriminalitetit në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Një e vërtetë, e cila flet më të vdekur e të plagosur, nuk ka nevojë për shumë interpretim.

Qyteti i veriut nuk është në duart e shtetit, por të banditëve. Fatkeqësisht, me logjikën e hakmarrjes tribale, Shkodra është lënë jashtë investimeve dhe vëmendjes, ndonëse në Tepelenë investon për ndërtimin e 16 fshatrave “ekselentë”, a thua se pjesa tjetër ka dalë faret. Papunësia dhe varfëria ecin krah për krah dhe plagët sociale gangrenizohen. Më tepër Shkodra e njohur për traditën teatrore është përdorur nga Kryeministri për të replikuar nëpërmjet hokash tallëse me Voltana Ademin, kryetaren e bashkisë. Nga ana tjetër, ai ka marrë nga Shkodra Senada Mesin, e cila mund të jetë zonjë e nderuar si zëvendëskryeministre, por ajo nuk pyetet për asgjë. Këtë “qokë” Ramës nuk ia mori kush seriozisht, asnjëherë, as në Tiranë as në piacën e qytetit. Shkodra me këtë rast, meqenëse u vu në qendër të vëmendjes për vrasjet zinxhir, ka pësuar këtë derivat për arsye të politikës. Ajo është ndier me mirë, duke e dominuar atë me “të fortë” sesa me elitën e vet. Shumica e di, por i duhet kujtuar edhe Edi Ramës e Lul Bashës se ajo zonë edhe në kohën e Osmanllisë përfaqësohej me intelektualë, të cilët i dhanë kaq shumë shkrimit e gjuhës shqipe, artit e kulturës në tërësinë e vet e kësisoj zgjimit dhe Rilindjes Kombëtare. Tani me ndonjë përjashtim në të dy krahët, këta u zëvendësuan me Lukun dhe Tukun. E këtë ai qytet nuk ta fal. Nuk mundesh me dalë në tribunë të fushatës elektorale me persona më inferiorë se mesatarja e shoqërisë së atjeshme dhe t’u thuash, shikoni çfarë personalitetesh ju kemi vu në krye. Kështu, qytetarët dhe personalitetet që përdorin mendjen dhe jo gishtin, tërhiqen në punë të vet teksa hapësirën publike e zë dhunuesi, i cili bëhet aleat i politikës.

Prej 5 vitesh qeveris Partia Socialiste me në krye një burrë, që as më pak e as më shumë, por toptan me gojën plot, këtij vendi i ka premtuar Rilindje. Historia e Saimir Tahirit me Policinë që duam dhe hashashin që na mbolli, dihet. Mesa duket, në kohën e tij çunat e alltisë ishin të zënë me mbjellje-korrje. Tani në kohën e Xhafajt, i cili u prezantua si dora e hekurt e ligjit dhe moralit socialist, situata nuk duket se ka përmirësim. Xhafaj ka dështuar si ministër i Brendshëm jo thjesht për historinë me të vëllain, por për ndodhitë tragjike në terren. Socialistët me një lokalizëm absurd kanë përjashtuar veriun e Shqipërisë nga drejtimi i Policisë, duke i marrë të gjithë drejtuesit e lartë nga katundi i tyre. Kjo është gegofobi, siç është në traditën e lashtë të PPSH-së, e cila u shndërrua në PSSH. Këta pushtetin e shohin si revansh dhe sundim. Sot jeta e njeriut në vendin tonë kushton më lirë se ajo e një pule fshati. Çdo adoleshent, që nuk fle mirë natën, shndërrohet në kërcënim për komshiun dhe tjetrin. Degradimi kriminal është i paprecedent e po kaq e tillë propaganda qeveritare, e cila nga mënyra si sillet, nuk jep mundësinë për të shpresuar se diçka do ndryshojë. Opozita e ka për detyrë ta shndërrojë në kauzë madhore çështjen e sigurisë publike ashtu siç ka bërë dikur me betejën politike për dekriminalizimin, e cila dha produkte në fasadë, por jo në brendi të jetës politike. Gjithsesi, një betejë e dobishme.

Opozita është sfiduar përtej pritshmërive nga Kryeministri dhe aparati i tij mediatik. I fundit ishte ligji ad personam për Teatrin si çështje publike përtej opozitës, por edhe e opozitës. PD dhe Lulzim Basha u ngjitën të hënën në “Aventino”. Nga mënyra sesi qëndrojnë, varet e ardhmja e saj. Nëse rezistojnë si plebenjtë, diçka do të ndryshojnë, nëse sillen si opozita italiane e 1924-s, rezultati është historik por tragjik. Opozita po krijon ndjeshmërinë e “emergjencës demokratike”. Po ka një të tillë. Por ajo nuk do të funksionojë pa marrë në konsideratë “emergjencën demokratike” brenda në PD dhe LSI për ndryshim radikal dhe fabul të besueshme. Mbështetësit e opozitës kanë nevojë për të e në rastin më të keq për iluzionin e tij.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura