“Shkodra, diamanti që s’lejoi PD të kthehej në kallp-opozitë”/ Nga mosvotimi i 3 ligjeve te varfërimi në 9 vite, Berisha: Rama po zbaton doktrinat e albanofobëve për…

May 16, 2022 | 8:05
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ish-Kryeministri Sali Berisha vijoi gjatë fundjavës fushatën për garën për kryetar të PDsë. Dje ai ishte në Lezhë dhe në Shkodër, për të biseduar me demokratët.

Në fjalën e tij në qytetin e Shkodrës, Berisha foli për vështirësitë që hasën në lëvizjen e tyre me qeverinë, opozitën e drejtuar prej Bashës dhe atë që ai e quajti mafien politike, duke iu referuar Xhorxh Sorosit.

“Shkodra, diamanti i përpjekjes së madhe të djemve dhe vajzave idealiste, që s’u pajtuan në përpjekjen e autokracisë për ta shndërruar PD-në në një kallp-opozitë. Për një komb që ka vuajtur nga tirania, vetëkuptohet që sistemi demokratik është më i çmuar, më jetik. Përpjekja jonë ishte epike. Ajo përshkroi një rrugë të vështirë, kapërceu pengesa shumë të mëdha. Një qeveri e cila disponon mjete të jashtëzakonshme të paligjshme.

Një qeveri që në dhunim të standardeve demokratike, mendon apo ka çimentuar pushtetin e saj. Një pseudo-opozitë që është shndërruar një freskore, u angazhua me të gjithë lojërat e saj. Një drejtësi e kontrolluar nga qeveria në funksion të opozitës së vërtetë. Por nuk ishin vetëm këta. Këtë herë, në goditjen kundër PD-së dhe opozitës së vërtetë, u mobilizua edhe mafia e Xhorxh Sorosit. Mafia politike më e rrezikshme e planetit. Por demokratet dhe demokratët, pavarësisht këtyre presioneve, shantazheve, këtu në Shkodër vazhduan traditën e vet demokratike dhe votuan midis PD-së së vërtetë, PSsë dhe pseudo-opozitës, votuan Bardh Spahinë”, tha Berisha, duke mos i kursyer lavdet për shkodranët, që sipas tij, mbajtën gjallë lëvizjen duke i dhënë votën Bardh Spahiajt më 6 mars për kryetar bashkie.

FITORJA NË SHKODËR

“Në takimin e parë rikujtova me ju se në momente kritike të PD-së, ajo në Shkodër mbeti dhe pastaj u shtri sërish në të gjithë Shqipërinë. Edhe vota e 6 marsit ishte votë shpëtimtare e PD-së. Të gjithë faktorët e mësipërm po bënin gjithçka për dështimin e saj. Ne jemi sot këtu dhe ne erdhëm këtu si misionarë në një lëvizje e cila duhet t’i jepte Shqipërisë opozitën e vërtetë. Në këtë moment, në këtë arritje, ne nuk mund ta konsiderojmë PD-në ndryshe vetëm si një mjet për të realizuar rivendosjen e demokracisë në të gjithë Shqipërinë.

Detyrë që do ketë pengesa edhe më të mëdha. Por kauza jonë është e drejtë dhe lëvizja jonë është e pandalshme. Demokratet dhe demokratët sot janë misionarë. Vetëm si idealistë arritëm këtu, se ndryshe do të mbeteshim rrugës. Kjo lëvizje është lëvizje e djemve e vajzave misionare, që e shohin se shoqëria shqiptare dhe Shqipëria janë në një udhëkryq të rrezikshëm”, tha Berisha.

AKUZAT PËR RAMËN

Demokratët që ishin të pranishëm dhe ata të cilët e ndiqnin përmes mediave, ai i paralajmëroi për vështirësitë që do të hasin. Sipas Berishës, albanofobët me doktrina po përpiqen të shpërbëjnë kombin shqiptar, ndaj do të pengojnë edhe lëvizjen e tyre. Ndërkohë, si zbatues të doktrinave të albanofobëve, Berisha akuzoi Kryeministrin Rama.

“Sot faktori albanofob, i cili me doktrinë me elaborate, ka projektuar shpërbërjen e kombit shqiptar. Ngushtimin dhe largimin e tyre. Por këto elaborate po zbatohen përpikërisht nga faktori i brendshëm albanofob, që shkelmon mbi interesat e kombit. Në vitin 2013, Rama nuk votoi 3 ligje për të marrë statusin kandidat. Interesi jetik i shqiptarëve është integrimi europian. Mbetet jetike për ne që të mos endemi më. Ne kemi një shprehje jo shumë të studiuar. Ne jemi Europë. E vërtet që kështu jemi. Por Europë në kuptimin e sotëm, ne jemi shumë larg. Sepse BE, me bashkimin e saj, krijoi një mrekulli.

Kjo është arsyeja se përse ne e kemi interes kombëtar jetik integrimin në BE. Në 2013-ën, ai votoi për ta penguar. Nuk e kishte këtë një manovër politike, jooo. Në 9 vite pushtet ai shpërbëu standardet. Standardet që i bëjnë shqiptarët më të sigurt. Në këto vite, BE pati një projekt. Ishte projekt i Berlinit, që përputhej me interesin tonë. Me Vuçiçin shpikën Ballkanin e Hapur. Nuk është gjë tjetër vetëm influencë e Serbisë në rajon. Por në fakt është edhe e Rusisë. Ndër shekuj, 2 kanë qenë ambiciet ruse: Dardanelet dhe Adriatiku.

E patë se kur drejtoi taket drejt Ukrainës, menjëherë filluan ndezjen e sirenave të luftës. Rama shkon në Bruksel me Ballkanin e hapur në çantë, e na deklaron se ne do shohim drejtimin tonë nëse nuk na hapen negociatat. Njësoj si etërit e tij. Tani ky thotë se do pyesë anketën e që plotësohet te PS se çfarë drejtimi do të marrë. Shqipëria s’është e atij. Është po aq sa e jona. Mos gabo se nuk do mundesh të shkallmosh interesin kombëtar. Interesi kombëtar është Perëndimi”, vijoi Sali Berisha.

Më tej, një tjetër fenomen që ka ndodhur gjatë këtyre 9 vite në qeverisjen e Edi Ramës, sipas Berishës, është në shërbim të projektit të albanofobëve.

“Asnjë luftë nuk ka përzënë aq shqiptarë sa ka përzënë Rama në këto 4 ose 5 vite. Ka përzënë me arrestime dhe papunësi. Çdo gjë që ndodh rreth nesh, ndodh se si të zhbëjmë Shqipërinë si komb. Nuk mund të gjendet një vend në Europë, që pas 8 vitesh, varfëria rritet në mënyrë të frikshme. Sepse me paratë, pasurohet qeveria dhe nomenklatura socialiste. Edi Rama mendon njësoj si Dodiku, si Vulin si Vuçiçi, si padroni i tij. Ne kemi mision të vështirë përpara, por duhet të ecim të pandalshëm për t’i dalë zot interesit tonë. Po i dolëm zoti interesit tonë, atëherë ne do të integrohemi në BE. Nuk ka lidhje me asgjë të shtirë kjo. Kjo çon thjesht në idenë që ky komb”, vijoi Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura