Shkodër, mjekun e donte të vdekur i arrestuari për vrasje. ‘Hakmarrje për të birin’

Jul 31, 2015 | 8:28
SHPËRNDAJE

Porosi nga burgu për të vrarë mjekun radiolog të spitalit të Shkodrës. Agron Terolli ka shpëtuar në momentin e fundit nga vdekja e sigurt, pasi policia ka ndërhyrë befasisht, duke neutralizuar autorin. Osman Malja, vetëm 21 vjeç, ishte personi që do të ekzekutonte me kallashnikov mjekun.

Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se shënjestra e atentatit ka qenë mjeku radiolog i spitalit rajonal të Shkodrës Agron Terolli dhe se vrasja kishte si pistë hakmarrjen. Osman Malja do të kryente ekzekutimin e mjekut 56- vjeçar, i porositur dhe i paguar nga Esmeraldo (Eljon) Hato, i burgosur në Lezhë për vrasje. Hato, 25 vjeç, nga Shkodra, akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 2014 në Shkodër, ku viktimë ishte një moshatar i tij.

Esmeraldo (Eljon) Hato, i akuzuar se porositi vrasjen e mjekut
Esmeraldo (Eljon) Hato, i akuzuar se porositi vrasjen e mjekut

ARRESTIMI I VRASËSIT NË TENTATIVË

Esmeraldo (Eljon) Hato, nga burgu i Lezhës ku ndodhet i ndaluar për krimin e vrasjes, mendohet të ketë urdhëruar vrasjen e mjekut radiolog në spitalin rajonal të Shkodrës, Agron Terolli. Nuk bëhet publik fakti se si policia ka rënë në dijeni të këtij atentati që do të ndodhte në mes të Shkodrës. Por, një gjë është e sigurt: se policia kishte mbledhur informata të sakta në lidhje me personin që do të kryente krimin, ditën dhe orën e saktë të ekzekutimit të parashikuar të Terollit, ndaj dhe ka marrë masa për parandalim. Policia ka identifikuar edhe një person tjetër me inicialet Sh. Rr., i cili ka bashkëpunuar me Osman Maljen për të kryer vrasjen e radiologut.

Por, në momentin e fundit, bashkëpunëtori ka arritur që t’i shpëtojë kapjes nga ana e policisë duke bërë shpalljen e tij në kërkim policor. Sipas burimeve policore, mësohet se Osman Malja mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga policia, e cila kishte në kontroll të plotë lëvizjet dhe veprimtarinë e tij për vrasjen e porositur të mjekut Terolli.

Forcat e Specializuara të Policisë kanë ndërhyrë duke neutralizuar dhe arrestuar autorin Malja, pikërisht në momentin që ky tentoi të hapë zjarr në drejtim të objektit të sulmit (mjekut Agron Terolli) me armën e tij tip kallashnikov, të kamufluar në një çantë sporti. Në momentin e ndërhyrjes, Malja ka tentuar të reagojë edhe ndaj forcave policore, por ka qenë e pamundur falë veprimeve të shpejta policore në neutralizimin dhe arrestimin e tij.

Gjatë këtij operacioni, autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe aktualisht, pas ndihmës mjekë- sore të dhënë, është jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale, autorit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatike me fishek në gojë dhe një krehër me 15 fishekë. Në hetim për këtë çështje gjithashtu janë edhe shtetasit Eljon (Esmeraldo) Hato, si dhe shtetasi Sh.Rr., i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në përgatitjen, porositjen dhe vrasjen e mbetur në tentativë të mjekut radiolog.

PSE DUHEJ VRASJA E MJEKUT?

Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e mjekut Terolli. Por, për momentin, dihet vetëm porositësi i saj, që është 25-vjeçari Eljon (Esmeraldo) Hato, por akoma nuk është e qartë se cili ka qenë shkaku për hakmarrjen. Pas verifikimeve të kryera nuk rezulton që familja e mjekut Terolli të ketë ndonjë lidhje me vetë të burgosurin Hato apo me familjarë të tij.

Po ashtu, nuk ka lidhje as me viktimën e një viti më parë, Indrit Hylli, i cili u qëllua për vdekje nga Eljon Hato dhe i vëllai i tij, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2014. E vetmja lidhje ku po hetohet është ajo e plagosjes së kryer nga djali i mjekut dy vite më parë. Reinold Terolli, në atë kohë 23 vjeç, plagosi një person në qytetin e Shkodrës.

Për shkak të goditjes me armë zjarri, i lënduari mbeti i paralizuar nga gjymtyrët e poshtme. Terolli u arrestua në Tiranë pak ditë pas ngjarjes, duke u dërguar në burgun e Lezhës, aty ku ndodhet edhe 25-vjeçari Esmeraldo (Eljon) Hato. Ky i fundit do të merret në pyetje në ditët në vazhdim për të mësuar nëse ai ka pasur konflikt personal me djalin e mjekut dhe ka tentuar të marrë hak tek i ati apo porosia për krimin ka të bëjë me atentatin që Reinold Terolli bëri dy vite më parë. Deri tani është përjashtuar pista e një krimi për shkak të detyrës që mban mjeku radiolog. r.rr

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura