Shkëmbi takon Hasanbelliun, Teuta në kërkim të një… bomberi

Jun 27, 2018 | 13:30
SHPËRNDAJE

Trajneri Bledi Shkëmbi ka pasur dje një takim me presidentin e Teutës, Edmond Hasanbelliu, ku është diskutuar mbi lojtarët që kanë vëzhguar gjatë kësaj periudhe. Stafi i tij teknik së bashku me të kanë ndjekur shumë lojtarë gjatë dy javëve të fundit dhe disa prej tyre kanë tërhequr interesin e bregdetarëve, që tani pritet të nisin edhe bisedimet për t’i afruar në skuadër.

shkembi

Aktualisht, “djemtë e detit” janë përforcuar vetëm në repartin e mesfushës, ku edhe largimet kanë qenë më të mëdha, ndërsa kanë nënshkruar edhe me mbrojtësin e krahut të majtë, Edison Ndreca. Mesfusha e Teutës në sezonin e ri do të përbëhet nga Florent Avdyli, Roni Gashi, Sherif Kallaku, por edhe Orgest Gava, i cili është në bisedime me drejtuesit dhe gjatë javës mund të nënshkruajë kontratën, gjithnjë nëse palët gjejnë marrëveshje. Në këtë moment, prioritet për trajnerin Shkëmbi është afrimi i një sulmuesi goli.

teuta

Deri tani ka pasur kontakte me disa lojtarë, por duket sikur asnjë prej tyre nuk ka bindur stafin teknik. Teuta ka vuajtur shumë në sezonet e fundit në sulm dhe duke u bazuar te gabimet që kanë bërë, tani kërkojnë të jenë të kujdesshëm për të afruar lojtarë që do të japin një kontribut të madh në arritjen e objektivave. Drejtuesit akoma nuk kanë shpallur objektivin për edicionin e ri, por duke ditur se skuadra nuk është kompletuar, ambiciet për fushatën 2018-2019 do të shpallen në një moment të dytë. Gjithsesi, me atë që është kuptuar primare është ndërtimi i një skuadre ambicioze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura