Shkeljet e qarkullimit rrugor, policia bën bilancin: 26 të arrestuar dhe 107 patenta të pezulluara gjatë fundjavës

Sep 27, 2021 | 16:47
SHPËRNDAJE

Policia Rrugore ka bërë bilancin e shkeljeve të qarkullimit rrugor në të gjithë vendin përgjatë fundjavës.

Nga kontrollet e ushtruara, janë arrestuar 26 shoferë, 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim automjeti pa patent.

Si pasojë, rrugorja ka pezulluar 107 leje drejtimi ndërkohë që ka gjobitur 2260 drejtues mjetesh.

Njoftimi i Policisë:

Kontrolle intensive nga Policia Rrugore, në të gjitha rrugët e vendit, me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 26 drejtues mjetesh, nga të cilët 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 107 leje drejtimi, nga këto 59 për shpejtësi tej normave të lejuara, 44 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.   

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2260 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura