Shkatërrimi i Kishës së Shekullit të XIII/ Historia e arkitektit që guxoi në ‘79 të padiste në prokurori regjimin e kohës: Të dënohen medoemos fajtorët!

Jan 22, 2022 | 15:00
SHPËRNDAJE

Gani Strazimiri arkitekti qe denonoiNjë grumbull i shkalafitur gurësh dëshmon ende fatin e zi. Tashmë kisha e vogël katolike e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e ndërtuar që në kohërat kur në gadishullin Ilirik nuk kishin shkelur turqit, nuk është më.

Kisha e shekullit të XIII, e njëjta që çdokush mund ta shohë të stampuar në kartëmonedhën e njëmijëlekëshit (printimi i ri), është hedhur në erë me dinamit në vitin 1979, në kulm të luftës së pashembullt të komunizmit kundër fesë. Monumenti i arkitekturës romanike-gotike kishte mbërritur në kohët moderne i paprekur, i ruajtur më së miri nga shqiptarët e të gjithë brezave. Kishte mbërritur i ftohtë e i bukur, rrethuar nga pëshpërimat e gojëdhënave, sipas të cilave, aty ishin falur duke paqësuar shpirtrat e tyre, qoftë parakohësit, apo bashkëkohësit e Skënderbeut e me radhë të tjerë shqiptarë të mëdhenj.

Për më keq akoma, faktet thonë së kisha është shkatërruar edhe pse për më shumë se 20 vjet kishte të varur në qafë “flamurin e bardhë”, apo saktësisht një tabelë që thoshte se mbrohej nga shteti. Një rast i pashpresë që sërish ilustron se një pjesë e shqiptarëve, pothuaj në çdo kohë, kanë varrosur me duart e tyre trashëgimitë e së shkuarës. Kanë varrosur përsëritmërisht ato vlera me të cilat mburren kombet, me të cilat kombet tregojnë themelin nga ku kanë origjinën duke ngritur tonet, sa herë u jepet rasti, se janë pasardhës të një populli të lashtë, që ka lënë pas histori të lavdishme si edhe prova për këto histori.

Prova, që në shumicën e rasteve janë të gdhendura në gur, qoftë në trajtat e frymorëve, qoftë në formën e ndërtimeve, që i kanë rezistuar kohërave, të ruajtura po nga këta popuj. Përmbledhur në pak fjalë, shkatërrimi me dinamit i kishës së Shën Mërisë të Vaut të Dejës është një histori që në çdo kohë do të bënte me turp një komb të përgjegjshëm. Por edhe një histori që e parë në gjithë spektrin e saj, ruan të paktën një vlerë dinjitoze njerëzore. Një vlerë që ka lidhje me faktin se pikërisht në mes të valës më të egër të luftës së shtetit komunist kundër fesë, Drejtori i Institutit të Monumenteve, i quajtur Gani Strazimiri dhe disa kolegë të tij, guxojnë të lajmërojnë Prokurorinë për këtë ngjarje, të ndërtojnë padi dhe të arrijnë që të provokojnë hapjen e një hetimi për të gjetur përgjegjësit.

Të kërkojnë madje edhe dënimin e autorëve me qëllim që kjo ngjarje të bëhej shembull për ata që do u lindnin ide të ngjashme. Por prokuroria, në atë kohë totalisht në shërbim të politikës, duke mos respektuar, apo keqinterpretuar ligjet, i justifikon autorët duke i konsideruar të pafajshëm për faktin se “kishin vepruar pa e ditur që ndërtesa ishte shpallur monument kulture”. Kohë më vonë, në një rrethanë të caktuar, ngjarja mësohet edhe nga vetë Enver Hoxha, por gjithsesi nuk rihapet kurrë, pasi ujqit nuk ja hanë këmbët njëritjetrit. Historia e kësaj përballjeje të pazakontë sillet përmes përmbajtjes së dokumenteve autentike të marra në Arkivin e Shtetit.

PROTESTA PËR SHKATËRRIMIN
Gjithçka ka nisur në formën e një telegrami urgjent të Institutit të Monumenteve drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, më 11.06.1969, që thoshte: “Informohemi se është hedhur në erë me mina kisha e shekullit të XIII e Vaut të Dejës, që mbrohet me ligj nga shteti. Lutemi të bëhen ndjekje ligjore”. Monumenti në fakt ishte shkatërruar rreth datës 30 maj 1969, sipas proces-verbalit të mbajtur pak ditë më vonë nga Miltjadh Papa, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agim Kodraliu, inspektor i arsimit dhe kulturës i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër.

Në procesverbal shkruhej: “Rreth datës 30.05.1969 kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabela e monumenteve të kulturës, u hodh në erë me dinamit. Pasi u takuam me drejtorin e Ndërmarrjes Shtetërore të Ndërtimit (N.SH.N) Hidroelektrike të Vaut të Dejës dhe Sekretarin e Komitetit të Partisë së ndërmarrjes, na u tha në fillim se punëtorët, me iniciativën e tyre, për të zhdukur influencën e fesë, shkatërruan monumentin. Pastaj drejtori na tha se kishte dijeni për shkatërrimin e tij dhe ky veprim i dukej krejt normal.

Sot kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës është krejtësisht e shkatërruar dhe përveç grumbullit të gurëve, nuk ruhet asnjë gjurmë tjetër”. Me kaq mbyllet ky dokument. Pak ditë më pas, më 16 qershor, Drejtori i Institutit të Monumenteve, Gani Strazimiri, i diplomuar si arkitekt në Bashkimin Sovjetik, me dorën e vet harton një informacion të detajuar për Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Shkodrës. Një informacion ku qartësohen edhe rrethanat e shkatërrimit të kishës më të vjetër të ruajtur në gjendje të mirë në gjithë Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut.

Sipas këtij dokumenti, del se kisha mbrohej nga shteti si monument kulture dhe se kjo ishte e njohur nga të gjithë. Po kështu, Strazimiri sqaron se edhe pas studimit dhe seleksionimit të monumenteve fetare vitet e fundit, kisha e Shën Mërisë kishte mbetur sërish monument, pra në asnjë kohë për të nuk ishte bërë fjalë se do hiqej nga mbrojtja e shtetit. Në letrën e tij arkitekti i rikthehet sërish kontaktit të specialistëve me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektrike të Vaut të Dejës. “…Përfaqësuesit tanë për të vërtetuar këtë fakt në vend u takuan me drejtorin e N.SH.N… shokun Emin M., i cili edhe pse ishte në dijeni të plotë për veprimin që do të kryhej, në fillim pretendonte se monumenti u hodh në erë me iniciativën e punëtorëve në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare, por nga biseda e mëtejshme u kuptua se ai ishte shkaktari kryesor i asgjësimit të këtij monumenti, përderisa u shpreh se ‘edhe po të ketë monumente të tjera fetare në territorin e hidrocentralit, do t’i shkatërrojmë’.

Pretendimi se punëtorët, pa dijeninë e drejtorisë, hodhën në erë monumentin, na duket krejtësisht pa baza, pasi nuk mund të përdoren lëndë eksplozive nga kushdo qoftë, aq më tepër në territorin e Vaut të Dejës, që është i populluar dendur”. Pasi ripërsërit në të njëjtin dokument vlerën unike të kësaj kishe në vendin tonë, drejtori Strazimiri i kërkon Prokurorisë me forcë dënimin e përgjegjësve sipas logjikës se një veprim i tillë do të vlente që të tjerë të papërgjegjshëm të mos guxonin të ndërmerrnin veprime të ngjashme. Ai shkruan tekstualisht: “Mendojmë se përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin e këtij monumenti të rëndësishëm e ka drejtori i N.SH.N…, sh. Emin M., dhe kërkojmë që të bëhen ndjekje penale në bazë të paragrafit të dytë të Nenit 265 të Kodit Penal. Theksojmë se ky nuk është rasti i vetëm i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës, prandaj dënimi do të ketë efekt për mbrojtjen e monumenteve në të ardhmen”. Por pas një hetimi të përciptë, sipas dokumenteve të kohës, më 15.08.1969, Prokuroria e Shkodrës e mbyll çështjen.

PRESIONI PËR RIHAPJEN E HETIMIT

Beteja e drejtorit të Institutit të Monumenteve vazhdon edhe më e fortë pas vendimit të Prokurorisë së Shkodrës për pushimin e çështjes. Pak ditë më pas, më 30.08.1969, drejtori Strazimiri i dërgon një tjetër letër proteste Prokurorit të Përgjithshëm. Një letër edhe më të detajuar edhe më të fortë për çështjen e shkatërrimit të kishës së vjetër të Vaut të Dejës. Që në fillim të letrës Strazimiri shkruan se “ne nuk jemi dakord me këtë vendim për këto arsye:” Arsyet ishin: “…megjithëse… pranohet fakti se drejtori i kantierit të Qyrsaqit, Muhedin M., dha urdhër për këtë gjë (për shkatërrimin me dinamit të kishës), në fund me një arsyetim pa baza, duke aplikuar pa vend Nenin 98/5 të Kodit… shkarkohet ai nga përgjegjësia penale. Në rastin konkret veprimet e kundërligjshme të Muhedin M., ose të ndonjë personi tjetër, përmbajnë plotësisht elementët e figurës së krimit të parashikuar nga Neni 265/2 i Kodit Penal”.

Në vijim të kësaj proteste të dytë, drejtori rreshton faktin se “hetimi i çështjes nuk është i plotë, për arsye se ne mendojmë se fajtori kryesor për shkatërrimin e monumentit është drejtori i N.SH.N.,… Emin M., i cili as që u mor fare në pyetje nga hetuesia. Punonjësi i Institutit tonë, që u dërgua për të verifikuar në vend çështjen e shkatërrimit të monumentit, u takua me Emin M., i cili duke treguar një nënvleftësim të theksuar për monumentet e kësaj gjinie, i tha se jo vetëm që ishte në dijeni të çështjes, por edhe po të ketë monumente të tjera të tilla në territorin e hidrocentralit, do t’i shkatërrojnë…” Në katër faqe e gjysmë letër të shkruar me makinë shkrimi, drejtori Strazimiri argumenton se hetimi i çështjes ka qenë i njëanshëm, pasi janë marrë në pyetje vetëm ata që e kanë kryer dhe jo punonjësit e Institutit, që kanë shkuar në vendin e ngjarjes, që u takuan me drejtuesit e hidrocentralit, të cilët nuk e mohuan faktin se ishin të vetëdijshëm për shkatërrimin e monumentit.

Në të njëjtin arsyetim, drejtori sulmon vendimin e Prokurorisë së Shkodrës për pushimin e çështjes penale në ngarkim të Muhedin M., duke argumentuar se ai nuk e dinte që Kisha e Shën Mërisë ishte monument kulture. Por, sipas drejtorit Strazimiri, “këtë arsyetim e hedh poshtë vetë arsyetimi i vendimit, gjersa pranohet që në derën e kishës ishte vendosur tabela përkatëse”. Po kështu, pretendimin e të akuzuarit se nuk ka dhënë urdhër për prishjen e kishës e rrëzojnë dëshmitë e Ing. Vangjel Paskos, teknikut Gani Beqiri dhe brigadierit Hashim Zyberi.

Në letër Strazimiri godet edhe mohimin e Muhedin M., i cili gjatë marrjes në pyetje ka pretenduar se nuk ka qenë kurrë në vendin e ngjarjes. “…kisha e madhe (një kishë tjetër që gjendej pranë kishës së vjetër të Shën Mërisë) ngjitur me monumentin e kulturës, për një kohë të gjatë ka shërbyer si kinoklub për punëtorët dhe ai është drejtor kantieri”, argumenton drejtori i guximshëm. Duke rrëzuar një pas një argumentimet e Prokurorisë së Shkodrës për pushimin e çështjes, Strazimiri nxjerr edhe shkakun e vërtetë të shkatërrimit të kishës.

“Shtojmë se kjo kishë prej disa dhjetëra vitesh nuk përdorej për rite fetare dhe në të ishin kryer punime restaurimi nga ne, prandaj me sa duket, po të jetë e vërtetë se fshatarët faleshin dhe ndiznin qirinj në kishën e madhe, sepse e vogla qëndronte gjithmonë e mbyllur, fakt të cilin e konstatuam vetë në kontrollin që bëmë disa muaj para shkatërrimit të saj”, shkruan drejtori i Institutit të Monumenteve. Në fund, duke e rreshtuar edhe njëherë se çfarë vlerash kishte ajo kishë për kombin shqiptar, se çfarë studimesh ishin ndërmarrë nga historianë e ekspertë të huaj e shqiptarë, duke e quajtur kishën nga më të rrallat në Ballkan, Strazimiri rreshton edhe precedentët e tjerë në rrethin e Shkodrës e gjetkë të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. “Shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës është rasti i gjashtë i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës. Para disa vjetëve janë hedhur në erë dy monumente të rëndësishme, bezistani dhe hamami në breg të Bunës, dëmtuar monumenti i kulturës, pronë e Musa Dulja etj. Shkatërrimi i bezistanit dhe hamamit u bënë me paramendim natën, me qëllim që të viheshin para faktit të kryer.

Edhe këto raste i kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit të Shkodrës, por çështjet u pushuan, kështu që indirekt po lejohet shkatërrimi i monumenteve të kulturës në këtë rreth. Në këtë rast e shohim të nevojshme t’ju vëmë në dijeni, se edhe Prokuroritë e disa rretheve të tjera, si e Beratit, Lezhës etj., nuk përfillin denoncimet tona lidhur me shkatërrimin ose dëmtimin e monumenteve të kulturës… Duke vepruar në këtë mënyrë nuk garantohet mbrojtja e monumenteve të kulturës në vendin tonë dhe u lihet dorë e lirë personave të ndryshëm për t’i shkatërruar, ose dëmtuar, duke përdorur kurdoherë arsyetimin e mos pasjes dijeni se janë monumente kulture”. Në mbyllje të kësaj letre, drejtori Strazimiri kërkon prishjen e vendimit të Prokurorisë së Shkodrës për pushimin e çështjes penale si të pabazuar, të paplotë dhe të njëanshëm duke kërkuar ribërjen e hetimeve.

Një ligjërim që përmbyllet sërish me një këshillë krejtësisht patriotike: “Dhënia e dënimit të merituar në këtë rast flagrant do të kishte efekt pozitiv për parandalimin në të ardhmen të veprimeve të kundërligjshme ndaj monumenteve të kulturës”.

MBYLLJA E ÇËSHTJES

Me gjithë kërcënimet e Institutit të Monumenteve për të hetuar seriozisht këtë çështje, Prokuroria e politizuar e kohës nuk merr asgjë seriozisht dhe përfundimisht e pushon çështjen duke mos vënë askënd para përgjegjësisë. Njëkohësisht Prokurori i Përgjithshëm, për habi, dërgon në Prokurorinë e Shkodrës, më 30 tetor 1969, një letër të hollësishme me anë të së cilës u “heq veshin” vartësve duke u dhënë leksion se si duhet ta kishin hetuar këtë çështje.

Një letër, përmbajtja e së cilës sjell edhe më tepër detaje në zbardhjen e ngjarjes. Goga e këshillon kreun e Prokurorisë së Shkodrës Faik Minarolli, se duhet të kishte kryer një seri veprimesh të tjera hetimore filluar nga fakti i mos marrjes në pyetje i dy ekspertëve, një i Institutit të Monumenteve, një i seksionit të arsimit e kulturës së Shkodrës, që të mbërritur në Vaun e Dejës për të hartuar procesverbalin e ngjarjes, ishin takuar me drejtorin e N.SH.N-së Emin M., dhe kishin dëgjuar nga goja e tij versionin për shkatërrimin e monumentit, bashkë me faktin se ai u kishte thënë se kishte dijeni dhe se gjithçka ishte normale. Po kështu, në këtë korrespondencë të Prokurorit të Përgjithshëm mësohet edhe fakti se në mes të kësaj ngjarjeje ka pasur edhe një histori me fletë-rrufe. Sepse jemi në vitet e influencës kineze. Pra punëtorët kishin vënë një fletë-rrufe, që mesa duket kishte pasur si shkas pikërisht faktin se banorë të zonës vazhdonin të shkonin fshehurazi në kishë dhe të faleshin.

Kështu Kryeprokurori tërheq vëmendjen vartësve duke shkruar se ata duhet të kishin marrë në pyetje edhe Sekretarin e Komitetit të Partisë për Vaun e Dejës si dhe drejtorin i ndërmarrjes rreth faktit nëse e kishin shqyrtuar fletë-rrufenë, se çfarë kishin vendosur, në kishin dhënë përgjigje me shkrim dhe në rast se fletë-rrufesë i ishte dhënë përgjigje, kjo duhej gjetur e administruar. Po sipas Kryeprokurorit, duhet të ishin marrë në pyetje edhe punëtorët që vunë dinamitin, pasi atyre u ishte thënë se “Komiteti i Partisë i dha përgjigje fletë-rrufesë, që kisha të shembet”. Pra sipas këshillës së Kryeprokurorit duhet të ishte sqaruar nëse punëtori Kasëm Koçiu, e kishte parë vetë këtë përgjigje të fletë-rrufesë, apo thjesht e kishte dëgjuar nga të tjerë. Po kështu, sipas Kryeprokurorit, vartësit e tij në Shkodër duhet të kishin marrë më me shumë kujdes në pyetje dëshmitarin Vangjel Pasko, inxhinier ndërtimi, i cili kishte dëshmuar: “… për këtë shembje besoj se ka dhënë aprovim drejtoria përderisa atje kanë shkuar kompresori i ajrit, eksplozivi etj”.

Sipas Gogës, këtij dëshmitari duhet t’i ishte kërkuar të shpjegonte mënyrën e lëvizjes së kompresorit të ajrit me qëllim që të zbuloheshin prova për subjektin e krimit. Po kështu Kryeprokurori ka vënë re se nuk është kryer ballafaqim mes të pandehurit Muhedin M., dhe dëshmitarit Hashim Zyberi, nëse ishte apo jo e vërtetë që i pandehuri e kishte urdhëruar për të shkatërruar kishën. Në fund të leksionit Goga u heq vërejtje kolegëve lokalë se, që hetimi të ishte i plotë duket të kishin marrë në pyetje banorët që kanë shtëpitë në afërsi të monumentit të shkatërruar për të saktësuar faktin e ekzistencës së ndonjë mbishkrimi te dera e kishës dhe nëse ky ishte në italisht, apo në ndonjë gjuhë tjetër. Madje këtë moment Kryeprokurori e cilëson “mëse të nevojshëm”. Përfundimisht Goga shkruan: “… të metat e mësipërme tregojnë se hetimi nuk ka qenë i plotë dhe i kujdesshëm.

Vendimin e pushimit nuk e anuluam, për shkak se çështjes i ka kaluar aktualiteti, por megjithatë të metat t’i bëhen të njohura hetuesit për t’i pasur parasysh në punën e tij. Bashkëngjitur ju kthejmë dosjen”. Një mbyllje që zbulon më mirë se si kanë lëvizur levat e shtetit të kohës, apo ato fakte që nuk pasqyrohen në asnjë dokument. Që zbulon se hetimi u anulua jo se nuk kishte fakte, por sepse nuk kishte aktualitet. Dhe ky “aktualitet i munguar” ishte se kisha e Vaut të Dejës ishte hedhur në erë në vazhdën e fushatës së komunistëve në pushtet kundër fesë. Në të kundërt, çështja do të kishte “aktualitet” vetëm në rast të mungesës së një lufte të tillë. Pesë ditë më pas, më 5 nëntor 1969, Kryeprokurori Goga i dërgon një letër zyrtare edhe Institutit të Monumenteve, ku sqaron se përse nuk e anuluan vendimin e Prokurorisë së Shkodrës për pushimin e çështjes.

Sipas Gogës, “nga hetimet e zhvilluara është vërtetuar në mënyrë të plotë se kisha është shkatërruar me lëndë eksplozive nga punëtorët e sektorit të Qyrsaqit, me urdhrin e të pandehurit (Muhedin M.). Por për të pasur ky përgjegjësi penale në bazë të nenit 265/ 2 të Kodit Penal, duhej që të kishte dijeni se ajo ishte monument kulture, gjë që nga provat e administruara nuk vërtetohet”. Një argumentim që do ngrinte të nervozuar nga vendi çdo jurist, qoftë edhe ata të kohës së diktaturës. Pasi në çdo vend të botës populli nuk presupozohet të dijë përmendësh të gjitha ligjet e shkruara. Sepse parimi universal thotë se pas kryerjes së një vepre penale të parashikuar me ligj, gjithkush që kap ligji dënohet dhe nuk i jepet asnjë të drejtë kur argumenton se nuk njihte ligjin.

Në rastin aktual, shkatërruesi i monumentit të kulturës duhet të ishte dënuar vetëm sepse e shkatërroi atë. Sepse ligji nuk merret fare me “e dinte” apo “nuk e dinte”. Kështu që justifikimi i Prokurorit të Përgjithshëm Lefter Goga përballë Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorit të tij të zemërak, Gani Strazimiri, “se autori nuk kishte dijeni” duket se ka qenë një manovër sa për të bindur krerët e këtij institucioni që të pajtohen me këtë vendim dhe mundësisht të mos e zgjasnin më tej.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura