Shkarkimi i gjyqtarit/ Si i dhanë fund karrierës së tij, nipi sekser dhe pasuria e vajzës

Sep 29, 2018 | 20:50
SHPËRNDAJE

Sipas vendimit të zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari u shkarkua për shkak të kontakteve të papërshtatshme me nipin e tij të dënuar si sekser, si dhe për mos justifikimin e pasurisë nga personat e lidhur.  

Seanca-Gani-Dizdari-600x292

Me 16 korrik Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Pamela Qirko si kryesuese, Rolad Ilia si relator dhe Olsi Komici si anëtar, votoi unanimisht shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari.

Më një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë si prokuror dhe gjyqtar, Dizdari ushtronte detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese prej prillit të vitit 2013. Më herët, nga viti 2066 deri në vitin 2013, Dizdari ka qenë anëtarë i Gjykatës së Lartë.

Vendimi i tre anëtarëve të KPK-së u mbështet në raportin e Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, DSIK, mbi kontaktet e papërshtatshme të gjyqtarit me nipin e tij të dënuar për ndikim të paligjshëm në Gjykatën e Lartë, si dhe mungesën e burimeve të ligjshme për krijimin e disa pasurive të paluajtshme.

Në raportin e saj të dërguar në KPK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka arritur përfundimin se gjyqtari Gani Dizdari është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës për shkak të lidhjeve të ngushta me shtetasin A.L, i cili është dënuar në qershor 2012 me vendim të formës së prerë për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike,” vepër që e kualifikon këtë person si të përfshirë në krimin e organizuar.

Nga hetimi administrativ i KPK-së ka rezultuar se ndikimi i paligjshëm i personit të lidhur A.L është ushtruar ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë, gjatë periudhës kur gjyqtari Gani Dizdari ishte anëtari i saj.

“Nga shqyrtimi i dosjes gjyqësore, ka rezultuar që z. A.L., është dënuar për ndikim të paligjshëm ndaj vetë subjektit të rivlerësimit,” shkruan KPK në vendimin e plotë të publikuar të premten.

Nga të dhënat e mbledhura nga sistemi TIMS, KPK ka zbuluar se gjatë periudhës 2013-2017, gjyqtari Dizdari ka udhëtuar 10 herë jashtë vendit me një automjet të personit të lidhur A.L. I pyetur nga Komisioni mbi kontaktet me këtë të fundit, subjekti i rivlerësimit i ka karakterizuar marrëdhëniet si të ngrohta dhe familjare.

“Me të kam marrëdhënie të mira, kam pasur dhe kam takime jo vetëm në raste familjare por dhe në takime të veçanta sipas rastit,” ka deklaruar Dizdari nëpërmjet një shkrese të protokolluar në KPK në 19 mars.

“Me z. A.L. kam udhëtuar, jashtë shtetit në Hamburg – Gjermani, fillimisht në vitin 2010 kur kam shkuar për ndërhyrje shëndetësore e më vonë dhe 2 – 3 herë të tjera, po për arsye shëndetësore mbasi kam pasur detyrim të bëj kontroll mjekësor për çdo vit. Theksoj se, fakti që kam shkuar me nipin tim, z. A.L., është se ai ka jetuar rreth 15 vite në Hamburg – Gjermani,” ka shtuar ai.

Lidhja e gjyqtarit me nipin e tij të dënuar është konsideruar nga KPK si një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, për të cilën mungojnë rrethanat lehtësuese.

“Kjo përbën një problem serioz me figurën, që bën të pamundur vazhdimin e detyrës dhe konstituon shkak për marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra,” shkruan KPK.

Përveç problemeve të konstatuara me kontrollin e figurës, KPK ka zbuluar dhe probleme me pasurinë e gjyqtarit Dizdari dhe atë të personave të lidhur.

Sipas KPK-së subjekti i rivlerësimit nga mungesë burimesh të ligjshme për një apartament banimi me sipërfaqe 69.7 metra katrorë në Tiranë, të blerë nga bashkëshortja e ndjerë e gjyqtarit. KPK nënvizon se në lidhje me këtë apartament Dizdari ka dhënë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me burimet e ligjshme të të ardhurave si dhe ka dhënë deklarim të pasaktë në lidhje me të ardhurat e deklaruara ndër vite.

Më tej Komisioni shprehet se gjyqtari Dizdari ka gjithashtu mungesë burimesh të ligjshme në lidhje më një depozitë në Bankën Credins në vitin 2011, e cila është përdorur për shpenzimet e kryera në Gjermani për trajtim shëndetësor. Sipas subjektit kjo depozitë është krijuar me kontributin e “njerëzve të mi, nipër, mbesa,” por ai nuk ka dhënë dokumentacion mbështetës për këtë pretendim.

KPK ka hetuar gjithashtu dhe blerjen e një apartamenti prej 89.16 metra katrorë në Tiranë, nga e bija e subjektit, shtetasja me inicialet A.D. Sipas deklaratës veting të subjektit kjo pasuri është blerë nga shtetasja A.D në vitin 2013, me vlerë 73,111 euro.

Ne deklaratat periodike të viteve 2009 dhe 2010, subjekti e ka deklaruar këtë apartament sipas kontratës së porosisë me vlerë 94 mijë euro, nga të cilat 40 mijë euro janë paguar në vitin 2009 dhe 54 mijë euro në vitin 2010. Deklarata veting the deklaratat periodike kanë një mospërputhje me vlerë 20 mijë euro. Për këtë shumë shtetasja A.D ka deklaruar se i është kthyer mbrapsht nga kompania e ndërtimit në momentin që ka lidhur kontratën e shitjes në vitin 2013. Marrja mbrapsht e kësaj shume nga personi i lidhur nuk përmendet as në deklaratën veting dhe as ne deklaratat periodike, duke bërë sipas KPK-së deklarim të pamjaftueshëm.

Nga hetimi administrativ i ndërmarrë nga Komisioni për personin e lidhur A.D, ka rezultuar gjithashtu pagesa në mënyrë periodike e një qiraje nga një shtetase dhe një kompani, për periudha që kanë shkuar nga 6 në 14 muaj me vlerë mujore 500 euro dhe 600 euro. Sipas KPK-së vajza e gjyqtarit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për të ardhurat nga qiradhënia. Gjithashtu, KPK ka konstatuar se ajo ka bërë gjithashtu deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me shpenzimet e mobilimit të apartamentit në vlerë 15 mijë euro.

Burimi i krijimit të të ardhurave për blerjen e apartamentit nga vajza e gjyqtarit Dizdari ka qenë gjithashtu pjesë e hetimit të KPK-së. Në deklaratën e pasurisë të vitit 2009, personi i lidhur A.D ka deklaruar prenotimin e apartamentit me sipërfaqe 99 m2 dhe vlerë 94 mijë euro. Sipas të njëjtës deklaratë ajo ka paguar një këst me vlerë 40 mijë euro, me anë të një huaje të marrë nga kushëriri Sh.Z. Në vitin 2010 ajo ka deklaruar pagesën e këstit të dytë të shtëpisë me vlerë 54 mijë euro, nga të cilat sipas saj 23 mijë euro kanë ardhur nga ish-bashkëshorti, 5 mijë euro nga babai, 6 mijë euro nga gjendja ‘cash’ dhe 36 mijë euro kredi nga një kushëri tjetër.

Në lidhje me burimin e ligjshëm të krijimit të të ardhurave për 2 huatë e marra nga znj. A.D., personave, Sh.D. dhe M.L., Komisioni ka bërë hetime për të verifikuar nëse këta persona kanë pasur burime të mjaftueshme financiare për të dhënë hua pa interes, statusi i të cilave, sipas deklarimeve të personit të lidhur janë akoma të pashlyera. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të dy këta shtetas nuk kanë pasur burime të ligjshme për të dhënë hua në këto shuma. Gjithashtu nga analiza financiare e të ardhurave dhe shpenzimeve, ka rezultuar se shtetasja A.D ka pasur një bilanc negativ në vitin 2009 në vlerën 5.6 milion dhe në vitin 2010 në vlerën 8 milion. Në përfundim KPK ka arritur përfundimin se deklarimet e vajzës së gjyqtari në lidhje me apartamentin janë të rreme, të pamjaftueshme dhe jo në përputhje me ligjin.

KPK ka ngritur dyshime të ngjashme në lidhje me blerjen e një automjeti Benz-Mercedez me vlerë 900,000, me burim shitjen e një automjeti të së njëjtës markë më vlerë 6 mijë euro. Nga hetimi i KPK-së është zbuluar se znj.A.D e ka blerë automjetin e ri përpara se të shiste automjetin e vjetër, çfarë përbën mospërputhje, deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë justifikimi i të ardhurave për blerjen e automjetit Benz-Mercedez.

BIRN 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura