“Shkakton zgjatje të udhëtimit dhe shtim të kostos”- Bardh Spahia thirrje institucioneve: Rishikoni vendimin për devijimin e rrugës nga Shkodra drejt Rinasit

Apr 29, 2022 | 16:50
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia i bën thirrje institucioneve të rishikojnë vendimin për devijimin e rrugës nacionale drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë në drejtimin nga Shkodra drejt kryeqytetit.

279456477_359347162878729_2122081266341218905_n

Spahia shprehet se ky është një vendim i pamenduar mirë që shkakton jo vetëm zgjatje të udhëtimit por edhe shtim të kostos financiare.

Ai fton kolegët drejtues të bashkive të tjera në veri të vendit t’i bashkohen kësaj thirrje në të mirë të qytetarëve.

Deklarata e plotë e Bardh Spahisë

Jam njohur me vendimin e fundit të ARRSH për devijimin e rrugës nacionale drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë në drejtimin nga Shkodra drejt kryeqytetit. Me shumë të drejtë, ka patur reagime të shumta të banorëve të Shkodrës lidhur me këtë vendim që dëmton Veriun e vendit.

Është një vendim i pa menduar mirë, që shkakton jo vetëm zgjatje të udhëtimit në kilometra por edhe shtim të kostos financiare për banorët nga Shkodra dhe zonat e Veriut drejt aeroportit “Nënë Tereza” dhe kryeqytetit.

Në emër të banorëve të Shkodrës, i bëj thirrje institucioneve që të rishikojnë këtë vendim absurd të marrë në dëm të banorëve të Shkodrës dhe mbarë Veriut të vendit.

Nga ana tjetër, ftoj të gjithë kolegët, drejtues të bashkive të tjera në Veri të vendit që t’i bashkohen kësaj thirrje në të mirë të qytetarëve, të cilët sot kanë nevojë për lehtësim dhe jo vështirësim të lëvizjes dhe rritje të kostove të jetesës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura