“Shka mund t’shkruej, ky qi as byk nuk ka në krye, jo ma tru?…”, 148 vite nga lindja e At Gjergj Fishtës, Demalia e përkujton me vargjet e tij

Oct 23, 2019 | 17:28
SHPËRNDAJE

Sot bëhen plot 148 vite nga dita e lindjes së Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës.

Analisti i njohur Ilir Demalia ka vendosur ta përkujtojë me disa vargje nga poema “Gomari i Babatasit”, ndërsa shkruan se pas 100 vitesh, vargjet janë më aktualë se kurrë për gazetarinë shqiptare.

ilir demalia

Postimi i plotë:

Sot në ditëlindjen e VIGANIT VERIUT
Poetit Kombëtar dhe të vetmit…. At Gjergj Fishta

Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes
Maxmilian Lamberz

Me aktual se kurrë mas 100 vjetësh për gazetarinë shqiptare

Pjesë nga Gomari Babatasit

Pa pasë shkrim as kambë as krye,

N’ mereqep kartat kanë zhye,

E t’ kane pjellë-me nder me thanë-

Njata artikuj që ty t’dhanë

S’tasht der sot me u vu me i kndue.

Se ata besa – m’ndigjo mue-

Nuk i kanë shkrimet zanat:

S’ jane për pende, por janë për shat.

Jo, po, kshtu asht mor t’u ngjate jeta!

Për me shkrue zotni n’gazeta

Duhet shkruesi t’ jete ma parë

Nieri i ndershëm e atdhetar,

T’ jete fisnik, zemer-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t’ket qenë hafije

Mandej duhet qe t’ketë dije-

Dije t’hapët n’ekonomi,

N’histori e në tregti,

N’politikë e në drejtsi;

Edhe t’dije shk’asht shkolla e msimi

Shk’asht lirija e qytetnimi,

T’ jetë shqiptar në shkrim e n’gojë,

Fjala n’pendë mos t’i ngurroje:

Marë e marë puntë t’i kallzoje

Me t’ngushtue me kndue përdhuni

Shka ndër shtyylla ai rresht vuni,

Tashti, pra nji sallahan,

Vagabond e shakllaban,

Njeri idiot e laraman,

Që mendon se për taman

Të tanë botë rri n’ “sahan”,

Shka mund t’ shkruej, po t’pyes unë ty

Ky qi as byk nuk ka në krye,

Jo ma tru?…
Disa vlersime të autorëve të huaj dhe shqiptar për Viganin e Veriut

Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin

Elita Franceze e thërrasin “Tirteu i Shqipërisë”.

“Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji furi të çuditshme ther e pren aty ku djeg.”
Albanologu Fulvio Cordignano,

“Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.”
Geatano Petrotta

“Fishta, shikuar n’atë qënien e vet, pa dyshim është krejtësisht romantik. Rëndësija e tij mbi kombsin, zgjedhja e lëndës, fuqija, gjallnija e nderimi i shprehjevet të tija, sidomos trajta e përmbajtjes së veprës së tij kryesore Lahuta e Malcís – me mbishkrimin tërhjekës të dokeve e të zakoneve kombëtare e bëjnë dëshmí mjaft t’qartë … Fishta, ky gjenueni i rrënjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, qi për shkak të njohjes së thellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e mbi jetën shpirtnore të kombeve të tashme të Evropës, u kap në majë ma të naltat të kulturës.”
Prof. Dr. Norbert Jokl

“… Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikëpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarëve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro – thrakëve.”

Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes

I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta”.

…”Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna.
Maxmilian Lambertz

Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Dante Aligerin, Anglia pa Shekspirin, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Franca pa Balzakun aq mund te kuptohet dhe Shqipëria pa At Gjergj Fishtën.
Gustav Mayer

“Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora.”
Erwin Stranik

“Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale.”
At Anton Harapi

“Atë Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në
të gjitha ka qenë i suksesshëm. Mirëpo, jashtë Shqipërisë ai është i njohur vetëm si autor i Lahutës së malcisnjë epope pastorale e kalorsiake, përkthimi gjerman i së cilës botuar në Laipsig është i dobët, meqë nuk ka qenë e mundur të përkthehet muzika e ritmit Fishtës dhe coloriti tij.

Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës.”
Faik Konica

“Tue lexue Lahutën e tij, përplot me teprica kangësh rapsodike të pa emën, të duket se je tu e vështrue popullin shqiptar kah i këndon vedvetit, me fjalët e Fishtës, ma t’kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz që rrjedh në zemrën e tij Ilire”.
Ernest Koliqi

“Patër Fishta…me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë.”
Anton Baldacci

“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar,ky është si të thesha monopolitetioliteti” gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit…

Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!

Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit- anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: … fundi i fundit, dhè Kombi ka të drejta mi mua
Lasgush Poradeci

Ne vitin 1935 At Fishta pat përfunduar “Lahutën e Malcis”. Ati i dërgon Lahutën Eqerem Cabejt, i cili ishte në Vienë, sëbashku me një kartolinë urimi për Vitin e Ri. Pas dy tre muajsh Çabej i kthen përgjigje At Fishtës, ku ndërmjet të tjerave i shkruan:

“Padre, të falenderoj për urimet e Vitit te Ri, por të falenderohem njëmijë herë për veprën që më dërgove Lahuta Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashurue aq shumë e këtë vepër sa po më detyron të bëhem katolik.”

Në vitin 1936, gjuhëtari i shquar dhe studiuesi i letërsisë, albanologu më i madh, Eqerem Çabej në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe”, kur flet për Fishtën dhe veprën e tij, ndër të tjera shprehet: Një provë që nuk e kishte bërë me sukses letërsia shqipe më parë, bëhet me sukses të jashtëzakonshëm nga ky autor. Me Lahutën e Malcisë, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje. Vepra e këtij autori është e mbështetur në këngët e veriut mbi trimëritë të cilat në veprën e re thuren duke u përsosur e fisnikëruar.

Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar në njësinë e madhe të kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin ke Abdyl Frashëri me Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjëroj botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën në një brendi kombtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar
… duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një eposballkanik. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si nëdukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës
Gjergj Fishta është bërë sidomos me Lahutën e Malcisë përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare.
Eqerem Çabej

” Lahuta e Fishtës çfaq ndjesitë më të thella dhe karakteristikat me të kristalizuara që i ruajti raca shqiptare përmes shekujve plot shtrëngata…Shqipëria e tërë përfshihet e dehur nën vargjet e kësaj Lahute, e cila bëhet pronë kombtare, mish e gjak, ndjenjë e mish i përbashkët”.
Sterio Spase

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të “Lahutës së Malcisë” që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës “Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e “Lahutës”, odet dhe elegjitë e “Mrizit të Zanave” e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj“
Aleksandër Xhuvani (Fjala e tij ne varrimin e Fishtës)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura