Shit! Blerje!

Jul 5, 2015 | 13:30
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja

EDMOND TUPJA

                 Me siguri që lexuesi i zg juar, sidomos ai që flet e shkruan, pak a shumë në mënyrë të kënaqshme, edhe ndonjë gjuhë të huaj si, për shembull, anglishten, dhe që ka ndjenjën e humorit qoftë edhe të hidhur, mund të shtrojë pyetjen përse e kam ndarë në dy pjesë fjalën “shitblerje” që në krye të këtij  shkrimi, pyetje së cilës do t’i përgjigjem ashtu siç e ndiej e siç më vjen. Të gjithë ose gati të gjithë jemi dëshmitarë të një fenomeni krejt të pamoralshëm që tashmë shoqëron pashmangësisht zgjedhjet në Shqipërinë e ashtuquajtur demokratike, qofshin ato legjislative apo vendore.

E kam fjalën për shitblerjen e votave nga qytetarët dy herë në katër vjet, me rastin e zgjedhjeve që sapo përmenda. Shitblerja ose më saktë shit!blerja e votës gjatë zgjedhjeve të organizuara në vendin tonë pas rënies së diktaturës komuniste, u shfaq si një dukuri sporadike – fillimisht mall kundrejt votës –, por më është krijuar përshtypja se, që nga viti 2013, ajo është institucionalizuar duke u shndërruar në biznes – para kundrejt votës – aq sa, në trajtë anekdote apo realisht, thuhet se në një qark të vendit Aleanca e së majtës humbi në zgjedhjet e para tri javëve sepse një numër i konsiderueshëm zgjedhësish nuk pranuan të shisnin votën e tyre për shumën e propozuar, e cila iu dukej fort e ulët.

Rreziku që kërcënon kështu të gjitha proceset zgjedhore te ne është se, pak nga pak, kjo praktikë e neveritshme tregtariste ka shumë gjasë të shndërrohet në një tipar të shoqërisë sonë e të mos na duket më e pamoralshme: të gjitha partitë e spektrit politik shqiptar do të kthehen de facto në sipërmarrës votimesh dhe investues votash, te të cilët zgjedhësit do të lënë peng votën, lirinë dhe ndërgjegjen e tyre të lerosur.

Madje, në këtë kuadër, duke qenë se ne, shqiptarët, mësohemi shumë shpejt me të renë dhe e përqafojmë atë me gaz e hare, hamendësoj se, në një të ardhme fare të afërt, mund të përurohet në gjirin e Bankës së Shqipërisë edhe një departament tejet fitimprurës, ai i bonove të votave me përqindje interesi fort të leverdishme për ata dhe ato që do të kenë nuhatjen t’ua shesin votën dhe veten partisë me më shumë shanse për t’i fituar zgjedhjet dhe për të marrë rrjedhimisht pushtetin.

Sidoqoftë, tek shfletoja një ditë “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (Tiranë, 1980), pra, të botuar në kohën e diktaturës komuniste, rashë si rastësisht te fjala “shitblerje”, tek e cila na jepet si shembull togfjalëshi “kooperativat e shitblerjes” që shpjegohet si vijon: “organizata ekonomike e shoqërore të krijuara pas Çlirimit, si hallka kryesore të tregtisë midis fshatit e qytetit, të cilat kishin për qëllim forcimin e lidhjeve e të aleancës ndërmjet klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste nëpërmjet shkëmbimit të tepricave të prodhimeve bujqësore me prodhime industriale”.

Ndonëse nuk e di në ekziston ndonjë fjalor i termave ekonomikë i botuar këto kohët e fundit nga Akademia jonë e Shkencave, mendoj që në të duhet shtuar termi “shit!blerje” si term tashmë karakteristik, tipik e specifik i zgjedhjeve në shtetin e sotëm shqiptar; madje, shembulli i lartpërmendur nga Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (Tiranë, 1980) mund të përshtatet si vijon: “kooperativat e shit!blerjes: struktura politiko-ekonomike të krijuara në vitin 2013 nga e majta shqiptare, si hallka kryesore të tregtisë midis zgjedhësve dhe partive politike, të cilat kanë për qëllim forcimin e lidhjeve e të aleancave të ndershme e vëllazërore ndërmjet elektoratit shqiptar dhe partive politike përmes allishverishesh që synojnë ardhjen e këtyre të fundit në pushtet për të mirën dhe të ardhmen e lavdishme të popullit shqiptar”.

Së fundi, por krejt nga ana ime, do t’u këshilloja modestisht autorëve të fjalorit në fjalë që ta fusin termin “shit!blerje” në gjuhën tonë pa ngurruar ta shkruajnë troç, trup e copë “mutblerje”, gjë që nuk arrita ta bëja në radhët e mësipërme, ngaqë nuk doja t’ua skandalizoja sytë e moralshëm lexueseve dhe lexuesve të kësaj rubrike të përjavshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura