“Shiriti” kulturor i sezonit turistik

May 25, 2022 | 7:40
SHPËRNDAJE

ndue-dedajNDUE DEDAJ

Startuan shumë veprimtari kulturore njëherësh këtë maj, në disa qytete të vendit, por nuk u pre askund ndonjë shirit përurues nga drejtuesit vendorë a ministrorë, nuk u mbajtën fjalime si zakonisht. Menduam të shkruanim edhe për këtë, po sidomos për të vënë në dukje se ka nisur ndryshe ky sezon turistik, jo vetëm me skuadrat e palodhura të pastrimit të plazheve, jo vetëm me ofertat e operatorëve turistikë, por dhe përmes shpalimit të artit popullor, ritualeve dhe zejeve të traditës. Nuk ka pasur ndonjë direktivë nga lart, e gjitha ka qenë fryt i nismave komunitare, bashkiake, arsimore, biznesit, shoqatave etj. Hasi u mblodh me miq e me shokë në qendrën e tij, Krumë, për të vendosur me ceremoni përmendoren e Pjetër Bogdanit, përcjellë me kumtesa nga Sabri Hamiti dhe Aurel Plasari.

Nuk e bëri për t’i dhënë ndonjë kumt Tiranës e Prishtinës, por e ndjeu si detyrim të vetin, çka u mundësua falë biznesmenit të njohur Kadri Morina. Kthimi i hasianëve tek ungjillëzuesi zëmadh i shekullit XVII, që vepronte nga Shkodra e Tivari në Prizren e Shkup, poeti i Çetës së Profetëve dhe i Sibilave, kur shumëkush nga bashkëkohorët e politikës e pushtetit mendon për “shtatoren” e tij, përbën një akt qytetërues, një shëlbim ndaj vetëdijes kombëtare. Etërit janë përherë gurë themeli dhe prej andej nis vazhda e ndritur e një populli e kulture. Tani në Has do të ketë më shumë vizitorë dhe për t’u njohur me Argjipeshkvin hero të motit të largët 1689 dhe të tjerë martirë me zhgun, si At Luigj Pali(ç) më 1913 e At Shtjefën Gjeçovi më 1929.

Ky bum kulturor etnofolklorik, krahas shfaqjeve teatrore të Tiranës (pa Teatër Kombëtar), sikur na thotë se jo çdo lajm i këtij vendi buron nga kronikat e SPAK-ut, me kaq e aq të arrestuar për krime të ndryshme gjatë operacionit të fundit “Golden Bullet” etj.

“BURRELI, NJËQIND VJET QYTET” – KONFERENCË SHKENCORE DHE PANAIR ARTIZAN

U ndodhëm në Burrel, në kremtimin e njëqindvjetorit të tij si qytet. Në vitin 1922, qendra e Nënprefekturës së Matit nuk do të ishte më Lisi, por do të zhvendosej në Burrel, asokohe një fshat me 61 shtëpi, që hap pas hapi do të merrte pamje urbane. Shekullin e tij administrativ, Bashkia e Matit do ta festonte me banorë të ardhur nga i gjithë rrethi dhe plot miq të ftuar, akademikë nga Tirana, kryebashkiakë fqinjë, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta etj.

Kryetari i bashkisë, Agron Malaj, krahas mirëseardhjes, u foli të pranishmëve rreth hapave të ndërmarrë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të fshatrave dhe zhvillimin e turizmit, çka e tregonte më së miri vetë qyteti i shndërruar atë ditë në një panair agroturizmi dhe agrobiznesi, me produkte të shumta ushqimore e artizane, sjellë nga Ulëza, Bazi, Derjani, Rukaj, Macukulli, Komsia, Lisi, Klosi, Xibri, Gurra, Kurdaria, Suçi etj. “Mirë se vini në Mat!” ishte jo vetëm ftesa e një dite, por e të gjitha ditëve e stinëve drejtuar turistëve, mbasi Mati është një rezervat vlerash të kulturës materiale dhe shpirtërore, në të gjithë arealin e tij. Dje për të ardhur në Burrel e Dibër ishte vetëm “Rruga e Dritës”, që nisi të hapej nga Shkopeti në vitin 1952, duke zëvendësuar rrugën e vjetër që kalonte nga Uraka e Perlati (rindërtuar e asfaltuar me 2009) e tash do të jetë dhe Rruga e Arbrit. Matit po i rikthehen rrugët e vjetra, nëpër të cilat “lëvizi” historia e tij qindravjeçare.

Akademik Neritan Ceka, njëri nga kumtuesit në konferencën shkencore kushtuar njëqindvjetshit të Burrelit qytet, foli për lashtësinë e Matit, që nis me shpellat e famshme të Blazit, Nezirit, Këputës, tumat e Bazit e Bushkashit etj. Sipas tij, Mirdita dhe Mati kanë dëshmuar një kulture të zhvilluar ilire që nis nga shekulli VIII para Krishtit, çka lidhet me shfrytëzimin e bakrit, ku me rëndësi duhet të ketë qenë edhe qarkullimi i udhëtarëve e mallrave nëpër luginën e Matit dhe Fandit. Duke u njohur me dëshmi të tilla, kupton se ky rajon malor dhe ato fqinj me të nuk ishin të izoluar.

Kemi pasur rastin ta shëtisim Matin në disa zona dhe kemi parë se ai mbart një pasuri të rrallë monumentale, me kalanë ilire të Xibrit dhe ato mesjetare të Stelushit, Gurit të Bardhë, Bruçit etj., të lidhura ngushtë me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, sot objekte të lakmuara nga turistët. Mati vjen përmes zërit të Feride Kurtit dhe magjisë melodike të Ymer Nelit, lirikave të Basir Bushkashit, pikturave të Tahir Tahirajt, kërkimit shkencor të Dilaver Kurtit, që “zgjaton” deri tek i biri, Artani, i cili së fundi ka publikuar librin etnografik “Matja në gur e në dru”, kushtuar kullave matjane, simbolikave, dekoracioneve, traditave dhe ritualeve të tyre. Burreli, qyteti i mollëve, ka shenjat e veta, ndër të cilët parkun e Nënës Mbretëreshë, bibliotekën publike që atë ditë mori emrin “Pjetër Budi” etj.

Mati shtrihet dhe përtej territorit të vet gjeografik, përmes lumit – shndërruar në liqen i dy prej hidrocentraleve të para të vendit, që i ka dhënë emrin dhe fushës së Bregut të Matës.

SHKOLLA PËR TRADITËN – NXËNËSIT USHTROHEN

Të premten e kaluar, sipas një programi të DRAP Lezhë, shkollat e rajonit verior: Lezhë, Kurbin, Mirditë, Shkodër, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Kukës, Has, Tropojë shndërruan në “klasë” mësimi sheshet e qyteteve të tyre, ku demonstruan se jo vetëm dinë ta çmojnë traditën e arteve dhe zejeve të të parëve, por janë të aftë të ushtrohen dhe vetë në to. Në Lezhë panairin e punimeve të nxënësve e vizitoi dhe ministrja e Arsimit, Sportit e Rinisë, Evis Kushi, duke i përgëzuar ata për fantazinë dhe mjeshtërinë krijuese në lëmin e traditës. Në Rrëshen, në kohën që ansambli “Mirdita” po nisej drejt Vushtrisë (Kosovë) për të dhënë një koncert atje së bashku me artistët vendës, nxënësit e shkollave të Mirditës mbushën sheshin “Abat Doçi”, duke qenë vetë protagonistë të panairit me punime artistike të trevës.

E bukura e këtyre veprimtarive ishte se nuk kishte “folklor për folklor”, por dëshirë të fëmijëve për t’u argëtuar e pozuar me veshjen karakteristike popullore, për të kënduar, kërcyer, qëndisur, aktruar ritualet e mikpritjes në sofra, gatuar gjellët e kuzhinës së dikurshme, aq të kërkuara në bujtinat turistike. Folklor e etnografi në fokusin e edukimit është një risi e shkollës sot. Ndërkohë, nxënësit e dinë që ka një vazhdimësi të rimarrjes nga brezat të traditave të folkut, zejeve etj., dëshmi e sa cilës kanë qenë festivalet periodike folklorike kombëtare të Gjirokastrës, ekspozitat e kulturës popullore në Shkodër etj. Një nga hitet muzikore të gjysmë shekulli më parë është dhe kënga “Artizane e Lumës”, kushtuar cucave lumjane që endin qilima të bukur në punishten e asaj kohe në Kukës.

Shkollat e Rrëshenit ushtrohen vazhdimisht në projekte që kanë të bëjnë me prurjet burimore të traditës, larg sajesave artificiale. Mësuesit dhe prindërit në ditën e artzejeve kishin treguar kujdes që asgjë nga objektet e punuara në rrugë artizanale të mos stiset, siç ndodh ndonjëherë me artizanë që punojnë për tregun.

Shkolla e mesme e bashkuar Perlat kishte sjellë përmes maketesh të punuara me shije nga nxënësit: kullën e zonës, mullirin e ujit, kroin me bolirat e shtambat e drurit dhe gjithnur sendesh shtëpiare, kurse ajo e Fanit shquhet veçmas për orkestrën e muzikës popullore, paraqitur kohë më parë dhe në festivalin e përvitshëm të instrumentistëve të vegjël popullorë në Fushë-Arrëz. Interesante ishin dhe eksponatet e shkollave të Rubikut e Repsit. U shpalos inventari i veglave dhe pajisjeve të ndryshme të malësorit në jetën e tij të përditshme bujqësore, blegtorale dhe në raste festash.

Një rrugëtim i vlefshëm drejt së shkuarës artizanale, në funksion të edukimit dhe të turizmit, ku sigurisht ka prapë vend për kërkim në “odat” e sëshkuarës. Është rasti të themi se dhuratat më të çmuara që marrin fëmijët e emigrantëve, në qytete të ndryshme të Europës apo Amerikës, janë një kostum popullor, një çifteli a lahutë, një tufë librash në gjuhën shqipe etj.

DASMA ZADRIMORE”, BASHKË ME BIJTË E ARDHUR NGA JASHTË

Vemi shpesh në Zadrimë, por spektaklin ritual “Dasma Zadrimore” të pak ditëve më parë, zhvilluar në Mabë, te kulla e vjetër e Rrozhanëve, e ndoqëm përmes një telereportazhi të realizuar me mjeshtri nga gazetari i Radio – Televizionit Shqiptar Tom Therçaj, që sjell herë pas here vlera origjinale nga trevat, shpesh nxjerrë nga harresa.

Ky ishte dhe qëllimi i organizatorëve të këtij eventi, risjellja e traditës së bukur të dasmës së kësaj zonë, që e pasuron të sotmen e Zadrimës, tashmë një “hambar” agroturistik i rrallë, që në Fishtë e rreth e qark ka ringjallur “zanat” e bjeshkëve për të mikpritur turistët e panumërt në resortet moderne. Studiuesit e kanë vlerësuar dasmën e kësaj treve për vjetërsinë, larminë dhe prurjen në rrafsh kombëtar, ku të gjithë burrat bëhen krushq dhe shkojnë për të marrë nusen, gjithë dasmorët këndojnë, kërcejnë apo lodrojnë mbi kuaj në shenjë hareje, si dikur kreshnikët thellë në male, teksa vallja e shtruar, e kënduar zadrimore mendohet si ndër më të vjetrat në Ballkan.

Zadrima është e begatë në disa tipologji: veshje, zeje, rituale, ku ka lindur, shkruar e meshuar Frang Bardhi e Pjetër Zarishi, ka shërbyer Ndre Mjeda (Kukël), prej nga kanë dalë inxhinierët e mëdhenj Karl Gega e Gjovalin Gjadri etj.

Autorët zadrimorë nga mesjeta e më sot janë përmbledhur në një antologji letrare të vëllimshme, nën redaktimin e profesor Tefë Topallit. Kur shkruan për Zadrimën, janë të shumtë miqtë krijues që mund të përmendën për kontribute të vyera ndaj vendit të tyre të lindjes apo origjinës, por nuk mund të harrosh misionarin e pas ‘90-s, Dom Antonio Sharra, që asnjëherë nuk rrugëtonte pa pasur një lopatë në veturën e tij, si për të përcjellë mesazhin se vendi nuk bëhet pa punuar e pastruar. Një vegël e punimit të tokës, cilado qoftë ajo, në Zadrimë ka vërtet simbolikë.

Ndërkohë, na u duk me vend shqetësimi i një banoreje, që turizmi zadrimor të nxitet e zhvillohet gjithandej Zadrimës. E veçanta ishte se kishin ardhur në këtë “dasmë” emigrantë që nga Australia e largët, si një thirrje e vendlindjes, për t’iu gjendur asaj në të mirë e në të keq. Lezha me kohë ka treguar se di ta vlerësojë praninë e emigrantëve, qoftë dhe si turistë ne vendin e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura