Shikoni shndërrimin e kopshtit 31, ambiente të posaçme për fëmijët me aftësi të veçanta

Aug 23, 2016 | 12:34
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë edhe të Kopshtit 31 në kryeqytet, i cili përveç kushteve më të mira për fëmijët, ofron edhe një ambient të posaçëm për fëmijët me aftësi të veçanta, falë bashkëpunimit me “Down Syndrome Albania”.

thumbnail_28553491764_9c407edab4_k

Punimet e kryera u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe nga deputeti i PS, Pandeli Majko. Pasi panë nga afër mundësitë që ofron ky kopësht, kryebashkiaku Veliaj theksoi se tashmë edhe ky ambient ofron të njëjtat kushte dhe mundësi si edhe të 14 kopshtet e tjera të përfunduara gjatë verës.

thumbnail_28556209773_ac31031bd2_k

“Ajo që më bën më shumë krenar për nivelin që kemi arritur është fakti se kemi përfunduar kopshtin e 15-të, nga 23 kopshte; kemi edhe 8 të tjerë. Deri në shtator, kur të fillojë zyrtarisht viti mësimor, do kemi mbaruar me të gjitha kopshtet. Besoj se për herë të parë kemi sjellë të njëjtin standard, në mos më të mirë, në institucionet publike se sa në ato private. Në një kopsht që është në zemër të Bllokut, ku çdo gjë është përmirësuar, çdo gjëje i është rritur vlera, çdo infrastrukturë është përmirësuar, kishte ardhur koha që edhe institucionet publike të jenë në të njëjtin nivel”, tha Veliaj, duke theksuar se investimet e bashkisë kanë kthyer besimin e qytetarëve te çerdhet dhe kopshtet publike.

thumbnail_28887892590_f3cdc7cb1f_k

Ai vuri në dukje si një nga risitë që sjell ky kopësht pilotimin e projektit për të pasur një ambient të posaçëm për fëmijët me aftësi të veçanta.

“Për herë të parë po fusim një shërbim për fëmijët me aftësi të veçanta, ndaj partneriteti me “Doën Syndrome Albania” është një mënyrë fantastike për të futur disa shërbime shtesë, që nuk ia rrisin koston kopshtit, por që mbulohen nga partnerët për engjëjt tanë që janë me nevoja speciale dhe të veçanta. Besoj që pavarësisht rrethanave, të gjithë jemi me nevoja speciale, thjesht disa prej engjëjve të vegjël kanë nevojë për pak më shumë ndihmë. Më vjen mirë për kolegët që do të përfshihen në këtë projekt pilot në kopshte e çerdhe, duke pasur një vend të veçantë e duke pasur trajnerë dhe kujdestarë të specializuar”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi se investimi te çerdhet, kopshtet dhe shkollat janë investimi më i mirë për të ardhmen e vendit dhe shoqërisë.

thumbnail_29097422341_ed9e73d131_k

“Mënyra se si rriten fëmijët deri në moshën 5 vjeç ndikon në mënyrën se si rritet një qytet në 100 vitet e ardhshme, ndaj besoj se kemi bërë investimin ideal duke investuar në kopshte e çerdhe për qytetin e së nesërmes”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, deputeti Pandeli Majko falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e bërë me çerdhet dhe me kopshtet, duke i dhënë Njësisë 5 një infrastrukturë arsimore dhe sociale moderne në vetëm një vit.

“Ky është kopshti i fundit i njësisë, i gjashti në radhë. Sot të gjitha kopshtet e Njësisë 5 janë të rikonstruktuara, falë një ndërmjetësimi shumë të fortë nga ana e Bashkisë së Tiranës me donatorët dhe një pune shumë të mirë të drejtorisë përkatëse të bashkisë. Mendoj se stafet janë duke bërë një punë të mrekullueshme dhe gjërat që duken nuk kanë nevojë për koment”, tha deputeti Majko.

Në kopshtin 31, në bashkëpunim me donatorët, janë mundësuar punimet e brendshme të cilat konsistojnë në suvatim, shtrim pllakash, shtrim laminat, si dhe të gjithë instalimet elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu janë kryer edhe punimet e jashtme, sistemimi i hapësirës së gjelbër, krijimi i 4 këndeve të lojërave dhe rikonstruksioni i plotë i të gjithë fasadës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura